Pas më shumë se një muaji të izoluar nëpër shtëpi, të moshuarit kanë pasur mundësit këtë të shtunë për të dalë një xhiro të shkurtër në kryeqytet.

Vendimi u mor pasditen e djeshme nga kryeministri Edi Rama, i cili iu dha mundësi të moshuarve të dalin nga ora 08:00 deri në orën 11:00.

Të pyetur nga gazetarja e “News24” dhe “BalkanWeb”, Ida Ismalaj, pensionistët shprehen se vendimi për të dalë i ka çliruar, pasi izolimi ishte shumë i vështirë.

Disa mendime të qytetarëve nga Sheshi “Skënderbej”:

Qytetar 1: Izolim të plotë nuk e quaj, sepse kjo ka të bëjë me shëndetin tonë. Karantinimi është një gjë positive për shëndetin.

Sa e vështirë ka qenë për ju qëndrimi brenda?

Unë kam shtëpi private, dal në oborr dhe nuk më ka rënduar shumë.

Si e pritët vendimin për të dalë sot?

Është gjë e mirë.

Keni frikë?

Jo, nuk kam, sepse unë mbaj distancën, laj duart, zbatoj rregullat.

Qytetar 2: Vendimi i Ramës për të dalë shumë i drejtë. Bravo i qoftë, ka bërë një punë shumë të mirë. E kapi shpejt.

Qytetari 3: Këto ditë izolimi nuk i kemi parë ndonjëherë në jetë, ishin të vështira, por i kuptuam mirë masat e qeverisë, sepse ishin për shëndetin. Sot na dhanë të drejtë dhe po dalim të bëjmë një xhiro. Ishalla dalshim faqebardhë në fund të kësaj pandemie.

Qytetare 4: Kanë qenë shumë të vështira këto ditë. Kemi kaluar në stres. I kemi zbatuar të gjitha masat, ja sot po dalim. U çliruam, sikur rilindëm, kur mësuam vendimin për të dalë.

NJOFTIMI I PLOTE I POLICISE SE SHTETIT:

Bazuar në urdhrin e fundit të Kryeministrit të vendit, për lejimin e pensionistëve për të dalë ditën e shtunë deri në orën 11:00, Policia e Shtetit do të mirëpresë e asistojë pensionistët, për të respektuar distancimin social.

Policia e Shtetit kërkon mirëkuptimin e pensionistëve që të mos ulen në grupe nëpër parqe apo lulishte, të mos jenë më shumë se dy persona bashkë dhe pas orës 11:00, duhet të kthehen në banesë. Shërbimet e Policisë do të jenë pranë tyre për çdo rast nevoje që ata mund të kenë.

Ndërkohë, në të gjithë vendin do të vijojnë kontrollet e pandërprera kryesisht në qendrat urbane, për respektimin e karantinës. Do të lejohen të qarkullojnë me makinë, të pajisur me autorizim apo në këmbë, në itinerarin shtëpi – punë – shtëpi, pa asnjë ndalesë të gjithë personat që kanë autorizim për të punuar gjatë fundjavës.

Të gjithë të tjerët duhet të respektojnë masat kufizuese për të mos dalë nga banesa deri në orën 05:00 të ditës së hënë, duke përjashtuar lëvizjet për emergjencat mjekësore.

(BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb