Ish-deputeti i PS Alqi Bllako i akuzuar për korrupsion pasiv për çështjen e inceneratorit të Tiranës pritet të lërë qelinë.

Trupa gjykuese e kryesuar nga Rudina Palloj vendosi ta shpallë Bllakon fajtor për korrupsion pasiv për përfitim të 119 mijë eurosh, dhe përfitim për 7 milion lekë, duke e dënuar me 4 vite burg, që në gjykim të shkurtuar shkojnë në 2 vite e 8 muaj burg.

Por GJKKO ka vendosur lirimin e Bllakos pasi është vendosur shuarja e masës së sigurimit “arrest në burg” dhe është urdhëruar lirimi i tij nëse nuk ka masë tjetër.

Kjo pasi masa e paraburgimit është më e madhe se masa e dënimit për Bllakon.

Më 11 mars, Bllako u dënua me 4 vite burg nga GJKKO për korrupsion pasiv të zyrtarëve të lartë në dy raste, dhe për shkak të gjykimit të shkurtuar do të vuante 2 vite e 8 muaj burg. Por Apeli urdhëroi rigjykimin e çështjes me një trupë tjetër gjykuese.

Sipas SPAK, Bllako ka përfituar në mënyrë të tërthortë shumën prej rreth 120 mijë eurosh nga Klodian Zoto dhe Mirel Mërtiri, pronarët de facto të shoqërisë koncesionare, për blerjen e një pajisjeje për aktivitetin tregtar të babait të tij, një fabrikë birre në Ersekë.

Gjithashtu, Bllako i ka propozuar Vladimir Bezhanit të vazhdonte detyrën si këshilltar i jashtëm i ministrit të Mjedisit, Lefter Koka dhe të ndihmonte me konsulencë juridike gjatë kohës kur kishte lindur idea e projektit të zhvillimit të procedurës së dhënies së koncesionit. Për shërbimin e Bezhanit si këshilltar i jashtëm i ministrit të Mjedisit, Bllako akuzohet se i ka kërkuar Klodian Zotos që ta punësonte fiktivisht Bezhanin për të siguruar një pagë prej 7. 5 milionë lekësh të reja.

Sipas SPAK, gjatë kohës që Bezhani ishte këshilltar i Kokës, ka mbajtur kontakte me Klodian Zoton sipas orientimit të Alqi Bllakos duke i siguruar të dhëna të marra nga Autoriteti Kontraktor.

Alqi Bllako është dënuar më herët me vendim të formës së prerë edhe për inceneratorin e Elbasanit me 2 vite e 8 muaj burg, ndërsa për inceneratorin e Fierit çështja është rikthyer për rigjykim nga Apeli në Shkallë të Parë.

© BalkanWeb
Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb