Italia ka kërkuar zyrtarisht ekstradimin e Bujar Sejdinaj, i njohur ndryshe si ‘’Xhaxhai’’ pasi në korrik u arrestua për 20 kg kokainë në Spanjë.

Sejdinaj është etiketuar si përfaqësuesi i ‘’Ndrangheta-s’’, organizatës së famshme mafioze në Itali, për Ballkanin dhe Shqipërinë por edhe si përfaqësues i familjes mafioze ”Bellocco”.

Gazetarja Klodiana Lala raporton për BalkanWeb se kërkesa për ekstradim ka arritur dy ditë më parë në Ministrinë e Drejtësisë, e cila ia ka përcjellë Prokurorisë së Përgjithshme. Kjo e fundit duhet t’ia japë prokurorit përkatës, që duhet t’ia dorëzojë Gjykatës për të marrë vendimin.

Vetë Bujar Sejdinaj ka dëshmuar se nuk ka lidhje me Ndrangheta-n, pasi është marangoz dhe vetëm një herë ka shkuar në Itali.

Ai u arrestua gjatë një operacioni të shtrirë në disa vende si Kosta Rika, Argjentinë, Itali e Shqipëri pasi pati negocime për blerjen e 20 kg kokainë në Spanjë. Gjashtë persona u arrestuan, mes tyre Bujar Sejdinaj dhe bashkëpuntori i tij Adrian Cekini, të dy nga Elbasani.

(BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb