Gjyqytarja e pezulluar nga detyra, Mimoza Margjeka ka sot seancën në Apelin e Gjykatës së Posaçme teksa ka akuzuar SPAK-un drejtpëdrejt.

Mimoza Margjeka deklaron hapur se ajo po goditetet politikisht për zgjedhjet e 30 qershorit, pasi i refuzoi mandatin Valbona Sakos, ish-kryebashkiakes së Durrësit e cila qëndroi disa muaj në detyrë pas zgjedhjeve të 2019.

”Të nxjerrin një foni. U trumbetua për 3 ditë, gjyqtarja e korruptuar, mori 6 mijë euro, liroi trafikantin. Janë fjalë propagandistike nga Gjykata. S’janë fjalë juristësh këto. Nuk e di kush i ka thënë SPAK apo kush. Dhe jam e çuditur. S’kanë asnjë provë, e kam lexuar dosjen. Kanë goditur reputacionin tim. Dyshoj që është tendencë. Nëse dikujt i del diçka. E dini mirë çfarë kam dhënë, çfarë vendimi kam dhënë.

Jam e vetmja gjyqtare që nuk i kam dhënë një kryebashkiakeje mandatin. Është nul kam thënë, ato nuk ishin zgjedhje. Unë do kërkoj që seanca të jetë publike.”- tha Mimoza Margjeka.

Ajo u arrestua për një skemë korrupsioni si e gjyqtare e komanduar në Apelin e Korçës, ku i përfshirë ishte edhe bashkëshorti i saj, teksa ajo me vendim zbuti masën për një të arrestuar kundrejt 6 mijë eurove.

Nejton Bali, një shtetas vëllai i të cilit ishte arrestuar për trafik për kalim të paligjshëm të kufirit ndërhyu për të zbutur masën e sigurisë. Ai i dorëzoi 6 mijë euro avokatit Skënder Demiraj. Në këtë histori rol luajti edhe vetë bashkëshorti i gjyqtares, Arben Cara i cili po ashtu u arrestua.

Në arrest shtëpie GJKKO la Margjekën me avokatin Demiraj, kurse në arrest me burg u lanë bashkëshorti i saj, Arben Cara së bashku me Nejton Balin dhe Klaudjo Zhillën.

(BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb