TIRANË- Gati 3 muaj pas vrasjes dhe gjetjes së kufomës së Vasil Bibës në Dajt, policia zbardh ngjarjen dhe identifikon autorin.

Policia e Tiranës në bashkëpunim të ngushtë me Prokurorinë e Rrethit Gjyqësor Tiranë, pas një pune intensive disa mujore dokumentoi me prova ligjore dhe identifikoi autorin e dyshuar të vrasjes së shtetasit Vasil Biba.

Ngjarja e rëndë kriminale ka ndodhur në datë 14 shkurt 2016. Shtetasi Vasil Biba u gjet i vrarë me dy plumba në kokë dhe i groposur në vendin e quajtur “Zabel”, në territorin e Komunës së Dajtit.

Autori i kësaj ngjarje dyshohet të jetë shtetasi Bledar Mneri, lindur dhe banues në Tiranë, i dënuar më parë për veprën penale të vrasjes së kryer në bashkëpunim, të punonjësit të Policisë së Shtetit A.M., ndodhur në vitin 1997.

Autori i dyshuar është gjithashtu një person me precedentë penalë në fushën e trafikut të lëndëve narkotike.

Mneri u shpall në kërkim nga Policia pasi Gjykata e Shkallës së Parë Tiranë, për këtë shtetas ka vendosur në mungesë masën e sigurimit personal “Arrest në burg”.

Nga hetimet e koordinuara të Policisë dhe Prokurorisë, dyshohet se motivi i kësaj vrasjeje ka qenë mashtrimi në fushën e ndërtimeve dhe shuma të mëdha të pashlyera (borxhe) nga ana e viktimës.

Policia e Tiranës është angazhuar me të gjitha forcat e saj për kapjen e këtij shtetasi dhe vënien sa më shpejt përpara përgjegjësisë ligjore.

(m.k/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: