TIRANË- Gjykata e Tiranës ka refuzuar kërkesën e britanikut David Brown, i dënuar me 20 burg për pedofili, për rihapje të procesit. Sot Gjykata ka nxjerrë vendimin sipas të cilit, nuk do të ketë një proces të ri ku pala mbrojtëse kishte kërkuar marrjen në pyetje të 3 dëshmitarëve kyç, të cilët tashmë kanë ndërruar dëshmi.

David Brown ndodhet në burg prej 11 vitesh por tërheqja e dy minorenëve nga akuzat solli shpresë për bamirësin britanik se mund të lirohej.

Brown, tani 66 vjeç, nga Edinburgh, Skoci u dënua me 20 vite pasi dy djem, rezidentë në një qendër që e kishte ngritur britaniku për fëmijët me probleme, dëshmuan kundër tij.

Por, tani ‘viktimat’ në moshë 18 dhe 22-vjeçare kanë thënë se ata kanë gënjyer pasi policia dhe psikologu i detyruan të bënin dëshmi të rreme.

Të dy paditësit thanë se janë të gatshëm të pranojnë se gënjyen fillimisht në gjykatë, një lëvizje e cila do të çonte në lirimin e Brown.

Në total, 10 djem dhanë dëshmi kundër të akuzuarve të tjerë si bashkëpunëtorë të Brown, Dino Christodoulou, 52 vjeç, tashmë një pedofil i dënuar dhe Robin Arnold, 63 vjeç.

Brown nuk e ka pranuar asnjëherë akuzën dhe ka deklaruar se është i pafajshëm.

I pari nga dy dëshmitarët që akuzoi Brown, Andon Qoshli, tani 22 vjeç, deklaroi pak ditë më parë për Mirror, se ai do të tërheqë padinë që dha në gjykatë kur ishte 13 vjeç.

“Psikologu dhe polici që hetonte çështjen më bënë presion të thosha se Davidi kishte abuzuar me mua. Ai nuk e ka bërë dhe më vjen keq që ai është në burg. Do doja ta shihja atë jashtë dhe ta përqafoja. David na mori nga rruga dhe na çoi në shkollë”, tha Andoni.

Edhe dëshmitari i dytë, Denis Aliu, sot 18 vjeç deklaron se ai ishte një 6-vjeçar i terrorizuar dhe ishte kërcënuar nga policia që të deklaronte se ishte abuzuar nga Brown.

Denisi, të cilin Brown e kishte hequr nga një jetë e tmerrshme në rrugët e zonës së Yzberishtit në Tiranë dhe e kishte çuar në shtëpinë e tij tha: “Davidi nuk duhet të jetë në burg. Isha i vogël në atë kohë dhe i thashë gjykatës se çfarë psikologu më porositi të thosha. Ajo më dha dhurata si top futbolli, ëmbëlsira, për të ngrënë dhe para, gjithçka për të më bërë të lumtur dhe që unë të mund t’i thosha gjykatës atë çfarë donin ata. Unë e thërrisja Davidin baba. E di që kam bërë një gabim të madh dhe dua të shkoj në gjykatë për ta rregulluar atë”.

Ai shtoi se u përgatit nga psikologu i shtetit para se të jepte dëshminë. Denisi shtoi: “Pak para se të jepja dëshminë, psikologu tha: ‘Shko dhe thuaj çfarë të mësova’”.

Brown erdhi në Shqipëri në vitin 2000 pasi iu bashkua në grupet humanitare skoceze që i erdhën në ndihmë refugjatëve kosovarë.

Ai u erdhi në ndihmë fëmijëve romë që lypnin në rrugë duke i siguruar ushqime dhe të holla.

Një vit më pas, me mbështetjen e kishave në Shqipëri dhe në Mbretërinë e Bashkuar ai hapi një jetimore ku strehoi fëmijët me probleme dhe u jepte mësime bible.

Në gjyqin kundër tij, disa të rinj dëshmuan në mbrojtje të tij. Brown ka punuar me fëmijët për 35 vite në Skoci. Ai pranoi se ishte treguar naiv duke mos kontrolluar të kaluarën e të gjithë vullnetarëve që kishte marrë për të ndihmuar fëmijët.

Pas u dha vendimi mbi abuzimin në vitin 2006, policia shqiptare dhe shërbimet sociale bastisën jetimoren dhe Brown u arrestua. Dhjetë djem, të moshës ndërmjet 4 dhe 13 vjeç, i thanë policisë se ishin abuzuar seksualisht nga një ose tre britanikë, të cilët ishin akuzuar për “marrëdhënie homoseksuale me të mitur”.

Brown, i cili ndodhet në burg që nga viti 2006, ka ankimuar dënimin më parë në Gjykatën e Lartë të Shqipërisë, por kërkesa e tij u refuzua.

(m.k/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb