Bashkia e Tiranës do t’u shpërndajë rreth 2 mijë rrënjë ullinj familjeve që jetojnë pranë liqenit të Farkës, të cilat së bashku me pemët dekorative do të krijojnë kurorën e gjelbër të tij. Kryebashkiaku Erion Veliaj ishte sot pasdite në aksionin e radhës për mbjelljen e fidanëve të rinj në Parkun e Farkës, ku theksoi se bashkia po mban një tjetër premtim ndaj qytetarëve.

Veliaj Farke (4)

“Po i dhurojmë komunitetit dy mijë pemë ullinj, që do të thotë se respektojmë pronën e tyre, por po u japim edhe pemët që secili prej tyre të gjelbërojë pjesën kufitare të pronës me Liqenin e Farkës. Kështu kemi edhe një lloj bashkëpunimi, ku pjesa nga shëtitorja deri në liqen investohet nga bashkia, kurse nga shëtitorja e lart mbjellja e rrënjëve të ullirit u mbetet qytetarëve”, tha Veliaj. Ai deklaroi se Parku i Farkës po merr çdo ditë e më shumë formë, për t’u kthyer në një nga hapësirat më tërheqëse për qytetarët.

Veliaj Farke (3)
Veliaj tha se në këto 25 vjet kemi humbur shumë kohë me përçarje dhe vlerësoi se tashmë është momenti për të punuar.

“Më vjen mirë që Parku i Farkës po merr gjithmonë e më shumë jetë. Jam entuziast që edhe me aktivitetet që do të organizojmë këtu, zona fiton një tjetër status. Jemi sot në një situatë ku do na duhet të marrim disa vendime për vlerat tona si shqiptarë. Do mbjellim më shumë pemë apo do mbjellim më shumë sherre dhe përçarje? Mendoj se kemi humbur shumë kohë në këto 25 vjet duke u përçarë, duke mbjellë urrejtje, duke mbjellë sherr dhe tymnajë; ka ardhur koha të mbjellim më shumë pemë, që të punojmë më fort. Motoja e Bashkisë së Tiranës është puna sepse besoj se vetëm puna na nxjerr në dritë dhe puna na çon përpara”, tha ai.

Veliaj Farke (2)

Kryebashkiaku bëri të ditur se shumë shpejt Bashkia e Tiranës do të fillojë me projektin e Pyllit Orbital edhe buzë autostradave dhe unazave të Tiranës, për t’u siguruar që kryeqyteti do të ketë një kurorë të gjelbër prej 2 milionë pemësh, e cila do të shërbejë si mushkëri për kryeqytetin. “Do të shfrytëzojmë me punë edhe javët e fundit që na kanë mbetur të marsit dhe të prillit, ku mund të bëjmë mbjellje, pastaj për të rikuperuar pjesën e verës dhe vjeshtës, ku do të vazhdojmë me procesin e Pyllit Orbital”, tha Veliaj.

Në kuadër të nismave të ndërmarra nga bashkia për uljen e ndotjes, Veliaj deklaroi se do të vijojë puna për përmirësimin e transportit publik, si dhe për ndërtimin e dy unazave të reja.

Veliaj Farke (6)

“Sot konstatojmë me sukses se transporti publik po funksionon shumë më mirë, megjithatë jemi të hapur për çdo vërejtje që ta korrektojmë. Jemi në fillim të konceptimit të dy unazave të reja të Tiranës: Unazës së dytë dhe unazës së katërt. Besoj se shumë shpejt do të kemi një projekt të ndërtimit të dy unazave, për t’i dhënë më shumë qarkullim transportit në Tiranë, por sigurisht duke i dhënë përparësi autobusit, biçikletës dhe këmbësorëve. Ndërkohë, muajin tjetër presim të hapim pjesërisht Bulevardin e Ri dhe sigurisht të afrojmë fundin e investimit në sheshin “Skënderbej”, i cili sot ka përfunduar të gjitha proceset nëntokësore. Do të doja të ftoja qytetarët që tani në qendër të Tiranës do të ketë mjaftueshëm parkim për rreth 2 mijë makina”, tha Veliaj.

Veliaj Farke (1)

Duke falënderuar donatorët për mbështetjen që kanë dhënë, kreu i Bashkisë Veliaj deklaroi se Tirana do të jetë një nga qytetet më të gjelbra jo vetëm në Shqipëri, por edhe në rajon.

Veliaj Farke (2)

(m.k/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: