Pasi mësuan lajmin e kobshëm për vdekjen e vajzës së tyre, Brunilda Sadushi, e cila u gjet dje e vrarë dhe e djegur në një pyll të Francës, familjarët nga Berati apelojnë për ndihmë.

Fatime Kovaçi, 56-vjeçe, nëna e Brunildës, tregon mes lotësh se si e mësoi lajmin e hidhur. Ajo tregon se ishte një telefonatë që i erdhi në mbrëmje nga bashkëjetuesi i vajzës, njëkohësisht edhe babai i djalit 3-vjeçar Leonardos, i cili i tha se vajza është gjetur e vdekur dhe se familja duhet të shkojë për të tërhequr kufomën brenda një jave, pasi në të kundërt shteti francez e varros atje.

Fatimeja tregon se Brunilda kishte shkuar në Francë 4 vite më parë dhe jetonte atje me një shtetas shqiptar, me të cilin në Francë ka lindur edhe një djalë. Djali, Leonardoja që është 3-vjeç, aktualisht pas vdekjes së Brunën, ndodhet nën kujdesin e shtetit francez, sepse i ati i tij jeton në Tiranë dhe nuk mund të shkojë dot për të marrë djalin në Francë, pasi në atë shtet ka “ekspuls”.

Fatimeja tregon se, Brunilda i merrte rregullisht në telefon dhe shpesh herë u dërgonte lekë për t’u ushqyer, pasi familja e saj jeton në kushte të vështira ekonomike. Nëna e Brunildës i bën apel shtetit ta ndihmojë për të sjellë në Berat trupin e vajzës së vdekur dhe djalin e saj 3-vjeçar Leonardon.

“Ne jetojmë 11 persona me një pension 160 mijë lekë (të vjetra) dhe mezi ushqehemi. Në këto kushte të mjerueshme unë i bej apel shtetit të më sjellë trupin e vajzës dhe djalin e saj”, shprehet nëna Fatime Kovaçi. Ajo tregon se Brunilda ka lënë pas edhe 2 fëmijë të tjerë, njërin 20-vjeç dhe tjetrin 14-vjeç,të cilët i ka nga martesa që ka kryer në moshën 13-vjeçare në Berat dhe që, pas largimit të Brunildës në Francë, jetojnë me të.

Apel shtetit për kthimin e trupit të pajetë të Brunës dhe ardhjen në Shqipëri të djalit të saj, i bën edhe gjyshja e Brunildës,75-vjeçarja Xhevrije Aliu, e cila e ka rritur vetë.

Me sytë nga shteti dhe me shpresë, familja Kovaçi, në lagjen “Donika Kastrioti”, ka hapur dyert e mortit, edhe pse ende nuk e ka para syve trupin e pajetë të vajzës, për ta qarë e për ta përcjellë për në banesën e saj të fundit.

  • foto galeri
  • foto galeri
  • foto galeri
  • foto galeri
  • foto galeri
  • foto galeri
  • foto galeri
  • foto galeri
  • foto galeri
  • foto galeri

(BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb