Policia e Koresë së Jugut po përgatitet të ngrejë akuza të reja kundër presidentit të rrëzuar Yoon Suk Yeol për pengim të ekzekutimit të urdhrit të parë të arrestit të lëshuar kundër tij.
Kështu tha sot një zëdhënës i policisë. Urdhri i parë i arrestit për Yoon u lëshua më 31 dhjetor si pjesë e një hetimi penal lidhur me shpalljen e gjendjes ushtarake më 3 dhjetor.
Megjithatë urdhri nuk u ekzekutua deri më 15 janar, pasi Yoon, duke përdorur Shërbimin e Sigurisë Presidenciale, bllokoi ekzekutimin e urdhrit për javë të tëra. Sipas zëdhënësit të policisë, një hetim i ri është duke u zhvilluar kundër Yoon për krimin e dyshuar të pengimit të posaçëm të shërbimit publik.
Sipas ligjit të Koresë së Jugut, krimi dënohet deri në pesë vjet burg.
Presidenti i rrëzuar i Koresë së Jugut, Yoon Suk Yeol, u paraqit dje në një gjykatë në Seul për një seancë paraprake në gjyqin e tij penal me akuzën e kryengritjes.
Agjencia e lajmeve Yonhap raportoi se Yoon u pezullua nga detyra pasi shpalli gjendjen e jashtëzakonshme, vendosi shkurtimisht ligjin ushtarak dhe u përpoq të parandalonte një mbledhje të parlamentit më 3 dhjetor. Seanca u mbajt në Gjykatën Qendrore të Qarkut të Seulit, ku Yoon udhëtoi nga qendra e paraburgimit të kryeqytetit, i shoqëruar nga automjetet e Ministrisë së Drejtësisë.
Avokatët e tij i kanë kërkuar gjykatës t’i heqë paraburgimin, duke argumentuar se hetimi për kryengritjen është kryer “në mënyrë të paligjshme” dhe se nuk ka rrezik që Yoon të përpiqet të shkatërrojë provat.
Yoon “nuk kishte ndërmend të paralizonte vendin”, tha një nga avokatët, duke shtuar se vendosja e ligjit ushtarak synonte të informonte qytetarët për “diktaturën legjislative të partisë kryesore opozitare”.
Seanca e radhës në procesin penal do të mbahet më 24 mars. Yoon po përballet gjithashtu me një proces impeachment që po zhvillohet nga Gjykata Kushtetuese, i cili ka hyrë në fazën përfundimtare.
(BalkanWeb)