Publikohet historia e panjohur e Thanas Papës me origjinë nga fshati Paftal i Beratit, i cili pasi mbaroi Liceun Artistik “Jordan Misja” në Tiranë me rezultate të larta, duke qenë shok klase me emra të njohur si: Dhimitër Buda, Jorgji Gjinari, Shaban Hadëri, Kristaq Rama, Jakup Keraj, Gjinovefa Heba, Kujtim Spahivogli, etj., në vitin 1954 fitoi një bursë shtetërore dhe shkoi për të ndjekur studimet e larta pranë Institutit “REPIN” të Akademisë së Arteve të Bukura të Leningradit, të cilin e mbaroi me ‘Medalje ari”, duke realizuar si punë diplome. ‘Skënderbeu mbi kalë”, punë që u derdh në allçi dhe u mbajt në fondin e asaj akademie, si dhe kartolinë postare në Rusi.

Kthimi i Thanasit në Shqipëri dhe emërimi i tij në Institutin e Monumenteve të Kulturës pranë sektorit të Artit Mesjetar ku ngjiste poçet e thyera që zbulonin ekspeditat arkeologjike dhe divorci me gruan ruse, Valentina Cvetkova, e cila pas presioneve të shumta që i bënin bashkëshortit të saj, njerzit e Sigurimit të Shtetit dhe organet partiake e shtetërore, u detyrua që të nënshkruante divorcin dhe të kthehej në atdheun e saj, së bashku me vajzën e vogël dy vjeçare.

Peripecitë e shumta që e ndoqën Thanasin për shkak të hijes së ish-bashkëshortes së tij ruse, duke e dërguar për shumë vite si punëtor në prodhim, edhe pse ai ishte diplomuar me “Medalje ari’ në një në Leningrad, ku për disa kohë ishte i punësuar dhe si ndihmësa të tij kishte marrë, Sali Shijakun, Kristaq Ramën dhe Shaban Hadërin, i cili më pas ishte një nga bashkëautorët e monumentit të Skënderbeut që ndodhet edhe sot në qëndër të Tiranës.

“Në vitin 1966, pas letrës së hapur të Komitetit Qëndror të PPSH-së, më thirrën, dhe më thanë që të shkoja në Berat, ku do të punoja si punëtor në prodhim, e për këtë, më bënin presione nga më të ndryshmet, duke më përmendur gruan time ruse, Valentina Ivana Cvetkova, me të cilën u detyrova të divorcohesha, në vitin 1961, pas prishjes me Bashkimin Sovjetik. Unë, i kërkova një takim Nexhmije Hoxhës, por ajo ma preu shkurt, duke më thënë ‘Të shkosh në Berat, atje ku të kanë caktuar, se të gjithë nuk do të bëhemi skulptorë”. Njeriu që flet dhe dëshmon për Memorie.al, është Thanas Papa, i pari shqiptar, i diplomuar për skulpturë, në Institutin “Rjepin” të Akademisë së Arteve të Bukura, të Leningradit, dhe ndoshta ndër të vetmit student që u kthye me medalje ari në Shqipëri.

Kush është Thanas Papa, dhe cila është e kaluara e tij? Përse u la në hije, mjeshtri i madh, që kishte 28 skulptura të ekspozuara në vëndet publike të Bashkimit Sovjetik. Përse fituesi i shumë çmimeve, brënda dhe jashtë Shqipërisë, në vitin 1966, u dërgua të punonte si i dënuar në prodhim? Përse nuk e mbrojtën dot kolegët e tij, Kristaq Rama, Shaban Hadëri, dhe Sali Shijaku, të cilët në vitet ’50-të, kur Thanasi punonte në Institutin Shtetëror të Mbrojtjes së Monumenteve të Leningradit, i kishte marrë si ndihmësat e tij, duke i paguar me rrogë për punën që bënin?

  • foto galeri
  • foto galeri
  • foto galeri
  • foto galeri
  • foto galeri
  • foto galeri
  • foto galeri
  • foto galeri
  • foto galeri
  • foto galeri
  • foto galeri
  • foto galeri
  • foto galeri
  • foto galeri
  • foto galeri
  • foto galeri
  • foto galeri
  • foto galeri
  • foto galeri
  • foto galeri

Student në “Repin” të Leningradit

Thanasi u lind në vitin 1931, në fshatin Paftal të Beratit, prej nga është dhe origjina e familjes së tij. Babai i tij, kishte mbaruar “Normalen” e Elbasanit, dhe për disa kohë në fillim të viteve ’20-të, ishte zgjedhur sekretar i Shoqërisë ‘Bashkimi”, duke qënë një nga bashkëpuntorët më të ngushtë të Avni Rustemit. Thanasi, pasi mbaroi shkollën unike në Berat, në vitet 1945-’47-të, fitoi një bursë shtetërore dhe erdhi në Tiranë për të vazhduar Liceun Artistik. Në klasën e tij asokohe mësonin, Dhimitër Buda, Jorgji Gjinari, Kristaq Rama, Jakup Keraj, Shaban Hadëri, Gjinovefa Heba, Kujtim Spahivogli, etj., emra që më pas do të bëheshin artistë nga më të njohurit që kishte Shqipëria. Thanasi, ishte një ndër nxënësit më të talentuar të Liceut në degën e vizatimit, dhe nisur nga kjo, mësuesi Dhimitër Çani, që i jepte atë lëndë, insistoi, që Thanasi të vazhdonte më tej studimet e larta. Pas mbarimit të maturës, vetëm Thanasi dhe Jakup Keraj, mundën të fitonin nga një bursë shtetërore për të vazhduar studimet e larta në institutin “Rjepin” të Leningradit. Lidhur me këtë, Thanasi kujton: “Nga ne nxënësit e degës së vizatimit, Ministria e Arsimit na dha të drejtën për të vazhduar studimet e larta me bursë shtetërore në Bashkimin Sovjetik, vetëm mua dhe Jakup Kerajt. Pasi, plus lëndës së vizatimit, ku ne paraqiteshim më mirë, kishim dhe notat e tjera shumë më të mira se shokët.

Kështu në vitin 1954, udhëtuam në Bashkimin Sovjetik, për të filluar studimet në institutin “Rjepin” të Akademisë së Arteve të Bukura të Leningradit, sot (Shën Petersburg) i cili ishte krijuar 220 vjet më parë. Në atë institut, unë studiova për 6 vjet, dhe në vitin e fundit, kur erdhi koha për mbrojtjen e diplomës, unë zgjodha për të punuar ‘Skëndërbeun mbi kalë’. Pasi e paraqita projekt-diplomën, skulptori i famshëm, Manizer, që ishte zv/Presidenti i Akademisë, dhe kryetari i komisionit të vlerësimit të diplomave, tha: ‘Ajo që kërkon të bëjë Thanasi, është jashtë të gjitha mundësive të një studenti’. Por unë, ngula këmbë se do ta realizoja atë, dhe kështu m’u aprovua. Punën e realizimit të ‘Skëndërbeut mbi kalë’, që kishte një lartësi mbi dy metra, e fillova në muajin tetor të vitit 1956, dhe e përfundova në qershorin e vitit 1957, duke punuar 12 deri 14 orë në ditë. Në qershor u bë mbrojtja e diplomave, dhe kryetar i komisionit ishte skulptori i famshëm Tomskij, i cili kishte realizuar bustin e Stalinit në Tiranë. Vlerësimi i punës sime ishte maksimal, dhe komisioni foli me superlative duke e konsideruar atë si punë të shkëlqyer. Ai mori vendimin që ajo punë, të derdhej në bronz, por ajo nuk u arrit të bëhej, pasi ishin harxhuar të gjitha fondet e Akademisë, sepse atë vit ishin festimet e përvjetorit të Revolucionit të Tetorit. Pas kësaj, ‘Skëndërbeu’, u derdh në allçi në dy kopje”, kujton Thanasi, mbrojtjen e diplomës në Institutin “Rjepin”.

Fiton ‘Medalje ari’

Për të asistuar në mbrojtjen e diplomës së Thanasit, kishin shkuar shumë nxënës dhe pedagogë rusë, kurse aty mungonin shokët e tij shqiptarë dhe punonjësit e ambasadës, ndonëse ishin lajmëruar se: Thanas Papa do të merrte medaljen e arit për punën e shkëlqyer që kishte bërë. Lidhur me këtë, Thanasi kujton: “Bashkë me mua, u vlerësua me medalje ari edhe studeni rus, Jevgeni Nikollaeviç, dhe në atë akademi 220 vjeçare, kishte plot dhjetë vjet që nuk ishte dhënë asnjë medalje ari. Gjatë ceremonisë, skulptori i famshëm Kerbel tha, ‘Unë nuk kam ardhur rastësisht këtu në këtë mbrojtje diploma, me këto dy lulëkuqe që simbolizojnë dy vëndet mike, Shqipërinë dhe Bashkimin Sovjetik’. Më pas monumenti i Skëndërbeut, u ekspozua në galerinë e artisëtve të rinj, në ekspozitën e përgjithshme të Bashkimit të Republikave Socialiste Sovjetike. Gjithashtu ajo u ekspozua dhe në Galerinë e Moskës në vitin 1957, me rastin e Festivalit Botëror të Rinisë. Përveç këtyre ekspozimeve, ai monument u bë kartolinë dhe u shpërnda në të gjithë Rusinë, kurse një kopje e asaj, u derdh në allçi dhe u soll në Tiranë”, kujton Thanasi, për vlerësimin e madh që iu bë monumentit të Skëndërbeut që ai e kishte realizuar si punë diplome. Por gjatë viteve që Thanasi ishte student në atë akademi, ai paralelisht vazhdonte dhe një institut tjetër, dhe lidhur me këtë ai dëshmon: “Kur isha në vitin e dytë të fakultetit, me insistimin e një pedagogu rus, u regjistrova në Institutin e Mbrojtjes dhe Restaurimit të Monumenteve të Kulturës. Gjatë asaj kohe që studioja aty, më dhanë për të punuar disa punë në perieri të Leningradit, në një godinë aristokrate, të cilën e kishte marrë përsipër që ta restauronte Inspektoriati Shtetëror për Mbrojtjen e Monumenteve të Kulturës së Leningradit, në bashkëpunim me shkollën ku studioja unë. Aty, unë u mora me restaurimin e disa luanëve që ishin në porat kryesore të asaj godine. Dhe për të më ndihmuar, merrja Shaban Hadërin, Sali Shijakun, e Kristaq Ramën, të cilët i paguaja rregullisht, pasi unë merrja një pagë të kënaqshme për katër vjet që punova aty”, kujton Thanasi, lidhur me restaurimin e këtyre Monumenteve, dhe fakultetin e dytë që ndoqi.

Në Shqipëri, ngjit poçet e thyera

Pak kohë para se Thanasi të mbronte diplomën e dytë, ai u martua me një vajzë ruse, të quajtur Valentina Ivana Cvektova, e cila u diplomua për Gjuhët e Lindjes, dhe bashkë me të, erdhi në Shqipëri. Lidhur me ardhjen në Tiranë dhe “vlerësimin” që i’u bë diplomës së tij, Thanasi kujton: “Kur erdha në Tiranë, takova zv /Ministrin e Arsimit, Pipi Mitrojorgjin, i cili më tha se nuk kishte vënde pune për skulptor, dhe unë u dërgova për të punuar në Universitetin e Tiranës, pranë Muzeut Arkeologjik, në sektorin e Artit Mesjetar. Aty, unë bëja një punë fare të rëndomta, duke ngjitur poçet e thyera, që gjëndeshin në ekspeditat e ndryshme arkeologjike. Nisur nga kjo, pas katër vjetësh, në prillin e vitit 1960, e braktisa atë punë në shenjë proteste, pasi doja të punoja në profesionin tim, ku kisha shumë porosi, dhe kisha mundësi të nxirrja rrogën time. Rektorati i Universitetit, u revoltua shumë nga veprimi im, dhe më hodhi në gjyq për braktisjen e punës, dhe duke më regjistruar në një iventar të imët të gjitha plaçkat e mia, pasi u vendos që unë duhet të paguaja të gjithë bursën shtetërore që kisha marrë për 7 vjet. Ky vendim më pas u pezullua, dhe më dërguan si pedagog në Liceun Artistik “Jordan Misja”. Me prishjen e marrëdhënieve zyrtare të Shqipërisë me Bashkimin Sovjetik, në dhjetorin e vitit 1961, pas shumë presionesh që më bënin, duke më thirrur çdo javë në Drejtorinë e Punëve të Brëndshme të Tiranës, më detyruan ë të divorcohesha nga gruaja ime, Valentina Cvetkova, që punonte si mësuese e gjuhës ruse, dhe me të cilën kisha dhe një vajzë, 2 vjeçe. Ngaqë rrija tepër i mërzitur, nga ndarja me Valentinën, Sigurimi i Shtetit më survejonte rregullisht. Këtë gjë, fillimisht e mësova nga shoku im i ngushtë Guri Madhi, i cili kishte një vëlla në organet e larta drejtuese të Sigurimit të Shtetit në Tiranë, dhe një tjetër në Komitetin Qëndror. Më kujtohet se aty nga dhjetori i vitit 1962, kur, Guri erdhi në studion time, dhe pasi pimë një shishe vere, ai më tha: ‘Thanas, mbyll gojën, që nga ky moment, ti nuk do të flasësh, nuk do të dëgjosh, dhe nuk do të shikosh’. Po të mos më kishte thënë ato fjalë Guri, unë do të kisha përfunduar burgjeve, sepse pas asaj filluan të më diskretitonin nëpër mbledhje të ndryshme, si në qëndrën e punës, në lagje etj., për të vetmen gjë që kisha pasur gruan ruse”, kujton Thanasi, për peripecitë e tij në Shqipëri.

Nexhmija Hoxha: shko në prodhim

Peripecitë e Thanas Papës nuk përfunduan edhe pas ndarjes nga gruaja e tij ruse, por hija e saj do ta ndiqte pas për shumë vjet me rradhë. Për këtë gjë, ai dëshmon: “Mbas letrës së hapur të Komitetit Qëndror të PPSH-së, në 1966-ën, mua më thirrën dhe më thanë që të shkoja në Berat, për të punuar si puntor në prodhim. Unë natyrisht, nuk kisha dëshirë që të largohesha nga Tirana, dhe për më tepër nga profesioni im. Për këtë i kërkova takim Nexhmije Hoxhës që asokohe mbulonte artin e kulturën, dhe i thashë që të rishikohej mundësia që të unë të punoja në profesionin tim të skulptorit. Ajo ma preu shkurt duke më thënë: ‘Të shkosh në Berat, atje ku të kanë caktuar, sepse të gjithë nuk do të bëhemi skulptorë’. Pas kësaj, unë përsëri nuk pranova që të shkoja në Berat, dhe në vëndin tim atje dërguan, shkrimtarin Fatmir Gjata. Për këtë refuzim që bëra, më dërguan si puntor në fonderinë e Uzinës “Dinamo” në Tiranë, ku punova për pesë vjet, deri në 1971-in. Në këtë vit, më caktuan që të organizoja nga ana teknologjike, Fonderinë për Derdhjen e Monumenteve, në të cilën punova edhe pesë vjet të tjera, deri në 1975-ën. Atje, çdo gjë e nisa nga e para, duke i kursyer shtetit, miliona lekë me derdhjen në vënd, pasi më pare, ky proçes pune bëhej jashtë vëndit. Pas vitit 1975, më dërguan në Liceun Artistik “Jordan Misja”, ku dhashë mësim deri në vitin 1990-të, deri sa dola në pension”, kujton Thanasi, vitet e gjata të punës në prodhim, larg profesionit të tij, që ishte nderuar me ‘Medalje ari’ në Leningrad.

Fitues i çmimeve ndërkombëtare

Edhe pse Thansi u detyrua dhjetë vjet që të punonte në prodhim, megjithë sulmet e padrejta, ai nuk e lëshoi kurrë daltën nga dora, por vazhdoi që të punonte në heshtje në studion e tij. Ai, ka marrë pjesë në të gjitha Ekspozitat Kombëtare që janë organizuar para viteve ’90-të, duke fituar dy çmime të para, katër të dyta, dhe një të tretë. Gjatë karrierës së tij artistike, ka realizuar mbi 200 punime, nga të cilat 140 janë të njohura, dhe të regjistruara në Sektorin e Studimeve në Galerinë Kombëtare të Arteve. Po kjo galeri në fondin e saj ka 6 skulptura të Thanasit, ndërsa 10 të tjera, janë të vendosura në muzeume të rretheve, kurse 38 bazorelievë dhe statuja, janë të vendosura në pjesë të ndryshme të vëndit. Po kështu, Thanasi ka marrë pjesë me punimet e tij edhe në ekspozita ndërkombëtare, si: në Moske, Bukuresht, Sofje, dhe Aleksandri, ku fitoi dhe çmimin e tretë me monumentin “Zgjimi i Afrikës”. Për këtë çmim shtypi ndërkombëtar e ngriti në majë, për profesionalizmin e tij. Ndonëse Thanasi, ka 28 skulptura në vëndet e ish Bashkimit Sovjetik, si dhe i vlerësuar si një nga mjeshtrit më të mëdhenj të skulpturës shqiptare, ai u përndoq, u godit, dhe u la në hije, për arsyen e martesës me gruan e tij ruse, Valentina, të cilën mundi ta rishihte dhe ta takonte në vitin 1991, së bashku me vajzën e tyre, tashmë 30 vjeçare. Shkak për këtë gjë u bë bashkëshortja e dytë e Thanasit, arkitektja e njohur, Shpresa Papa, e cilë të gjitha kursimet që ata i kishin mbledhur me mund e sakrifica që nga fillimi i viteve ’80-të kur u martuan dhe krijuan familje, ia dha Thanasit dhe e nxiti që ai të shkonte në Moskë për të takuar Valentinën dhe vajzën, me të cilat ishte ndarë përdhunshëm nga regjimi komunist, plot 30 vite më parë. Tashmë në moshën 90-vjeçare dhe me një jetë plot privacione, Thanas Papa së bashku me Shpresën ndjekin me kënaqësi punët e dalit të tyre, Besit, gjithashtu një nga skulptorët më të talemtuar të brezit të ri ta pas viteve ’90-të (i diplomuar në Akademinë e Arteve të Bukura në Tiranë), si dhe vajzës së tyre, arkitekte./Memorie.al

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb