Guvernatori i Bankës së Shqipërisë, Gent Sejko ka raportuar këtë të mërkurë në Komisionin e Ekonomisë dhe Financës. Ai falenderoi Kuvendin që e propozoi dhe Presidentin Meta që e dekretoi për një mandat të dytë si guvernator të Bankës së Shqipërisë.

Sejko tregoi më pas të gjithë punën e bërë nga institucioni që drejton, në këto vite që ka qenë në krye të saj, ku renditi të gjitha sfidat dhe sukseset.

“I nderuar zoti Kryetar,
Të nderuar zonja dhe zotërinj anëtarë të Komisionit,

Ju falënderoj për këtë dëgjesë publike, të organizuar në përgjigje të nominimit të kandidaturës sime për rinovimin e mandatit të Guvernatorit të Bankës së Shqipërisë.

Që në fillim, më lejoni të theksoj se ndihem i nderuar nga besimi që Kuvendi i Shqipërisë më dha për të vazhduar më tej me kontributin tim në fushën e administrimit të jetës ekonomike dhe financiare të vendit, si anëtar i Këshillit Mbikëqyrës të Bankës së Shqipërisë,. Në të njëjtën frymë, gjej me vend të shtoj se kandidimi im për postin e Guvernatorit motivohet nga një shtysë e brendshme: ajo e përfundimit të procesit të transformimit rrënjësor të Bankës së Shqipërisë dhe shndërrimit të saj në një bankë qendrore moderne.

Në vizionin tim, Banka e Shqipërisë duhet të konvergojë në konturet e një bankë qendrore moderne, e denjë për të qenë pjesë e sistemt evropian të bankave qendrore, e aftë të përballet me sfidat që kemi përpara në rrugën e zhvillimit të qëndrueshëm të ekonomisë, në rrugën e modernizimit të gjithanshëm të sistemit financiar, në rrugën e integrimit evropian, si dhe në funksionin e saj si një partner i besueshëm i publikut shqiptar, i shoqërisë civile dhe i botës akademike.

Të nderuar zonja dhe zotërinj,
Si Guvernator i Bankës së Shqipërisë dhe Kryetar i Këshillit Mbikëqyrës të saj gjatë shtatë viteve të shkuara, unë kam pasur nderin të shërbej në një nga funksionet më të larta publike të vendit. Gjatë kësaj periudhe, kam ideuar dhe mbikëqyrur zbatimin e një sërë reformash të rëndësishme, të cilat kanë prekur organizimin dhe aktivitetin e institucionit, ashtu edhe aftësinë dhe shkallën e përmbushjes së detyrave tona ligjore dhe angazhimeve tona institucionale.

Në pamundësi kohore për të bërë një ekspoze të plotë të arritjeve të institucionit, por të cilat kanë marë vlerësim maksimal gjatë këtyre viteve, nëpërmjet rezolutave vjetore të këtij Kuvendi të nderuar, më lejoni të fokusohem në disa nga drejtimet kryesore të punës sime.

Misioni kryesor i Bankës së Shqipërisë është arritja dhe ruajtja e stabilitetit të çmimeve, i interpretuar si një nivel mesatar inflacioni prej 3% në afatin e mesëm dhe të gjatë. Për përmbushjen e tij, Banka e Shqipërisë ushtron në mënyrë ekskluzive dhe të pavarur funksionin e politikës monetare.

Gjatë mandatit të shkuar, politika monetare e Bankës së Shqipërisë ka bërë një hop të dukshëm cilësor. Kështu, në vitin 2015 ne kemi adoptuar një regjim të pastër të inflacionit të shënjestruar, çka përfaqëson dhe standardin e artë të fushës, duke ndërtuar infrastrukturën e nevojshme të analizës dhe parashikimit, duke përmirësuar kuadrin operacional të zbatimit të politikës, si dhe duke rritur transparencën e përmirësuar efektivitetin e komunikimit të saj me Kuvendin, publikun dhe grupet e interesit.

Rezultatet e këtij investimi janë të prekshme. Megjithëse ekonomia shqiptare është përballur me një sërë goditjesh negative, ku spikatin pasojat e krizës financiare globale, pasojat e krizës së borxhit sovran në eurozonë, si dhe goditjet e tërmetit dhe të pandemisë, inflacioni nuk ka pësuar shmangie të forta nga objektivi, ndonëse është luhatur në kahun e poshtëm të tij. Stabiliteti monetar i vendit ilustrohet nga një nivel mesatar inflacioni prej 1.8% gjatë periudhës së referencës, nga nivelet minimalë historike të kostove të financimit të sektorit publik e privat, nga trendi rritës i kreditimit në lekë, si dhe nga qëndrueshmëria e kursit të këmbimit të monedhës kombëtare. Këta faktorë kanë dhënë një kontribut të rëndësishëm në absorbimin e pasojave të goditjeve, në ruajtjen e ekuilibrave makro-financiarë, si dhe në nxitjen e rimëkëmbjes ekonomike.

Në fushën e mbikëqyrjes dhe rregullimit bankar, Banka e Shqipërisë ka bërë një transformim të gjithanshëm e rrënjësor. Gjatë mandatit tim të shkuar si Guvernator:
 Së pari, Banka e Shqipërisë ka zbatuar në mënyrë koherente e konsistente programin e reduktimit të kredive më probleme. Si pasojave e rishikimit të plotë të kuadrit ligjor e rregullator, raporti i kredive me probleme ka zbritur në nivelin aktual prej 5.4%, kundrejt pikut prej 25% në vitin 2014. Po aq i rëndësishëm, është fakti se rreziku i kreditit është ulur dhe oferta e kredisë është përmirësuar. Ky përmirësim është pasqyruar në rritjen me 10% të kredisë për sektorin privat gjatë vitit të shkuar, një periudhë kjo e cila përkoi dhe me pasojat e pandemisë.
 Së dyti, Banka e Shqipërisë ka iniciuar dhe zbatuar një plan masash për nxitjen e përdorimit të monedhës kombëtare në sistemin financiar. Ky plan masash synon si rritjen e qëndrueshmërisë financiare të sektorit bankar dhe të ekonomisë dhe transmetimin më të mirë të politikës monetare. Ai ka dhënë efekte pozitive, në drejtim të reduktimit rreth nivelit 50% të peshës së kredisë në valutë dhe të rritjes së interesit për ruajtjen e kursimeve në monedhën tonë kombëtare.
 Së treti, Banka e Shqipërisë ka administruar me sukses procesin e konsolidimit të sektorit bankar. Ky proces, i cili ka kërkuar një investim të madh kohe dhe energjie, ka synuar e arritur jo thjesht reduktimin e numrit të bankave tregtare (nga 16 në 12), por – mbi të gjitha – futjen në tregun lokal të aktorëve të rinj e të motivuar dhe rritjen e konkurrencës në të. Nga ky proces, vendi ka përfituar një sektor bankar më kompetitiv, më eficient dhe më të sigurt.
 Së fundi, Banka e Shqipërisë ka punuar për adoptimin e praktikave më të mira në fushën e rregullimit dhe të mbikëqyrjes bankare, duke synuar konvergimin me standardet e Eurozonës dhe duke u fokusuar në analizën dhe trajtimin e rreziqeve të mëdha. Në pasqyrim të kësaj pune, Banka e Shqipërisë është tashmë anëtare e kolegjeve mbikëqyrëse të bankave qendrore. Po ashtu, ne kemi një kuadër të plotë e funksional për ndërhyrjen e jashtëzakonshme në banka, çka na vendos në pararojë të vendeve të rajonit.

Këto përpjekje kanë dhënë frytet e tyre. Sektori bankar shqiptar mori mbi vete një pjesë të madhe të faturës financiare të pandemisë dhe ofroi mbështetje të vazhduar financiare për bizneset dhe familjet. Po ashtu, ai diti ta ushtrojë këtë funksion pa cënuar parametrat kryesorë të shëndetit të tij financiar: shkallën e likuiditetit, të përfitueshmërisë dhe të kapitalizimit. Tashmë, publiku gjen tek sistemi ynë bankar një destinacion të sigurt për ruajtjen e kursimeve të tij, biznesi gjen një burim fondesh, shërbimesh dhe konsulence, ndërsa ekonomia gjen një promotor zhvillimi dhe amortizues goditjesh.

Paralelisht me këto drejtime kryesore, Banka e Shqipërisë ka punuar dhe arritur suksese të prekshme edhe në fushat e tjera, ndër të cilat gjej me vend të evidentoj:
 Sistemin e pagesave, i cili tashmë po operon me një kuadër ligjor e rregullator në përputhje të plotë më standardet e BE dhe me një infrastrukturë pagesash në modernizim të vazhdueshëm. Këtu dua të veçoj miratimin e Ligjit të ri për Sistemin e Pagesave, i cili transpozon direktivën përkatëse të Bashkimit Europian dhe i hap rrugë shtimit të aktorëve dhe rritjes së eficiencës së tregut. Gjithashtu, në muajin janar të këtij viti, Banka e Shqipërisë vuri në punë infrastrukturën e plotë për procesimin dhe shlyerjen e pagesave në euro brenda vendit. Ky zhvillim do të rezultojë në kosto më të ulëta dhe reduktim të ndjeshëm të kohës së realizimit të pagesave, me një përfitim të ndjeshëm për bizneset dhe familjet shqiptare.
 Administrimin me sukses të rezervës valutore të vendit, ku dua tw nwnvizoj se adoptimi i metodologjive bashkëkohore të vlerësimit të mjaftueshmërisë dhe administrimit të tyre, ka sjellë si rritjen e rezervës – nga niveli 2.2 miliardë euro në vitin 2014 në pothuaj 5 miliardë euro në vitin 2021, ashtu dhe ruajtjen e një profili të shëndetshëm të saj, në terma të likuiditetit dhe sigurisë. Po ashtu, gjej me vend të theksoj se niveli i kënaqshëm i rezervave tona valutore është një nga treguesit kryesorë që mbështet vlerësimin pozitiv për rrezikun e vendit në tregjet financiare ndërkombëtare.
 Procesin e integrimit evropian, në të cilin fushat direkte të përgjegjësisë së Bankës së Shqipërisë evidentohen si pikat më të afërta të kontaktit me legjislacionin evropian, apo Acquis Communutaire.
 Administrimin e monedhës kombëtare, ku Banka e Shqipërisë ka siguruar furnizimin normal të tregut, edhe pse në prani të sfidave të konsiderueshme operacionale të parashtruara nga pandemia. Gjithashtu, ne kemi rifreskuar të gjithë serinë e kartëmonedhave ekzistuese, proces i cili u mbyll në fillim të këtij viti me dy prerjet e fundit. Paralelisht me rifreskimin, në përgjigje të kërkesave të kohës dhe të zhvillimeve ekonomike e financiare, seria është plotësuar dhe me kartëmonedhën e re, me vlerë nominale 10,000 lekë. E gjithë seria e kartëmonedhave ka tashmë një dizajn bashkëkohor dhe përmbush standardet më të larta të sigurisë.
 Edukimin financiar, një investim ky i rëndësishëm për ndërgjegjësimin mbi administrimin e financave personale dhe rritjen e mirëqenies së shoqërisë,
 Komunikimin me publikun, ku Banka e Shqipërisë është tashmë një institucion jo vetëm më transparent por edhe më i aksesushëm nga publiku i gjerë. Komunikimi i rregullt i vendimeve dhe pikëpamjeve tona, organizimi apo pjesëmarrja në konferenca akademike, si dhe përmbushja në kohë e me rigorozitet e kërkesave për informacion, janë njohur dhe nga partnerët tanë të huaj. Më konkretisht, raporti më i fundit i Bankës Qendrore të Austrisë e vlerësoi nivelin dhe cilësinë e komunikimit me publikun të Bankës së Shqipërisë si më të mirin në rajon.

Të nderuar anëtarë të Komisionit,
Me gjithë arritjet që listova më sipër, unë nuk e konsideroj misionin tim të mbyllur.

Duke parë nga e ardhmja, konstatoj se Banka e Shqipërisë ka ende shumë punë për të bërë në të gjitha drejtimet. Më lejoni të rendis shkurtimisht prioritetet e axhendës sime gjatë mandatit të dytë.

Prioriteti i parë ka të bëjë me politikën monetare dhe stabilitetin e çmimeve. Si Guvernator i Bankës së Shqipërisë, jam kujdesur e do të kujdesem që sasia dhe kostoja e parasë në eknomi, të mundësojnë stabilitetin e cmimeve, rritjen e qëndrueshme ekonomike dhe përmirësimin e mirëqenies. Në kontekstin afatshkurtër, sfida kryesore do të jetë adresimi i presioneve inflacioniste që vijnë nga rritja e çmimeve në tregjet botërore. Në gjykimin tim, respektimi i mandatit ligjor të stabilitetit të çmimeve është një objektiv i pa-negociueshëm. Përmbushja me sukses e këtij mandati do të kërkojë hartimin e një politike monetare të kujdesshme dhe largpamëse. Në të njëjtën kohë, paralelisht me objektivin primar të saj, kjo politikë duhet të faktorizojë nevojën e mbështetjes së rimëkëmbjes ekonomike dhe të harmonizohet me procesin e konsolidimit fiskal, në interes të rritjes së qëndrueshmërisë fiskale dhe financiare të vendit. Në veçanti, bindja ime është se harmonizimi i kujdesshëm i politikave monetare dhe fiskale prodhon rezultatet më të mira ekonomike, si në terma të rritjes ashtu dhe të stabilitetit. Në një kontekst më afatgjatë, kuadri operacional i politikës monetare duhet të plotësohet me instrumente kontingjente, si ato të adoptuara nga bankat e mëdha qendrore. Ky objektiv ka si parakusht përmirësimin e infrastrukturës ligjore dhe zhvillimin e mëtejshëm të tregjeve financiare. Megjithatë, horizonti i ardhshëm shtatëvjeçar ofron një dimension kohor të mjaftueshëm për përmbushjen e tij.

Prioriteti i dytë ka të bëjë më mbikëqyrjen dhe rregullimin bankar, në funksion të forcimit të mëtejshëm të stabilitetit financiar të vendit. Në këtë prizëm, objektivi i punës sime do të jetë:
 Krijimi i të gjitha premisave për nxitjen e kreditimit të shëndetshëm të ekonomisë. Në gjykimin tim, oferta e kredisë bankare nuk duhet të jetë pengesë për rritjen e qëndrueshme dhe afatgjatë të vendit, por procesi i kreditimit duhet të respektojë gjithnjë parametrat e nevojshëm të kujdesit, për ruajtjen e shëndetit të bankave dhe të vlerës së kursimeve të depozituara në to.
 adoptimi i plotë i të gjithë praktikave dhe standardeve relevante të Bazel II dhe Bazel III;
 konvergimi i mëtejshëm më standardet evropiane dhe marrja e certifikimeve të mëtejshme në fushën e mbikëqyrjes nga Banka Qendrore Evropiane. Këto certifikime do të ulin kostot dhe do të rrisin eficiencën e operimit të sektorit tonë bankar;
 ri-skanimi i plotë i sistemit tonë financiar – në bashkëpunim me Bankën Botërore dhe FMN-në (Financial Sector Assessment Program) – për të mundësuar identifikimin dhe korrektimin në kohë të dobësive të tij. Në veçanti. mendoj se vëmendje e mëtejshme duhet ushtruar në:
 aktivitetin e institucioneve financiare jo-banka dhe konvergimin e standardeve dhe praktikave të tyre rregullatore me ato të sektorit bankar. Kjo do të promovojë eficiencën e sistemit financiar dhe konkurrencën e ndershme brenda dhe ndërmjet segmenteve të ndryshme të tij,
 vënien në eficiencë të plotë të arkitekturës mbikëqyrëse të sistemit tonë financiar, duke filluar nga Grupi Këshillimor i Stabilitetit Financiar dhe duke vijuar me praktikat e shkëmbimit të informacionit dhe të bashkëpunimit midis institucioneve të ndryshme rregullatore të tij.
 Vijimin e punës për reduktimin e përdorimit të monedhës së huaj në vend, duke synuar rritjen e ndërgjegjësimit të aktorëve publikë dhe privatë për rreziqet që ajo sjell, si dhe duke synuar forcimin e përgjigjes së institucioneve shqiptare.

Prioriteti i tretë do të jetë nxitja e formalizimit dhe rritja e edukimit dhe e përfshirjes financiare. Shkalla relativisht e lartë e informalitetit në ekonominë shqiptare sjell pasoja serioze negative, nëpërmjet cënimit të konkurrencës, frenimit të produktivitetit, rritjes së pasigurisë në marrëdhëniet tregtare e financiare, si dhe reduktimit të të ardhurave publike.

Për këtë arsye, Banka e Shqipërisë duhet të vijojë të punojë për rritjen e formalizimit të ekonomisë. Në gjykimin tim, ky proces duhet mbështetur nëpërmjet qasjes rregullatore ndaj aktiviteteve të pa-formalizuara, nëpërmjet plotësimit të infrastrukturës financiare e cila redukton kostot për aktivitet formale, si dhe nëpërmjet bashkërendimit të punës me nismat e sektorit publik.

Në fushën e edukimit financiar, Banka e Shqipërisë duhet të luajë një rol kyç në hartimin dhe zbatimin e strategjive kombëtare që promovojnë rritjen e kulturës financiare në vend. Kjo kulturë duhet parë si një element esencial për rritjen e mirëqenies afatgjatë të shoqërisë.

Po ashtu, Banka e Shqipërisë duhet të vijojë të punojë për rritjen e përfshirjes financiare të popullsisë. Një pikënisje e këtij procesi është modernizimi i sistemit të pagesave dhe rritja e shkallës së përdorimit të pagesave elektronike, e më tej shfrytëzimi i kësaj porte për aksesin në shërbime financiare e shërbime pagesash që rrjedhimisht ndikojnë dhe zhvillimin ekonomik të vendit.

Po ashtu, duke qenë të ndërgjegjshëm për rolin dhe rëndësinë e reformave strukturore, Banka e Shqipërisë duhet të vijojë të kontribuojë – me këshilla dhe vëmendje publike – në shtyrjen përpara të tyre. Në gjykimin tim, këto reforma duhet të nxisin produktivitetin, të zhbllokojnë potencialet e rritjes, si dhe të krijojnë premisa për një shpërndarje sa më të drejtë të fruteve të saj në shoqëri.

Prioriteti i katërt do të jetë mbështetja e integrimit evropian. Ndonëse hapja dhe shpejtësia e këtij procesi do të varet në një masë të madhe nga partnerët tanë evropianë, detyra jonë si autoritete shqiptare është të procedojmë pa asnjë vonesë dhe hezitim në të. Në këtë kontekst, mendoj se Banka e Shqipërisë duhet të vijojë të mbetet në rolin e paraprijësit të procesit duke ofruar shembullin e mirë dhe eksperiencën e saj dhe me autoritetet e tjera publike.

Së fundi, gjej me vend të theksoj se Banka e Shqipërisë ka qenë dhe duhet të mbetet një institucion i hapur dhe transparent. Përmirësimi i mëtejshëm i kësaj predispozite do të jetë dhe prioriteti i pestë i punës sime. Banka e Shqipërisë mund dhe duhet të zgjerojë më tej gamën e informacionit ekonomik që ajo publikon, si dhe të rrisë prezencën e saj në tryezat e diskutimit ekonomik.

I nderuar zoti Kryetar,
Të nderuar zonja dhe zotërinj anëtarë të Komisionit,

Duke parashtruar dhe motivuar kërkesën time për rinovimin e mandatit të Guvernatorit të Bankës së Shqipërisë, më lejoni t’ju siguroj se përvoja ime 30 vjeçare e punës në sektorin publik dhe privat të industrisë financiare, eksperienca në funksione drejtuese, si dhe rezultatet e punës sime, përbëjnë një element garancie për përmbushjen e detyrës.

Besimi i këtij Komisioni të nderuar do të shërbejë si një motivim më tepër në dhënien e kontributit tim për zhvillimin e Bankës së Shqipërisë.

Ju faleminderit!”, tha Sejko.

(BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb