Nënkryetari i PD, Agron Gjekmarkaj deklaroi nga foltorja e Kuvendit se është gjuha linçuese e politikës ajo që nxit krimin në vend. Ai iu referua dhunimit barbar të avokatit të njohur Sokol Mëngjesi i cili mbron edhe ish-kryeministrin Sali Berisha, duke fajësuar indirekt mazhorancën. Gjatë diskutimit të projektligjit për adresat, Gjekmarkaj tha se policia ka humbur adresën e sigurisë publike.

“Përpjekja për sistemimin e adresave duhet marrë shumë seriozisht. Kemi adresa të qarta dhe disa që po humbin kohë pas kohe. Adresë ka krimi i ushqyer nga gjuha linçuese që godet për vdekje, avokatin e liderit të opozitës, një profesor Universiteti, ish dekanin e Fakultetit të Drejtësisë z. Sokol Mengjezi në mes të Tiranës. Policia ka humbur adresën e sigurisë publike. Kryesorja që ka humbur adresen është demokracia shqiptare vit pas viti e dëbuar nga Kryeministri i Partisë dhe Partia e Kryeministrit. Një vend i cili qeveriset nga korrupsioni nuk ka adresë. Qytetaret e tij shkojnë në drejtim të paditur. Ai fillon e del nga harta e vendeve të lira.

Qeveria që humbet besimin e qytetarve ka zyra, po jo më adresë morale. Adresë kanë vetëm pushtetarët që marrin zarfin, qesen apo thesin me para. Adresë ka grykësia e tyre, pafytyrësia po kaq, retorika e tyre e trashë gjithashtu. Adresë kanë plehrat që nuk digjen por jo qindra milion eurot e vjedhura për inceneratorët.

Adresë ka Ilir Beqja, Ilir Rrapaj dhe Ilir Rrjepsi po jo qindra milon euro të sterilizimit. Adresë kanë drejtoret 5D po jo më paratë publike. Adresë kanë ministrat që thirren në Spak si specat në varg po jo më objekti i tyre i akuzës, prona publike, investimet strategjike, paraja metalike. Ato janë bërë firar”, vijoi ai.

(BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb