SHKODËR

Gjykata e Apelit në Shkodër ka dënuar me 14 vite burg shtetas Rinard Tota, i njohur edhe me emrin Frederik Tota. 54-vjeçari u shpall fajtor për veprat penale “Shfrytëzim Prostitucioni”, “Mbajtje e lokaleve për prostitucion”, “Ushtrim pa license i veprimtarive financiare”, “Pastrim i produkteve të veprës penale ose veprimtarisë kriminale”, “Vjedhje e energjisë elektrike ose impulsive telefonike” dhe “Ndërtim i Paligjshëm”. Nga 14 vite që është dënuar, 54-vjeçari do të bëjë 9 vite, për shkak se pjesën tjetër e ka shlyer gjatë kohës së paraburgimit.

Ndërkohë, Gjykata e Apelit në Shkodër ka ndryshuar vendimin e Shkallës së Parë, duke dënuar, nga 5 vite burg që kishte kushëriri i Frederik Totës, shtetasi Kastriot Musa, me 7 vite burg për veprën penale “Mbajtjes së lokaleve për prostitucion”. Ky i fundit do të duhet që të bëjë afërsisht edhe dy vite burg, sepse pjesën tjetër e ka shlyer në paraburgim. Shtetasja tjetër, Sonila Mehja, 36 vjeçe, është dënuar me 8 vite burg nga Gjykata e Apelit në Shkodër, nga 9 që i ka dhënë Shkalla e Parë për veprat penale “Shfrytëzim Prostitucioni” dhe “Mbajtjes së lokalit për prostitucionit”.

36-vjeçares i kanë mbetur edhe 4 vite, pasi pjesën tjetër e ka shlyer gjatë kohës së paraburgimit. Ndryshe nga Gjykata e Shkallës së Parë, e cila vendosi që lokali 3 katësh në lagjen Xhabiej në Shkodër, ku është ushtruar prostitucioni, t’i kthehet 54-vjeçarit Frederik Tota, Gjykata e Apelit vendosi që kati i dytë dhe i tretë i kësaj ndërtese t’i kalojë si pasuri shtetit shqiptar, pasi dyshohet se këto dy kate janë ndërtuar përmes veprimtarive të paligjshme. Frederik Tota u arrestuar në nëntor të vitit 2017 në kuadër të operacionit “Forca e Ligjit”, në operacionin e koduar “Balerinat”.

Policia në atë operacion arrestoi në total shtatë persona, ku tre prej tyre, Frederik Tota i shpallur fajtor nga gjykata si kreu i këtij grupi kriminal të shfrytëzimit të prostitucionit, kushëriri i tij Kastriot Musa dhe Sonila Mehja kanë marrë pjesën më të madhe të dënimit, ndërsa katër të tjerët janë dënuar me pak muaj apo shërbim prove. Shtetasi Frederik Tota, që u dënua me 14 vite burg, asnjëherë nuk ka pranuar qoftë në Shkallën e Parë, por edhe në Gjykatën e Apelit, akuzat e ngritura ndaj tij, duke i mohuar me forcë, duke thënë se nuk është kreu i grupit kriminal të prostitucionit dhe se lokali i tij nuk ka pasur atë funksion.

Pavarësisht pretendimeve të tij dhe avokatëve mbrojtës të tre shtetasve të shpallur fajtor, Gjykata e Apelit vendosi që t’i dënojë me 29 vite burg të tre bashkë. Këta shtetas, që u arrestuan në 18 nëntor të 2017-ës, u dënuan me një vendim të formës së prerë pas pothuajse katër vitesh në seanca gjyqësore që zgjatën në Shkallën e Parë dhe Gjykatën e Apelit.

(BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb