Në sfidën e së shtunës në Vlorë ndërmjet Flamurtarit dhe Vllaznisë rezultati i takimit kaloi në plan të dytë, pasi gjyqtari kryesor i sfidës dhe asistenti i tij, Emirojn Sino dhe Ilir Tartari, u akuzuan nga vendasit për sharje e fyerje të drejtuesve dhe tifozëve.

Më vonë u raportua se Ilir Tartari është goditur në brendësi në stadiumit. Në një inetvistë për ‘zona gol’, arbitri asistent, ka akuzuar se ishin njerëzit e Sinan Idrizit atë të cilën e ndërmorën këtë akt, ndërsa vetë ai është një person të cilit nuk i pëlqen të bëhet protagonist në ngjarje të tilla.

“U futa i pari në tunel, për të shmangur ndonjë përplasje të mundshme mes lojtarëve dhe në këto momente pashë Sinan Idrizin që po konfliktohej me policinë, duke u hakërryer edhe ndaj tyre, sepse kërkonin të mos e lejonin të afrohej drejt meje. Në këtë kohë vjen dikush dhe më godet me grusht. Nxitoj për në dhomat e zhveshjes, por vjen edhe një tjetër dhe më godet sërish. Më vonë mora vesh se bëhej fjalë për kunatin e Idrizit dhe shoferin e tij.

Ndeshja shkoi shumë mirë dhe mendoj se nuk klasifikohej si problematike. Ishte diçka e papritur prej meje ajo dhunë në dhomat e zhveshjes. Janë videot e transmetimit të ndeshjes dhe mimikën time mund ta shikoni dhe të verifikoni, nëse kam sharë apo jo. Isha i qetë gjatë gjithë lojës dhe nuk e kam as në natyrë të shaj apo të bëhem protagonist në të tilla raste”, – ka thënë Tartari.

(e.k/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb