Gazeta Panorama.al publikon në numrin e sotëm dëshminë e të mbijetuarit të betejës së Kodrës së Kuqe, Muharrem Llanaj, për fundin e luftimeve dhe atë çka i rrëfeu Vojo Kushi kur u hodh mbi tank.

Në numrin e kaluar u botua dëshmia e Muharrem Llanajt, i cili ka treguar në një interviste për Gazetën Panorama.al kur ishte ende gjallë, detajet e betejës historike dhe manipulimin që iu bë asaj ngjarje nga komunistët.

(Vijon nga numri i kaluar)

“Unë isha i fundit që u ndava me Vojo Kushin”. Episodin për vrasjen e tij, Muharem Llanaj, i mbijetuari i Kodrës së Kuqe, e ka ndarë në dy pjesë. Në të parën shpjegon situatën kritike pak çaste para tragjedisë. Në tjetrën përshkruan fjalët e fundit që ka shkëmbyer me Vojo Kushin.

“Në momentin kur po mbaronim municionin, te shtëpia ku rrinim vërshuan tanket, – tregon ai. -Uturima e tyre dëgjohej deri larg. Po tani, ç’të bëjmë?, i thashë Vojos pa shpresë. Të qëndrojmë!, ma ktheu ai i vërejtur në fytyrë. Të qëndrojmë, po me se?, e pyeta sërish duke i treguar pistoletën pa fishekë. Po na zuri nata, do ta çajmë rrethimin, shtoi ai aty për aty. Po nata ishte larg, e tabori i tankeve u afrua me shpejtësi”.

Ajo që ka përjetuar Muharrem Llanaj pas kësaj, siç shprehet në dorëshkrimin e kujtimeve nga beteja në Kodrën e Kuqe, ka qenë ngjarja më tronditëse e jetës së tij.

“Nga që nuk kishim rrugëdalje, shkruan ai, Vojua iu vërtit mbi shpinë tankut të parë që goditi muret e shtëpisë. Sakaq, nga frëngjitë e tankut tjetër e qëlluan me breshëri. Ai mbeti aty, mbi kullën e çeliktë, i ngrirë si statujë…”.

Se çfarë ndodhi pas kësaj, i mbijetuari i Kodrës së Kuqe shprehet se nuk mban mend asgjë. Ai kujton se ato momente ka hedhur njërën nga dy bombat që i kishin mbetur dhe ka provuar të heqë siguresën e tjetrës, por ajo nuk i ka ndezur. Ndërkaq shtëpia ku rrinte është rrëzuar dhe ai ka mbetur i gjymtuar poshtë gërmadhave të saj…

SULMI I ÇASTEVE TË FUNDIT

Fashistët u rikthyen sërish me tërbim. Këtë radhë sulmi i tyre u drejtua drejtpërdrejt nga porta e derës ku ishte Vojua. I pari u afrua aty një rreshter shqiptar. Ai me pistoletë në dorë filloi të thërriste: “Dorëzohu! Nuk ke ku shkon!”

Në të njëjtën kohë naganta e Vojos hapi zjarr mbi të. Rreshteri, që nuk e mori vesh nga i erdhi plumbi, u kthye mbrapa dhe i tha shokut në krahë:

Vojo Kushi Beqir Balluku
Vojo Kushi Beqir Balluku

“Pse jemi zënë, për një palë këpucë më vrave? dhe u përplas në tokë pa ndjenja. Pas disa çastesh, drejt portës ku ishte Vojua, u nisë një grup me oficerë italianë. Më parë ata debatuan me grupin e ushtarakëve shqiptarë që po tërhiqej.

Zërat e tyre vinin deri tek ne: “Avete paura voi albanezi!” (Keni frikë ju shqiptarët) I pari që provoi t’i afrohej pozicionit të Vojo Kushit, u rrëzua përdhe nga plumbat e papritur, duke kujtuar se u qëllua nga shokët.

“Mi uciti albanezi!” (Më vranë shqiptarët) thirri i tmerruar teksa u shtri sa gjatë gjerë në tokë. Atë çast dëgjuam zërin e dridhur të Qazim Mulletit që urdhëroi tërheqjen e shpejtë të trupave. Tabori i fashistëve u lagua nga oborri i madh, duke marrë me vete edhe oficerin e vrarë. Për pak minuta rreth e qark u vendos qetësia. Qetësia që nuk zgjati veçse pak sekonda, u prish nga zëri i një njeriu që lëvizte anash mureve drejt portës së Vojos. “Asnjë të mos vijë mbrapa meje!”, u dëgjua zëri i tij që me sa dukej i ruhej ndonjë sulmi të shokëve nga shpina. Sakaq Vojua, që kontrollonte gjithçka me një vështrim të mprehtë, e qëlloi me shpejtësi.

Plumbi e mori në krahë. Spiuni Jani Kristo, që kishte marrë iniciativën për të thyer pozicionet tona, bërtiti i tmerruar: Më vranë, plumbi më erdhi nga dera e mbyllur!. Ndërkohë Vojua e qëlloi përsëri, por ai mundi të largohej me shpejtësi.

“Tani na zbuluan, -tha Vojua duke u kthyer nga mua, -prandaj të qëllojmë pa pushim”.

Muharrem Llanaj
Muharrem Llanaj

Unë menjëherë hapa derën e oborrit të vogël nga ishim futur në fillim. Vojua i armatosur hipi mbi mur dhe në mënyrë të rrufeshme hodhi dy granata dhe qëlloi me nagatin e tij në oborrin ku armiqtë qëndronin të grumbulluar rreth kufomave. Vojua zbriti nga muri, rimbushi nagatin, mori automatikun dhe hipi mbi avlli. Unë hodha dy granata jashtë avllisë, zura dritaren e hapur në mur dhe vazhdoja të qëlloja në drejtim të tyre. Ata vazhdonin sulmin drejt nesh, duke hedhur bomba e duke qëlluar me armë të ndryshme.

Po zhvillohej një betejë e vërtetë. Kudo zjarr, tym, erë baroti, klithma e britma, rënkime e thirrje për ndihmë “Na merrni!”, “Nuk lëvizim dot!” etj. Përsëri urdhra “Tërhiquni sa më shpejt se janë shumë, kanë mitraloza, është udhëheqja e Partisë” etj. Në panik e sipër, njëri nga eprorët e italianëve, duke ndërruar taktikë, thirri me një zë të mekur: “Dorëzohuni, sepse do t’jua falim jetën”.

Në vend të përgjigjes, Vojua, që ishte zverdhur në fytyrë, hodhi edhe granatën e fundit. Fashistët të alarmuar e duke bërtitur “na vranë”, u larguan me të shpejtë. Në britmat që vinin nga jashtë, Vojua njohu zërin e togerit të kuesturës, Simon Oroshi, me të cilin kishte qenë në shkollë në Shkodër në kohën e Zogut.

Muharrem Llanaj Ne Brigade
Muharrem Llanaj Ne Brigade

“Dorëzohuni se prefekti Qazim Mulleti do t’jua falë jetën” , thërriste ai. “Po ku je o Simon Oroshi?! O bir bushtre. Afrohu edhe pak ta shikosh të sëmës!”, ia kthye gjithë urrejtje Vojo Kushi. “Kush je ti, që më ditke edhe emrin?”, e pyet nga jashtë toger Oroshi. “Jam Vojo Kushi!”, ia kthen ai me zë të lartë. Ishte ky momenti kur njëri nga fashistët me një palë shkallë u ngjit mbi çati dhe filloi të heqë tjegullat, për të hedhur benzinë që t’i vinte flakën shtëpisë.

Vojua e pa dhe aty për aty e vuri në shënjestër. Fashisti që u godit në dorë, klithi sa kishte në kokë dhe ra nga pjesa e jashtme e murit. “Më vranë!”, “Më tërhiqni!”, u dëgjua zëri i tij.

Disa çaste qëndruam ashtu pa folur në depon pa tavan, por të fortifikuar mirë. Teksa prisnim reagimin e palës tjetër, jashtë saj dëgjuam urdhrin e njërit prej oficerëve të lartë: “Të vijnë tanket!” “Të vijnë tanket!”.

Hodha vështrimin nga Vojua, si për të lexuar mendimin e tij se çfarë duhej të bënim tani. Ai qëndronte i heshtur vetëm katër metra larg meje. Aty për aty, duke menduar se nuk kishte mundësi shpëtimi, i thashë t’ia merrnim një kënge revolucionare. Le të vdisnim duke kënduar. “Në asnjë mënyrë, kundërshtoi prerë ai, ata kujtojnë se jemi shumë, prandaj kërkojnë tanket. Po na zuri nata, do ta çajmë rrethimin”.

VRASJA E VOJO KUSHIT

Sakaq u rishfaq tabori i fashistëve, këtë radhë i përforcuar me tanke. Nisën përsëri të shtënat. Një moment m’u bllokua arma kur më kish mbetur edhe një fishek. Vojua provoi ta zhbllokonte, por kur e pa që ishte e pamundur, më tha të vazhdoja me dy granatat që më kishin mbetur.

“Njërën hidhe mbi armiqtë menjëherë, tjetrën ruaje për momentet e fundit”, më porositi ai. Ashtu bëra. Hoqa siguresën e njërës prej granatave dhe e hodha mbi turmën e fashistëve. Shpërthimi i saj ngjalli panik në radhët e tyre. Ndërkohë u dëgjua uturima e një tanku që po drejtohej për nga avllia e vogël, ndërsa pesë tanke të tjerë qëndronin në formacion luftimi rreth shtëpisë.

Tanku që kish marrë drejtimin tonë, përparonte me shpejtësi, dhe pasi prishi murin e avllisë, iu drejtua murit të shtëpisë. Vojua që e pa se nuk kishte rrugë tjetër, kërceu mbi të, duke u munduar të heq kapakun e tankut.

Ndërkohë qëllonte me nagat me fishekët që i kishin mbetur. Nga pas shpinës iu afrua një tank tjetër, nga kulla e të cilit u zbraz një breshëri mbi trupin e Vojos. Për një çast ai mbeti i ngirë mbi tank. Diçka foli, ku dallova vetëm fjalët “Vdekje fashizmit!”. Menjëherë pastaj zëri i tij u fashit në breshëritë e armëve të italianëve që hapën zjarr nga të gjitha drejtimet. Sakaq tanket vërshuan drejt shtëpisë ku isha unë.

Uturima e tyre sa vinte e shtohej, duke u bërë gjithnjë e më e tmerrshme. Kur zinxhirët e tyre rrënuan murin e avllisë dhe po aviteshin në thellësi të oborrit drejt dritares pas të cilës qëndroja, nxora granatën që më kishte mbetur, por nuk munda ta përdor, sepse u mbulova nga trarët, gurët, tjegullat dhe mbeturinat e tjera të shtëpisë së kthyer në gërmadhë.

Aty pastaj humba ndjenjat dhe kur jam përmendur e kam parë veten në qelitë e burgut. Beteja 6-orëshe e Kodrës së Kuqe, ku u vranë tre shokët e mi nga më të mirët, Vojo Kushi, Xhorxhi Martini e Sadik Straveleci, nga sa mësova më vonë kur isha në qeli, bëri jehonë të madhe jo vetëm brenda vendit.

Muharrem Llanaj Duke Treguar Historine
Muharrem Llanaj Duke Treguar Historine

Ajo u komentua gjatë nga Radio Londra, Moska, Europa e Lirë, si një ngjarje e shënuar dhe një betejë e pabarabartë. Vojo Kushi, me sa më thanë më vonë, u varros të nesërmen nga njësitet guerile të Tiranës me një flamur të madh mbi krye. Fashistët të frikësuar nga ajo që ndodhi në Kodrën e Kuqe organizuan pranë varrit të tij shërbim me roje për disa ditë me radhë. Vërshimi i Vojo Kushit mbi tank ishte imazhi i fundit që më mbeti në mëndje nga gjashtë orët e betejës në Kodrën e Kuqe.

Kur jam përmendur e kam parë veten në qelitë e Kuesturës. Pas 15 ditësh tortura aty, më çuan në birucat e burgut të ri, ku qëndronte i dënuari me vdekje, Shyqyri Ishmi. Qëndrova aty edhe pesë muaj të tjerë pas ekzekutimit të tij.

Pastaj më çuan me të burgosurit politik. Më 10 mars 1943, bashkë me nëntë të tjerë, na nxorën për t’u pushkatuar pa gjyq. Nuk e di si rrodhën ngjarjet, por teksa prisnim ekzekutimin, na lajmëruan se urdhri i Kuesturës do zbatohej më vonë. Mbaj mënd se ato ditë erdhi në burg kryeministri Eqerem Libohova dhe na thanë se kishte kundërshtuar ekzekutimin pa gjyq.

Aty nga fundi i prillit 1943, u arratisën nga burgu rreth 25 të dënuar politikë nëpërmjet një tuneli të hapur në fshehtësi. Duke përfituar nga kjo situatë, drejtuesi i njësitit më rekomandoi të ndërroja emrin me identitetin e njërit prej shokëve që atë ditë kishte mundur të largohej nga tuneli. Të nesërmen kur po zhvillohej gjyqi, unë Muharrem Llanaj u dënova në mungesë me vdekje në litar. Muharrem Llanaj, sipas lojës që kishim bërë, figuronte i arratisur nga burgu.

Vojo Kushi1
Vojo Kushi1

Unë që këtej e tutje figuroja si Petro Nadelli. Me kapitullimin e Italisë dhe vërshimin e gjermanëve në burg, iu dola atyre para si gardian burgu. Prej këtej u arratisa dhe shkova në batalionin Krujë-Ishëm, që komandohej nga Beqir Balluku. Aty mora pjesë në luftimet për çlirimin e Krujës dhe vazhdova me këtë formacion partizan deri në Dibër të Madhe, ku luftova përkrah forcave të Haxhi Lleshit.

Në operacionin e dimrit u plagosa në afërsi të katundit Orenjë. Me ndihmën e shokëve më çuan ilegalisht në spitalin e Tiranës, duke më “pagëzuar” me emrin Xhemil Sinani nga Shalësi i Konispolit. Aty qëndrova rreth katër muaj. Dikush më diktoi dhe më çuan në burgun e vjetër./Panorama

VIJON NESER

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb