Është ekzekutuar sot vendimi i Gjykatës së Elbasanit për punonjësin e policisë së Gramshit Ilir Braçe, i cili akuzohet për shpërdorim detyre.

Në njoftim bëhet me dije se ky person dekonspironte kolegët dhe njoftonte personat që merreshin me prerja të paligjshme të lëndës drusore, që të merrnin masa për të shmangur kontrollin nga blutë.

Njoftimi: 

Drejtoria Rajonale e Agjencisë së Mbikëqyrjes Policore Elbasan-Korçë ka ekzekutuar sot vendimin e Gjykatës së Rrethit Gjyqësor Elbasan, e cila ka vendosur caktimin e masës së sigurimit personal “Pezullim i ushtrimit të një detyre a shërbimi publik” ndaj punonjësit të policisë Inspektor I. B., me detyrë Trupë Shërbimi në Komisariatin e Policisë Gramsh, i dyshuar për kryerjen e veprës penale “Shpërdorim detyre”.

Nga hetimet e kryera nga AMP, nën drejtimin e Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë Elbasan, rezulton se punonjësi i mësipërm ka qenë në dijeni të faktit të paligjshmërisë së shtetasve N. T. dhe Z. T., të cilët i ka orientuar që t’i shmangen kontrolleve të policisë duke spostuar shërbimet gjatë kohës që është në detyrë. Gjithashtu, ai i ka orientuar këto subjekte t’i fshehin automjetet e tyre me lëndë drusore të prerë në mënyrë të paligjshme gjatë operacioneve policore të kryera nga efektivët e tjerë të Komisariatit të Policisë Gramsh, duke dekonspiruar kolegët e tij gjatë kryerjes së detyrës.

Hetimet në lidhje me këtë procedim penal vazhdojnë për identifikimin e personave të tjerë të përfshirë në këtë paligjshmëri.

AMP mbetet e përkushtuar në misionin e saj për garantimin e zbatimit të ligjit dhe fton qytetarët të denoncojnë çdo rast të abuzimit apo shkeljes së ligjit nga ana e punonjësve të Policisë së Shtetit, duke telefonuar në numrin e gjelbër 0800 90 90.

(BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: