Biznesmeni 40-vjeçar Behar Muçobega, një nga të arrestuarit me urdhër të Prokurorisë së Sarandës si pjesë e skemës së tjetërsimit të rreth 10 mijë m2 truall në bregdet, është shfaqur publikisht një muaj pasi ndaj tij ishte caktuar masa e sigurisë “Arrest në shtëpi”.

Ai është fotografuar në stadiumin e qytetit teksa sponsorizon uniformat sportive të klubit të futbollit “Butrinti” që për ironi administrohet nga vetë Bashkia Sarandë, shefi i urbanistikës i së cilës u arrestua si bashkëpunëtor i Muçobegës dhe u la po ashtu në “Arrest shtëpie” nga Gjykata.

Burime të “BW” bëjnë me dije se ditët e fundit Gjykata e Sarandës ka ndryshuar masën e sigurisë për Muçobegën nga “Arrest në shtëpi” në “Garanci pasurore” me një shumë të konsiderueshme të hollash, gjë e cila e ka lënë atë të lirë. Nga 4 operacione të Prokurorisë së Sarandës dhe SPAK në 7 muajt e fundit janë lëshuar 20 urdhër arreste për zyrtarë, biznesmenë e qytetarë.

  • foto galeri
  • foto galeri
  • foto galeri

Nga të gjithë këto urdhra vetëm 2 ndodhen aktualisht në “Arrest në burg”, 11 janë në “Arrest në shtëpi”, 6 janë persona në kërkim dhe 1 është i lirë me masë “Garanci pasurore”. Burime gjithashtu bëjnë me dije se veç 20 personave për të cilët u lëshuan urdhër arreste, Prokuroria e Sarandës ka çuar për gjykim në gjendje të lire edhe një tjetër punonjës të ASHK Sarandë duke e bashkuar si të pandehur në një prej dosjeve, ndërsa SPAK po ndjek në gjendje të lire edhe dy persona të tjerë sa i përket një dosjeje të hetuar prej saj, duke e çuar në total numrin e personave të hetuar për këto 4 dosje në 23.

Nga këto operacione është sekuestruar në total 10.599 m2 truall dhe një pallat 7 katësh. Veç këtyre, prokuroria mbajti disa kohë nën sekuestro edhe një zyrë noteriale ku grumbulloi dokumentacion lidhur me hetimet.

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb