Klubi i Futbollit Partizani pasi është njohur me vendimet e sotme nga komisioni i disiplinës pranë Federatës Shqiptare të Futbollit në lidhje me incidentet e ndodhura në takimin Tirana – Partizani të vlefshëm për javën e gjashtë të kampionatit kombëtar të futbollit, shpreh keqardhjen dhe mosaprovimin për standartet e ndëshkimit të dhëna veçanërisht ndaj klubit tonë. E ritheksojmë se dënojmë me forcë çdo akt antisportiv që ndodh në stadiume dhe vijojmë iniciativat tona nëpërmjet politikave të klubit për të eliminuar dhunën në aktivitetet sportive. Tifozeria e kuqe nuk e meriton kurrsesi një trajtim të tillë, që i rezervohet edhe në këtë sezon të ri futbollistik, pasi mbetet një ndër tifozeritë më korrekte, jo vetëm në atmosferën që krijon gjatë ndeshjeve, por edhe në mesazhet që përcjell duke i shndërruar ndeshjet në festa të vërteta sportive. Saktësojmë se jemi kundër ndëshkimeve në masë që vijojnë të merren edhe në vendimin e sotëm për mbylljen e stadiumeve për të gjithë publikun. Mbyllja e stadiumeve nuk është aspak zgjidhja e problemit, pasi futbolli si çdo sport tjetër luhet për publikun e sportdashësit. Për më tepër duke qenë sporti më popullor në botë dhe natyrisht ai me i ndjekuri në Shqipëri, FSHF dhe klubet duhet të bashkërendojnë punën për të bërë të mundur vazhdimësinë e spektaklit sportiv. Klubi i Partizanit, kampion i vendit, ka bërë përpjekje te vazhdueshme për të rritur cilësinë, përpos kostove, duke synuar dhe rritjen e shikueshmërisë, si një mjet për të garantuar një rritje të qëndrueshme. Mbyllja e stadiumeve është një dënim kolektiv që vetëm largon sportdashësit nga stadiumet duke krijuar kosto shtesë që kërkojnë sforco akoma më të mëdha për ti rekuperuar dhe dënojnë pa të drejtë pjesën më të shëndoshë të ndjekësve të sportit më të bukur në botë. Ne kërkojmë të evidentohen individët që shkaktojnë dhunën në ndeshje dhe jo të penalizohet një tifozeri e tërë, pjesë e së cilës janë edhe fëmijë, femra dhe familjarë. Në vazhdim, shprehim keqardhjen tonë për proporcionalitetin e dënimit, pasi ndonëse mysafir, çuditërisht klubi ynë është ndëshkuar të luajë dy ndeshjet e radhës pa praninë e publikut. Për më tepër Partizani është bërë subjekt i disiplinës, pasi ka zhvilluar takimin e kupës ndaj Vorës, fakt i cili na heq të drejtën për të shlyer një pjesë të dënimit në kompeticionin e Kupës. Këto dënime, janë tregues dhe një tjetër paralajmërim, se ato pak tifoz të prirur për akte dhune, ndëshkojnë të gjithë sportdashësit e tjerë. Jemi përballë një standardi të Komisionit të Disiplinës, ku gabimi individual masivizohet në përgjegjësi. Si rrjedhojë, të gjithë tifozët duhet të jenë të përgjegjshëm, si dhe Komisioni i Disiplinës duhet të heqë dorë nga “dënimet standart” dhe jo në proporcion, pasi të gjithë së bashku jemi për një futboll masiv dhe fair-play. Në mbyllje theksojmë se ne si klub jemi të gatshëm të bashkëpunojmë me të gjithë faktorët dhe klubet simotra në organizimin e ndeshjeve sa më korrekte, në evidentimin e problemeve dhe elementëve problematikë, si dhe në programe edukimi e sensibilizimi për një sport të shëndetshëm e edukues për të gjithë.
(BalknanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb