Pas disa orësh qëndrimi në polici, është liruar deputetja e lëvizjes Vetëvendosje, Saranda Bogujevci. Arrestimi i saj dhe disa aktivistëve të VV-së ndodhi pas një proteste që ata zhvilluan para policisë, ku qëlluan edhe me bojë. Lajmin për lirimin e saj e ka konfirmuar komandanti i stacionit policor “Qendra” në Prishtinë, Shkëlzen Xhafa.

Bogujevci ishte arrestuar pasi kishte dhënë një deklaratë për media pas protestës kundër dhunës në familje. Më herët, Policia tha se dhjetëra zyrtarë të policisë kanë marrë lëndime gjatë kësaj proteste.

Ndërkohë, Policia e Kosovës njoftoi se për 7 aktivistë është caktuar masa e paraburgimit prej 48 orëve.
“Sot rreth orës 12:00, para stacionit policor Qendra në Prishtinë, janë paraqitur një grup i të rinjve, të cilët kanë hedhur ngjyrë në drejtim të stacionit policor si dhe në drejtim të zyrtarëve policor të cilët kanë qenë në detyrë zyrtare pranë hyrjes së stacionit policor “Qendra” në DRP-Prishtinë. Si rezultat i dhunës së shfaqur dhe gjuajtjes me gjësende të mbushura nga protestuesit, janë lënduar dhjetë zyrtarë policie, të cilët kanë kërkuar trajtim mjekësor ku pesë prej tyre janë dërguar për trajtim mjekësor në QKUK. Prokurori kujdestar është ftuar në stacionin policor që t’i marrë veprimet e tij konform ligjeve në fuqi dhe në bazë të vendimit të tij shtatë persona janë dërguar në Qendrën e Ndalimit për dyzetë e tetë orë dhe rasti është inicuar ‘sulm ndaj personit zyrtar’”, thuhet në komunikatën e Policisë.
(BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb