TIRANË

Sekretari organizativ i Partisë Demokratike, Sahit Dollapi është lënë i lirë nga policia. Gazetarja Dorjana Bezat raporton për “BalkanWeb”,  se  në orët e para të mëngjesit të sotëm, Policia është larguar nga ambientet e spitalit të Traumës.

Sekretari i selisë blu u shoqërua mbrëmjen e djeshme gjatë protestës së opozitës, ndërsa Policia ushtroi dhunë duke e goditur me shkopinj gome.

Ai u shoqërua dje para ambienteve të Parlamentit. Fillimisht Dollapit iu kërkua nga Policia të hiqte maskën kundra gaz , por refuzoi dhe në tentativë për t’i ikur policisë, u rrëzua në tokë. Ndalimi i Sahit Dollapit shkaktoi reagime të forta nga radhët e opozitës teksa, Lulzim Basha iu kërkoi protestuesve të shkojnë së bashku tek drejtoria e  Policisë së Tiranës për të kërkuar lirimin e tij.

Gjithashtu edhe kreu i shtetit Ilir Meta apeloi për qetësi mes palëve, ndërsa i kërkoi Policisë të heqë dorë nga dhuna dhe të lejojë që Sahit Dollapi të marrë ndihmën mjekësore në spital. Pas thirrjes së Metës, Sahit Dollapi u dërgua në Spitalin e Traumës dhe tashmë është lënë i lirë nga Policia, veprim i cili nuk dihet nëse është marrë në kushtet e presionit opozitar, për lirimin e sekretarit organizativ të PD, apo jo.

Sot në orën 11:00 pritet të  zhvillohet tjetër protestë para ambienteve të Drejtorisë së Policisë së Tiranës në lidhje më shoqërimin dhe dhunimin e sekretarit organizativ të PD-së, Sahit Dollapi. Raportohet se në tubimin e kësaj të diele së bashku me qytetarët pritet të jetë edhe kryetari i Partisë Demokratike, Lulzim Basha.

(n.m/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: