TIRANE

Prokuroria e Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar, SPAK, njoftoi të enjten më 30 prill se janë duke kryer hetime intensive për procedimin penal që ka për objekt prokurimet e zhvilluara në kushte emergjence të pandemisë së COVID-19 nga Ministria e Mbrojtjes dhe se po verifikohen denoncimet publike për prokurimet e zhvilluara në kushte emergjence të pandemisë nga Ministria e Shëndetësisë me procedurë të klasifikuar ″sekret″.

Njoftimi është bërë publik në faqen online të SPAK, ku është pasqyruar edhe aktiviteti i kësaj prokurorie prej 9 marsit deri më 30 prill.

Partia Demokratike, PD kallëzoi penalisht në SPAK në fillim të prillit Ministren e Mbrojtjes Olta Xhaçka dhe anëtarët e Komisionit të Vlerësimit të Ofertave të kësaj ministrie për veprat penale: “korrupsion aktiv i personave që ushtrojnë funksione publike”; “korrupsion aktiv i funksionarëve të lartë shtetërorë ose të zgjedhurve vendorë”; “shpërdorim detyre”; “shkelje e barazisë së pjesëmarrësve në tendera apo ankande publike”; “korrupsioni pasiv i personave që ushtrojnë funksione publike” dhe “korrupsion pasiv i funksionarëve të lartë shtetërorë ose të zgjedhurve vendorë”.

PD pretendon në kallëzimin e saj se, numri një i Ministrisë së Mbrojtjes dhe disa vartës të saj kanë abuzuar me tenderin pa garë prej 1.5 milionë euro të ushqimit, duke përjashtuar mijëra kompani shqiptare e shpallur fituese në fund të marsit një kompani të huaj e cila nuk ka pasur eksperiencë në këtë sektor .

“Ky tender i realizuar me urgjencë në këtë kohë krize, ku është shpallur fituese pa garë, një kompani kompjuterash, është një aferë e pastër korruptive dhe klienteliste, për shkak se: Kompania që Edi Rama dhe Olta Xhaçka kanë parapërzgjedhur t’i japin plot 1.5 milion euro nuk ka asnjë eksperiencë në tregtimin e produkteve ushqimore,” deklaroi PD.

Sipas Partisë Demokratike kompania “Eurovia” është e specializuar për pajisje kompjuterike dhe ndërtim, jo për tregtimin e produkteve ushqimore.

“E njoftuar parapakisht për hapjen e këtij tenderi, në datë 19 Mars 2020, pra vetëm 6 ditë para se të shpallej fituese e tenderit për ushqime nga Ministria e Mbrojtjes, kompania “Eurovia” shpk, dega Shqipëri, ka modifikuar objektin e aktivitetit të saj, duke shtuar edhe tregtimin në produktet ushqimore”, shtoi Partia Demokratike.

Ministrja e Mbrojtjes, Olta Xhaçka reagoi më 5 prill nëpërmjet një statusi në Facebook, duke u shprehur e hapur për hetimin e procedurës së tenderit dhe i cilësoi akuzat e PD-së si shpikje.

“E mirëpres padinë e PD dhe e inkurajoj SPAK që ta hetojë me përparësi këtë akuzë sepse sot qytetarët kanë shumë nevojë për qartësi. PD ka të drejtë kur thotë që do të ishte veçanërisht e ulët e kriminale nëse një ministër do të përfitonte nga pandemia për të bërë korrupsion. Por është po aq e ulët e imorale nëqoftëse opozita e një vendi në kohë lufte, jo vetëm s’kontribuon në përpjekjen e përbashkët për të mundur armikun e për të shpëtuar jetë, por vazhdon me shpikje të modelit Babale…!”, shkruan ndër të tjera Xhaçka.

PD denoncoi publikisht në vazhdimësi edhe tendera të tjerë të zhvilluar nga Ministria e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale dhe nga Ministria e Drejtësisë. Ish-deputeti i Partisë Demokratike, Enkelejd Alibeaj, gjatë një deklarate për mediat më 6 prill e akuzoi qeverinë shqiptare se ka përdorur situatën e epidemisë për të fshehur paratë që ka shpenzuar për të blerë disa pajisje mjekësore.

“Ministria e Shëndetësisë ka klasifikuar si sekret shtetëror 4 tendera të kryer me urgjencë për blerjen e këtyre pajisjeve. Në datën 21 mars dhe 3 prill, Ministria e Shëndetësisë ka kërkuar që me tender sekret 24 orësh të furnizohet me mjete mbrojtëse për stafet shëndetësore; të blejë kite për laboratorin e QSUT-së; të trajtojë mbetjet spitalore të pacientëve me COVID-19 dhe të blejë respiratorë për të rritur dhe fëmijë”, deklaroi atëherë Alibeaj.

Edhe ministrja e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale, Ogerta Manastirliu i quajti shpifje akuzat e PD-së gjatë një interviste për televizionin Ora Neës më datë 8 prill. “…Këto akuza jo vetëm që janë të panevojshme sepse janë totalisht në vazhdën e shpifjeve të radhës për hedhur baltë dhe për të dëmtuar punën e institucioneve”, deklaroi atëherë Manastirliu duke shtuar se do të fliste për procedurat e prokurirmeve pasi prokuroria të kishte kryer hetimin.

Në një konferencë tjetër për shtyp, Alibeaj akuzoi Ministrisë e Drejtësisë se kishte kryer pa transparencë një tender “sekret” për pajisje kundër COVID-19. PD akuzon qeverinë se, gjatë muajve të pandemisë, ka kryer tendera të cilat nuk janë transparente dhe se fituesit janë favorizuar pasi shpallur pa garë, ashtu si e parashikon legjislacioni përkatës./reporter.al

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb