“Pandemia është duke u përshpejtuar”. Kështu ka deklaruar Drejtori i Përgjithshëm i OBSH-së Tedros Adhanom Ghebreyesus teksa ka dhënë shifrat e përhapjes së koronavirusit. “U deshën 67 ditë për të arritur në njëqind mijë infeksionet e para, njëmbëdhjetë ditë për 200 mijë dhe katër ditë për 300 mijë”, deklaroi ai.

Nga ana tjetër OKB bën thirrje për një armëpushim mbarëbotëror.

“Furia e koronavirusit tregon çmendurinë e luftës. Kjo është arsyeja pse unë kërkoj një armëpushim global dhe të menjëhershëm në të gjithë cepat e botës. Është koha për të ndaluar konfliktet e armatosura dhe të përqendrohemi në luftën e vërtetë të jetëve tona. Palëve në luftë iu them: tërhiquni nga armiqësitë”.

Ky është mesazhi i sekretarit të përgjithshëm të OKB, Antonio Guterres. “Të mos harrojmë se në vendet e shkatërruara nga lufta, sistemet shëndetësore janë shembur”, shtoi ai.

Duke folur në një konferencë në internet për gazetarët, ai tha se ne nuk jemi të burgosur nga statistikat. “Ne nuk jemi kalimtarë të pafuqishëm. Mund të ndryshojmë trajektoren e kësaj pandemie”, u shpreh ai.

Ghebreyesus bëri thirrje për angazhim politik global për të ndryshuar trajektoren e pandemisë, duke i nxitur vendet të marrin masa mbrojtëse dhe sulmuese.

“Kërkesa që njerëzit të qëndrojnë në shtëpi dhe masa të tjera për distancimin shoqëror janë një mënyrë e rëndësishme për të ngadalësuar përhapjen e virusit dhe blerjen e kohës, por ato janë masa mbrojtëse. Për të fituar ne duhet të sulmojmë virusin me taktika agresive dhe të shënjestruara – duke testuar çdo rast të dyshuar, duke izoluar dhe kujdesur për çdo rast të konfirmuar dhe gjurmimin dhe karantinimin e çdo kontakti të ngushtë”, deklaroi Tedros Adhanom Ghebreyesus.

(m.k/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb