Zyra e Kryeimamit të Bosnje-Hercegovinës është distancuar nga deklaratat kontraverse të imamit të një xhamie në Sarajevë, të cilat kanë nxitur zemërim në rrjetet sociale.

Përmes një postimi në rrjetin social, Facebook, imami, Muhamed Veliq ka mirëpritur anulimin e një parade të komunitetit LGBT (homoseksual, lesbike, biseksual dhe transgjinor), në Sarajavë për shkak të pandemisë me koronavirus.

Parada ishte planifikuar të mbahej më 23 gusht.
“Në çdo fatkeqësi dhe tragjedi ka edhe një copë lumturie, mirësie dhe bukurie”, ka shkruar imami Veliq, duke nxitur kritika të shumta.

Mirëpo Zyra e Kryeimamit në këtë shtet i ka thënë Radios Evropa e Lirë më 10 gusht se deklaratat e imamit nuk reflektojnë pozicionin e komunitetit islamik në Bosnje.

“Ky është qëndrimi i tij personal, jo qëndrimi i gjithë komunitetit islamik”, ka thënë Muhamed Jusiq, këshilltar i Kryeimamit.

Veliq në anën tjetër ka mbrojtur deklaratat e tij për Radion Evropa e Lirë, duke thënë se “nuk ka përhapur gjuhë të urrejtjes” dhe se ka të drejtë të shprehë mendimin e tij.

Kryeqyteti i Bosnje-Hercegovinës ka mbajtur paradën e parë të krenarisë së komunitetit LGBT më 8 shtator të vitit 2019.
Dhjetëra përcjellës të një grupi konservativ islamik patën protestuar kundër këtij organizimi, duke e përshkruar marshin si “mëkat” për Sarajevën.

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb