Gjykata e Tiranës ka liruar nga burgu dhe ka dërguar në arrest shtëpie Denis Demirin i dënuar më herët me 25 vite burgim për vrasjen e biznesmenit Memli Begalla. Gazetarja Klodiana Lala raportoi për “BalkanWeb” se Demiri do të qëndrojë nën mbikëqyrje policore.

Vendimi për ndryshimin e masës vjen pasi Apeli e ktheu dosjen për rigjykim në Shkallë të Parë për shkelje procedurale. Avokati Sokol Tahiraj iu drejtua gjykatës me kërkesën për shuarje mase për Demirin pasi i kanë skaduar afatet tërësore të paraburgimit.

Denis Demiri është dënuar me 25 vjet burg për vrasje me paramendim në Shkallë të Parë. Sipas të dhënave në dosje rezultonte nga pamjet e kamerave të sigurisë se është gjendur në praninë e Ardian Serezit dhe personave të tjerë dhe prokuroria tha se përmes këtyre pamjeve filmike dhe qelizave telefonike se Demiri ishte përgjegjës për vrasjen e biznesmenit Begalla.

Ndërsa Serezi arriti t’ia hidhte drejtësisë në Shkallën e Parë duke treguar një video ku shfaqej në një xhami në zonën e Kombinatit duke u falur në kohën e vrasjes. Duke pasur problematika sa i përket provave në rastin e Serezit, gjykata vendosi ta kthejë dosjen në prokurori dhe jo ta pushojë çështjen dhe në këto kushte ai fitoi lirinë.

Gjykata e Apelit të Tiranës ka prishur vendimin e Gjykatë së Shkallës së Parë dhe ka vendosur të kthejë për rigjykim dosjen ndaj dy të pandehurve të dyshuar për vrasjen e biznesmenit Memli Begalla në vitin 2018 në zonën e ish-Bllokut.
Për këtë argument Apeli urdhëron Shkallën e Parë të rigjykojë çështjen në muajin shtator, me një tjetër trupë gjykuese të paanshme dhe profesionale.

Whatsapp Image 2021 08 06 At 22.32.14
Whatsapp Image 2021 08 06 At 22.32.14

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb