30-vjeçari, Leonard Rrapi nga Tepelena që u aksidentua mbrëmjen e djeshme në qendër të qytetit të Beratit ka ndërruar jetë mbrëmjen e sotme në Spitalin e Traumës në Tiranë.

Lajmi bëhet i ditur nga gazetarja Eneida Petova e cila raporton për ‘BalkanWeb’ se Leonard Rrapi ishte duke shëtitur në qytetin e Beratit së bashku me miqtë e tij: Abaz Kaballi,60-vjeç, Astrit Veliu, 23-vjeç dhe Tahir Redhi, 30-vjeç kur automjeti tip Benz me targa AA 021 MS humbi kontrrollin dhe hyri brenda një dyqani me pajisje elektro-shtëpiake në qendër të qytetit.

Miqtë nga Tepelena sapo ishin kthyer nga peligrinazhi në Malin e Tomorrit dhe kishin vendosur në kthim të vizitonin edhe qytetin e Beratit. Si pasojë e aksidentit të rëndë u plagosën 4 shtetasit nga Tepelena, njëri prej të cilëve ndërroi jetë sot në Spitalin e Traumës në Tiranë, drejtuesi i mjetit Ergys Petro, 26-vjeç dhe pasagjeri i mjetit tip Benz që udhëtonte me Petron, Robert Sadikaj.

Të gjithë të plagosurit e tjerë janë jashtë rrezikut për jetën, ndërkohë që Ergys Petro është arrestuar nga policia.

Petro mësohet se nuk kishte konsumuar alkool në momentin e aksidentit të rëndë që-sipas policisë-u shkaktua si pasojë e shpejtësisë dhe madhe dhe parakalimit të gabuar.Drejtuesi i mjetit është banor i lagjes “Kushtrim” në Berat dhe punonte si saldator.

Burime nga miqtë e të njohurit e tij kanë deklaruar se kohët e fundit Petro kishte filluar të konsumonte lëndë narkotike.

 

(BalkanWeb)

 

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: