TIRANE– Këshilli i Lartë i Drejtësisë ka shkarkuar nga detyra gjatë mbledhjes së sotme gjyqtarët Ibrahim Hoxha dhe Shyqyri Çobo.

Ibrahim Hoxha është gjyqtar në Gjykatën e Tiranës, i cili u dënua për korrupsion, ndërsa Shyqyri Çobo gjyqtar në Berat, i cili u dënua për ngacmim seksual.

Gjykata e Krimeve të Rënda vendosi dënimin me 2 vite burg për gjyqtarin e Beratit, Shyqyri Cobo, pasi kërkoi favore seksuale një gruaje për një çështje gjyqësore, por Gjykata e ka konvertuar dënimin e tij në shërbim prove me 18 muaj, ndërsa i është hequr e drejta për të ushtruar funksion për 5 vite.

Shyqyri Çobo akuzohet për konsumimin e veprës penale të “Korrupsionit pasiv të gjyqtarit” në formën e kërkimit të favoreve seksuale. Gjyqtari U kallëzua nga një grua nga Berati palë në një proces civil divorci, ku gjyqtar i çështjes ishte Shyqyri Çobo.

Pasi i ka premtuar avokat, gjyqtari ka kërkuar miqësi duke i telefonuar dhe dërguar shpesh sms shtetases I.T për krijimin e një lidhjeje intime. E friksuar për faktin se refuzimi i prerë nga ana e saj do të sillte si pasojë humbjen në procesin gjyqësor ku ishte palë gruaja bëri denoncimin.

Sipas prokurorisë gjyqtari Çobo kishte kryer mbi 300 telefonata në drejtim të kallëzueses, si edhe një numër të lartë mesazhesh me tekst për një periudhë 3 mujore.

Ndërkohë, gjyqtari Ibrahim Hoxha u dënua nga Gjykata e Krimeve të Rënda me 2 vite burg, por Gjykata e Apelit pezulloi dënimin muajin e kaluar duke e vendosur në shërbim prove. Gjykata e Apelit ka pezulluar dënimin dhe ka vendosur në shërbim prove ish- gjyqtarin e Tiranës. Ibrahim Hoxha u dënua më 2 vite burg nga Gjykata e Krimeve të Rënda, pasi akuzohej se mori 600 mijë lekë për të ndryshuar një vendim gjyqësor.

Hoxha kishte rënë në kontakt me një palë në konflikt gjyqësor për një pronë dhe u kishte premtuar të mbante anën e tyre. Gjyqi do të zhvillohej më 3 maj të vitit 2016. Hoxhës gjithashtu i është hequr për 5 vite e drejta për funksione publike.

Ibrahim Hoxha u arrestua mbrëmjen e 2 majit nën akuzën korrupsion aktiv e pasiv. Djali i tij, Ledion Hoxha, po merrte ryshfet rreth 6 milionë lekë për një vendim për një ndryshim trashëgimie në momentin kur është ndaluar.

Gjyqtari Ibrahim Hoxha, i cili do të ndikonte në vendimin për çështjen e pronësisë e priste jashtë ambienteve të lokalit. Në dosjen e akuzës thuhet se gjyqtari po bënte gati vendimin për prishjen e vendimit të trashëgimisë në favor të Dritan Jazenxhiut, i cili ishte në gjyq me të motrën për prona të trashëguara nga e ëma.

(d.d/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb