Hotel “Bizanti” që u hodh sot në erë nga persona të paidentifikuar ishte prej më shumë se dy dekadash “mollë sherri” mes tre bashkëpronarëve të cilët jo njëherë kishin përfunduar në dyert e gjykatave.

Kjo është dhe një nga pistat e hetimit për ngjarjen e rëndë që ndodhi mëngjesin e sotëm që tronditi qytetin bregdetar, pasi tre bashkëpronarët, një prej tyre i ndjerë ishin në gjyq për pasurinë.

Hoteli i ndërtuar në vitin 1996 kishte 3 ortakë, një shtetas grek me emrin Dhimitër Evangjeliu dhe 2 shqiptarë Spiro Çabirin dhe Vangjel Shtuka, ky i fundit i ndarë nga jeta.

Dy shqiptarët e vendosën sipërfaqen truall 700 metra katrorë në vitin 2005 si kolateral për një kredi 9.8 milionë lekë të reja, ndërkohë që përplasja për pronën kishte nisur në gjykatë. Prona ishte vlerësuar me me një vlerë prej 920 mijë eurosh, teksa sipas dokumenteve shtetasi grek rezultonte pronar me 90% të pasurisë.

Sipas dosjes së siguruar nga “BalkanWeb”, Gjykata e Shkallës së Parë në vitin 2002, me vendim të prerë të Apelit të Gjirokastrës kishte detyruar Vangjel Shtukën dhe Spiro Çabirin për njohjen bashkëpronar të Dhimitër Evangjeliut, në raportin 90% me 10%.

Në zbatim të këtij vendimi, objekti “Hotel Bar Restorant” është regjistruar në regjistrat e pasurive të paluajtshme të ZVRPP Sarandë në bashkëpronësi, në raportet 90 % paditësi dhe 10 % të paditurit. Meqenëse palët nuk kanë arritur dakordësinë për pjesëtimin e hotelit pronari grek Dhimitër Evangjeliu i është drejtuar gjykatës.

Gjykata konfirmoi që Evangjeliu kishte 90% të pasurisë dhe dy të tjerët, Spiro Çabiri e Vangjel Shtuka, nga 5%. Ky vendim më pas u konfirmua nga Gjykata e Apelit Gjirokastër përmes një vendimi të vitit 2011.

Më pas është bërë një akt ekspertimi dhe prona është vlerësuar 920.000 Euro. Vlerësimi theksoi se kjo pasuri nuk mund të pjesëtohet në natyrë për vetë mundësinë e zhvillimit të këtij kompleksi hotelier, pasi vetë projekti i ndërtimit nuk e mundëson shfrytëzimin pjesor të hotelit dhe nuk ka mundësi teorike dhe praktike funksionimi në destinacionin e projektuar, ndaj duhej ndarë me vlerë monetare.

Me këtë vlerësim ka qenë dakord pronari më i madh ndërkohë që Spiro Çabiri e ka kundërshtuar në disa hapa por gjykata përfundimisht nuk ia ka pranuar. Në vitin 2015 përmes një vendimi të Gjykatës së Sarandës është vendosur që prona ‘Hotel Bar Restorant’ t’i lihet në pronësi paditësit Dhimitër Evangjeliu, ndërsa ky i fundit detyrohej t’i paguante Spiro Çabirit dhe Vangjel Shtukës nga 46 000 Euro secilit, pra 5% të vlerës totale të objektit.

Spiro Çabiri përmes një ankimi tjetër ka kërkuar rikryerjen e ekspertimit për të përcaktuar se sa është pjesa e secilit bashkëpronar në bazë të investimit të kryer dhe cila është shuma që duhet t’i japin njëri tjetrit si detyrim për pjesën në bashkëpronësi, me arsyetimin se ishin bërë investime nga ana e tij.

Riçelja e hetimit gjyqësor s’është lejuar nga gjykata, pasi çështjet për të cilat u kërkua riçelja e hetimit janë marrë në shqyrtim në gjykimet e mëparshme.

Këtë vendim e ka kundërshtuar sërish Çabiri. Gjatë shqyrtimit në Apel u thirr edhe banka në të cilin ishte marrë kredia 9.8 milionë lekë, që me gjithë interesa është paguar afër 15 milionë lekë të reja. Gjykata mori vendimin për ta rikthyer edhe një herë çështjen në shkallë të parë në Gjykatën e Sarandës.

DOSJA
Vendimi Nr.371, datë 14.04.2015 i Gjykatës së Rrethit Gjyqësor Sarandë është marrë në shkelje të normave procedurale të një gjykimi civil dhe si i tillë,bazuar në nenin 466/ç të K.Pr.Civile ,duhet të vendoset prishja e këtij vendimi dhe dërgimi i çështjes për rigjykim në atë gjykatë me tjetër trup gjykues,mbi bazën e arsyetimit të mëposhtëm:

Nga shqyrtimi gjyqësor në shkallën e parë të gjykimit ka rezultuar se:

Paditësi {xxx},i padituri (i ndjeri) {xxx} dhe i padituri {xxx} kanë në bashkëpronësi objektin me aktivitet tregtar, {xxx}, me sipërfaqe trualli 700 m2,i ndodhur në lagjen nr.1 Sarandë dhe i regjistruar në regjistrin hipotekor nr.2,faqe 101,nr.indeksi 729,datë 14.11.1995.
Kjo pasuri rezulton të jetë vendosur si garanci për personin e tretë,{xxx} me anën e kontratës së hipotekimit të datës 18.03.2005,të nënshkruar nga të paditurit.
Bashkëpronësia e paditësit dhe e të paditurve mbi këtë pasuri rezulton të jetë përcaktuar në bazë të vendimit gjyqësor të formës së prerë Nr.254,datë 26.04.2002 të Gjykatës së Rrethit Gjyqësor Sarandë,të ndryshuar me anën vendimit Nr.241,datë 05.09.2005 të Gjykatës së Apelit Gjirokastër,me anën e të cilit është vendosur:
· Pranimi i padisë.
· Detyrimin e të paditurve (xxx) për njohjen bashkëpronar të paditësit {xxx},në raportin 90% për paditësin dhe 10% për të paditurin në objektin “Hotel”.

· Anulimin e kontratës së pjesëtimit Nr.220 Rep, Nr.162 Kol, datë 06.03.1996.
· Fshirjen nga ZRPP Sarandë të regjistrimit të bërë në favor të të paditurve.

Në zbatim të këtij vendimi, objekti {xxx} është regjistruar në regjistrat e pasurive të paluajtshme të ZVRPP Sarandë në bashkëpronësi të paditësit dhe të të paditurve, në raportet 90 % paditësi dhe 10 % të paditurit.
Meqenëse palët ndërgjyqëse nuk kanë arritur në ndonjë marrëveshje për pjesëtimin e këtij sendi të paluajtshëm të regjistruar në bashkëpronësi sipas pjesëve të sipërcituara, paditësi i është drejtuar Gjykatës së Rrethit Gjyqësor Sarandë me anën e një kërkesë-padie duke kërkuar pjesëtimin gjyqësor të këtij sendi.

Në përfundim të fazës së parë të pjesëtimit, me anën e vendimit të datës 26.10.2010 të Gjykatës së Rrethit Gjyqësor Sarandë, është vendosur:

Lejimi i pjesëtimit të pasurisë së paluajtshme, Hotel-Bar Restorant, me sipërfaqe trualli 700 m2,i ndodhur në Lagjen nr.1,Sarandë, regjistruar në regjistrin hipotekor nr.2, faqe 101, nr.indeksi 729, datë 14.11.1995, mes bashkëpronarëve {xxx} duke i takuar 9/10 (90%) pjesë ideale dhe {xxx} duke iu takuar 1/10 (secilit nga 1/20 (5%) pjesë ideale në këtë pasuri.

Pushimin e gjykimit të kundërpadisë të të paditurve kundërpaditës {xxx}.

Pas ankimit të këtij vendimi nga të paditurit {xxx}{xxx}, me anën e vendimit nr.236,datë 20.05.2011, ka vendosur “Lënien në fuqi të vendimit të fazës së parë të pjesëtimit datë 26.10.2010 të Gjykatës së Rrethit Gjyqësor Sarandë”.

Mbi bazën e rekursit të ushtruar nga të paditurit, Gjykata e Lartë me vendimin nr.2609, datë 17.12.2012 ka vendosur: “Mospranimin e rekursit”.

Pas përfundimit si më sipër, me vendim gjyqësor të formës së prerë të fazës së parë të pjesëtimit, shqyrtimi gjyqësor ka vazhduar me fazën e dytë të pjesëtimit duke urdhëruar në përputhje me përmbajtjen e nenit 224/a të K.Pr.Civile, kryerjen e ekspertimit vlerësues të pasurisë së paluajtshme, objekt i pjesëtimit gjyqësor, të lejuar gjatë fazës së parë.

Në aktin e ekspertimit vlerësues të ekspertit vlerësues {xxx} rezulton të jenë dhënë këto konkluzione: “Në shkallën e amortizimit 30% (pas 20 vitesh ndërtim) kjo pasuri (truall+objekt) ka vlerën aktuale të llogaritur sipas Metodës së Krahasimit të Drejtpërdrejtë = 920 000 euro.Kjo pasuri nuk mund të pjesëtohet në natyrë për vetë mundësinë e zhvillimit të këtij kompleksi hotelier,pasi vetë projekti i ndërtimit nuk e mundëson shfrytëzimin pjesor të Hotelit,dhe nuk ka mundësi teorike dhe praktike funksionimi në destinacionin e projektuar”.

Paditësi ka qenë dakort me konkluzionet e mësipërme të këtij akti ekspertimi vlerësues duke kërkuar që në bazë të nenit 207/4 të Kodit Civil,për shkak të pamundësisë së ndarjes në natyrë të këtij sendi të paluajtshëm,ky send t’i lihet në pronësi atij,ndërkohë të paditurit të kompensohen në para për pjesët e tyre takuese.
I padituri {xxx} dhe personi i tretë ** Kombëtare **,Dega Sarandë,nuk janë paraqitur gjatë gjykimit në fazën e dytë të pjesëtimit, shkak për të cilin, gjykimi në fazën e dytë të pjesëtimit, është zhvilluar në mungesë të tyre dhe pa u mundësuar,për rrjedhojë,dëgjimi i tyre në raport me pretendimet e paditësit.

I padituri {xxx}ka kundërshtuar gjatë fazës së dytë të pjesëtimit vlerësimin sendit në bashkëpronësi ,për efekt të përfundimit të marrëdhënies së bashkëpronësisë, vetëm nëpërmjet një eksperti vlerësues të pasurive të paluajtshme,duke kërkuar në mënyrë të vazhdueshme që në përputhje me nenin 207/3 të Kodit Civil dhe nenet 371 e 372 të K.Pr.Civile,të caktohej edhe një ekspert kontabël për të marrë në shqyrtim kërkesat e tij për llogaritë që duhet japin bashkëpronarët e këtij sendi të paluajtshëm me njëri-tjetrin.

Pavarësisht se një kërkesë të tillë,i padituri {xxx} e ka bërë që në fillim të fazës së dytë të gjykimit ,në seancën gjyqësore të datës 18.06.2014,Gjykata e Rrethit Gjyqësor Sarandë nuk e ka marrë fare në shqyrtim një kërkesë të tillë, duke u shprehur në vendimin e ndërmjetëm të kësaj date se për zgjidhjen e drejtë të çështjes kërkohen njohuri të posaçme në fushën e vlerësimit të pasurive të paluajtshme dhe jo në fushën e kontabilitetit.
Në seancën gjyqësore të datës 10.09.2014,i padituri {xxx} ka përsëritur të njëjtën kërkesë për kryerjen e ekspertimit kontabël, për shkak se eksperti vlerësues i caktuar nga gjykata nuk mund të shqyrtonte llogaritë financiare që ekzistonin midis bashkëpronarëve,por përsëri një kërkesë e tillë është rrëzuar me vendim të ndërmjetëm të gjykatës të kësaj date ,sepse eksperti vlerësues {xxx} i kishte njohuritë përkatëse për vlerësimin e pasurisë në këtë drejtim.

Në seancën gjyqësore të datës 17.12.2014, i padituri {xxx}ka paraqitur një kërkesë me shkrim për kryerjen e ekspertimit kontabël duke vënë theksin, se domosdoshmëria e kryerjes së një ekspertimi të tillë buron nga fakti i karakterit të bashkëpronësisë të krijuar ndërmjet palëve ndërgjyqëse, duke pasur në origjinë të saj një shoqëri të themeluar sipas ligjit tregtar.

Duke e trajtuar si “gjë të gjykuar”, nëpërmjet vendimit të ndërmjetëm të seancës gjyqësore të datës 18.06.2014 ,një kërkesë të tillë,Gjykata e Rrethit Gjyqësor Sarandë,e ka rrëzuar atë përsëri.

Me prokurën e posaçme Nr.164 rep,Nr.53 kol,datë 22.01.2015, i padituri {xxx}ka caktuar si avokat tij ,në vazhdimësi të gjykimit, avokatin {xxx},i cili në seancën gjyqësore të datës 11.02.2015 ka parashtruar ,në mënyrë të argumentuar, në një kërkesë me shkrim prej 6 faqesh arsyet ligjore dhe faktike në drejtim të domosdoshmërisë së plotësimit të aktit të ekspertimit vlerësues me detyrën e shqyrtimit të llogarive financiare ,që ekzistojnë ndërmjet bashkëpronarëve,për shkak të njohjes së bashkëpronësisë me vendimin gjyqësor të formës së prerë nr.241,datë 05.09.2005 të Gjykatës së Apelit Gjirokastër në kushtet e shoqërisë së thjeshtë,si dhe në drejtim të domosdoshmërisë së paraqitjes personalisht të të paditurit {xxx}, me qëllim marrje e pohimeve prej tij,sipas nenit 182 të K.Pr.Civile.

Duke arsyetuar mungesën e “gjë-së së gjykuar” për zgjidhjen e llogarive midis bashkëpronarëve ,sipas vendimit të fazës së parë të pjesëtimit, dhe se një moment i tillë,edhe mbi bazën e dispozitave ligjore materiale dhe procedurale në fuqi,i përket hetimit gjyqësor të fazës së dytë të pjesëtimit, avokati i të paditurit {xxx} në këtë kërkesë me shkrim,ka theksuar një fakt shumë të rëndësishëm,që vetë Gjykata e Rrethit Gjyqësor Sarandë,gjatë fazës së parë të pjesëtimit në seancën gjyqësore të datës 16.07.2010 (faqja 676 e dosjes gjyqësore), në lidhje me të njëjtën kërkesë të të paditurit {xxx}është shprehur me vendim të ndërmjetëm se “Rrëzohet kërkesa për caktimin e një eksperti kontabël pasi llogaritë ndërmjet bashkëpronarëve përcaktohen në fazën e dytë të pjesëtimit”.

Pavarësisht argumenteve zgjerues dhe të shtjelluar, në mënyrë të hollësishme, në kërkesën e sipërcituar me shkrim,Gjykata e Rrethit Gjyqësor Sarandë,me vendim të ndërmjetëm të seancës gjyqësore të datës 11.02.2015,ka vendosur sërish ta rrëzojë një kërkesë të tillë,me arsyetimin telegrafik se një kërkesë e tillë është e pabazuar në ligj dhe në prova.Në arsyetimin e vendimit përfundimtar, objekt ankimimi, në faqet 4 dhe 5 të këtij vendimit,Gjykata e Rrethit Gjyqësor Sarandë, në mënyrë kontradikore, është shprehur njëherë (në faqen 4) ,se kërkesa e ekspertimit kontabël u rrëzua pasi pajiset e hotelit janë sende të luajtshme të cilat nuk janë objekt i këtij gjykimi,ndërkohë që më pas (në faqen 5), ka arsyetuar se shumat që bashkëpronarët duhet t’i japin njëri-tjetrit, si detyrim për pjesën në bashkëpronësi, janë marrë në shqyrtim në gjykimet e mëparshme,pa përmendur se cilat janë këto gjykime.

Në seancën gjyqësore pasardhëse të datës 16.01.2015,avokati i të paditurit {xxx}ka kërkuar riçeljen e hetimit gjyqësor të çështjes për shqyrtimin e llogarive financiare ndërmjet bashkëpronarëve, në bazë të nenit 304 të K.Pr.Civile, duke i bërë me dije gjykatës së shkallës së parë në këtë drejtim, se domosdoshmëria e hetimit gjyqësor të këtij momenti buron edhe nga nga vendimi gjyqësor i formës së prerë “Për fazën e parë parë të pjesëtimit” Nr.236,datë 20.05.2011 të{xxx},në faqen 5 të të cilit, në lidhje me pretendimet e të paditurit {xxx} në kundërpadinë e paraqitur gjatë fazës së parë,gjykimi i të cilës është pushuar për shkak të mosparaqitjes së tij, është arsyetuar se: “Sendi objekt pjesëtimi i nënshtrohet pjesëtimit me të gjithë vlerën reale të tij,ndërsa pretendimet e palëve në lidhje me investimet apo përmirësimet dhe mirëmbajtjen që i është bërë pronës i nënshtrohen shqyrtimit në fazën e dytë të pjesëtimit sipas neneve 371 dhe 372 të K.Pr.Civile”.

Edhe kjo kërkesë e të paditurit,edhe pse e justifikuar në bazë të vendimit gjyqësor të formës së prerë “Për fazën e parë të pjesëtimit”, i detyrueshëm për t’u zbatuar mbi bazën e përcaktimeve të nenit 451/a të K.Pr.Civile,përsëri është rrëzuar nga gjykata e shkallës së parë, me arsyetimin se nuk janë kushtet e kërkuara nga neni 304 i K.Pr.Civile.

Në kushtet e mësipërme të refuzimit të çdo kërkese të përsëritur ,të pretenduar si të bazuar në dispozitat ligjore që përcaktojnë rregullat e fazës së dytë të gjykimit,si dhe në vendimin gjyqësor të fazës së parë të pjesëtimit, i padituri {xxx}menjëherë në të njëjtën seancë gjyqësore të datës 16.01.2015, ka kërkuar përjashtimin e trupit gjykues,për shkak se të gjitha vendimet e ndërmjetme në drejtim të refuzimit të zgjidhjes së llogarive midis bashkëpronarëve në fazën e dytë të pjesëtimit, tregonin për paragjykimin e çështjes duke dëmtuar rëndë parimin e sigurisë juridike në dhënien e drejtësisë.

Kjo kërkesë përjashtimi, në bazë të nenit 75/1 të K.Pr.Civile,është shqyrtuar nga nga një gjyqtare tjetër e Gjykatës së Rrethit Gjyqësor Sarandë,e cila me vendimin nr.23-2015-631,datë 30.03.2015,ka vendosur të rrëzojë kërkesën për përjashtimin e trupit gjykues,duke arsyetuar në vendimin e zbardhur në këtë drejtim,se i padituri {xxx} nuk arriti të vërtetojë qëndrimin e njëanshëm të këtij trupi gjykues.

Pas rrëzimit të kërkesës së mësipërme për përjashtim gjyqtari,gjykimi ka vazhduar me dhënien e konkluzioneve përfundimtare me shkrim nga palët ndërgjyqëse, dhe më pas me shpalljen e vendimit përfundimtar, duke vendosur për t’i dhënë fund bashkëpronësisë për sendin e paluajtshëm {xxx},sipas mënyrës që ky send,për shkak të pamundësisë të ndarjes në natyrë, t’i lihet në pronësi paditësit,ndërkohë që të paditurit *** Çabiri dhe {xxx} të kompensohen në para nga paditësi, në raport me pjesën e tyre takuese.

Kundër kësaj mënyre disponimi ka paraqitur ankim i padituri {xxx} sipas shkaqeve të cituara në pjesën hyrëse të këtij vendimi.

Gjatë gjykimit në shkallën e dytë është konstatuar vdekja e të paditurit {xxx},shkak për të cilin,në bazë të nenit 199 të Kodit të Procedurës Civile ,është vendosur zëvendësimi procedural i këtij të padituri,me trashëgimtarët e tij ligjorë,të cilët në bazë të dëshmisë së trashëgimisë ligjore Nr.115 Rep,Nr.100 Kol,datë 04.02.2016, të lëshuar nga noterja {xxx}janë shtetasit {xxx}.

{xxx}, i vlerëson të drejta dhe të bazuara në ligj e në prova shkaqet ankimore për ekzistencën e shkeljeve procedurale, që passjellin prishjen e vendimit të gjykatës së shkallës së parë dhe dërgimin e çështjes për rigjykim në po atë gjykatë dhe me tjetër trup gjykues, për arsyet e mëposhtme:

Ashtu si me të drejtë parashtrohet në shkaqet ankimore,Gjykata e Apelit çmon se gjykata e shkallës së parë,në kundërshtim me ligjin dhe vendimin gjyqësor të formës së prerë “Për fazën e parë të pjesëtimit” ,nuk ka marrë në shqyrtim gjatë fazës së dytë të pjesëtimit, kërkesën e të paditurit {xxx}, si njëri prej bashkëpronarëve të sendit të paluajtshëm “Hotel Bar Restorant”, për zgjidhjen e llogarive ndërmjet bashkëpronarëve të këtij sendi. Neni 371 i K.Pr.Civile përcakton në këtë drejtim se : “Kur palët deklarojnë se nuk kanë ankim ndaj vendimit të ndërmjetëm të përmendur në nenin 370 të këtij Kodi,bëhet shënim në procesverbalin gjyqësor, i cili nënshkruhet edhe nga palët ose përfaqësuesit e tyre.

Në një rast të tillë, si dhe në rastin kur vendimi i ndërmjetëm,që ka lejuar pjesëtimin, ka marrë formën e prerë, gjykata vazhdon gjykimin në fazën e dytë, duke marrë në shqyrtim kërkesat që mund të kenë bashkëpronarët për llogaritë që duhet të japin midis tyre dhe që rrjedhin nga marrëdhëniet e bashkëpronësisë”.Neni 372 i K.Pr.Civile përcakton shprehimisht se: “Gjykata vendos edhe për marrëdhëniet financiare të palëve për shkak të bashkëpronësisë”.

I njëjti rregull për domosdoshmërinë e shlyerjes së detyrimeve që bashkëpronarët kanë ndaj njëri-tjetrit gjatë fazës së dytë të pjesëtimit përcaktohet edhe nga dispozita materiale, neni 207/3 i Kodit Civil,sipas këtij formulimi: “Kur sendi i përbashkët nuk mund të ndahet në natyrë gjykata urdhëron që ai të shitet në ankand dhe vlefta e tij të ndahet ndërmjet bashkëpronarëve,sipas pjesëve përkatëse,duke llogaritur edhe shumat që ata duhet t’i paguajnë njëri-tjetrit, për shkak të marrëdhënies së bashkëpronësisë”.

Nga interpretimi gramatikor dhe sistematik i dispozitave të sipërcituara, rezulton se kërkesa për shqyrtimin e llogarive financiare që rrjedhin nga marrëdhënia e bashkëpronësisë ndërmjet bashkëpronarëve të një sendi të paluajtshëm,është pjesë e domosdoshme e padisë së pjesëtimit të këtij sendi, dhe se një kërkesë e tillë mund të shqyrtohet vetëm gjatë fazës së dytë të pjesëtimit, pra kur faza e parë e pjesëtimit ka përfunduar me vendim gjyqësor të formës së prerë.Një konkluzion i tillë ,që rezulton nga interpretimi i dispozitave ligjore të sipërcituara rezulton të jetë mbajtur parasysh,si nga gjykata e shkallës së parë, ashtu edhe nga Gjykata e Apelit gjatë fazës së parë të pjesëtimit, pasi:

a) Gjykata e shkallës së parë gjatë kësaj faze me vendimin e ndërmjetëm, të marrë në seancën gjyqësor të datës 16.07.2010,ka rrëzuar kërkesën e të paditurit *** Çabiri për kryerjen e ekspertimit kontabël, pikërisht me arsyetimin se çështja e përcaktimit të llogarive ndërmjet bashkëpronarëve i përket fazës së dytë të pjesëtimit;

b) Gjykata e Apelit Gjirokastër, në vendimin Nr.236,datë 20.05.2011, në bazë të cilit cilit ka lënë në fuqi vendimin e gjykatës së shkallës së parë për fazën e parë të pjesëtimit, ka arsyetuar se “Sendi objekt pjesëtimi i nënshtrohet pjesëtimit me të gjithë vlerën reale të tij,ndërsa pretendimet e palëve në lidhje me investimet apo përmirësimet dhe mirëmbajtjen që i është bërë pronës i nënshtrohen shqyrtimit në fazën e dytë të pjestimit sipas neneve 371 dhe 372 të K.Pr.Civile”.

Pavarësisht ekzistencës së këtyre dispozitave ligjore dhe pavarësisht fuqisë detyruese të vendimit të fazës së parë të pjesëtimit, si një vendim i formës së prerë ,që ka autoritetin e “gjë-së gjykuar” në kuptim të nenit 451/a të K.Pr.Civile dhe vendimit unifikues nr.628,datë 15.05.2000 të Kolegjeve të Bashkuara të Gjykatës së Lartë,gjykata e shkallës së parë, gjatë fazës së dytë të pjesëtimit, ka refuzuar të shqyrtojë kërkesën për likuidimin e llogarive financiare ndërmjet bashkëpronarëve, madje duke arsyetuar në vendimin objekt ankimimi, në kundërshtim me ligjin dhe provat e marra gjatë këtij gjykimi, se një kërkesë e tillë është shqyrtuar në gjykimet e mëparshme, pa përmendur se nëpërmjet cilave vendimeve gjyqësore të formës së prerë është shqyrtuar në themel një kërkesë e tillë, në një kohë që në bazë të nenit 371 të K.Pr.Civile dhe nenit 207/3 të Kodit Civil, që anashkalohen duke mos u cituar fare në arsyetimin e vendimit objekt ankimimi, qartazi rezulton se kërkesat e kësaj natyre mund dhe duhet të shqyrtohen vetëm gjatë fazës së dytë të pjesëtimit dhe jo në ndonjë gjykim të ndonjë natyre tjetër.

Duke mos shqyrtuar kërkesën e bashkëpronarit {xxx} për shqyrtimin e llogarive që ekzistojnë nga marrëdhënia e bashkëpronësisë ndërmjet tij dhe bashkëpronarëve të tjerë,Gjykata e Rrethit Gjyqësor Sarandë gjatë fazës së dytë të pjesëtimit, rezulton të ketë vepruar,për rrjedhojë,jo vetëm në kundërshtim me këto dispozita ligjore si dhe me vendimin gjyqësor të formës së prerë “Për fazën e parë të pjesëtimit” të datës 26.10.2010 të Gjykatës së Rrethit Gjyqësor Sarandë, të lënë në fuqi me anën e vendimit Nr.236,datë 20.05.2011 të Gjykatës së Apelit Gjirokastër, por edhe në kundërshtim me përmbajtjen e neneve 6 dhe 28 të K.Pr.Civile, pikërisht sepse ka refuzuar të shqyrtojë në themel një kërkesë të domosdoshme të fazës së dytë të pjesëtimit, prej të cilës varet zgjidhja në themel e mosmarrëveshjes së palëve ndërgjyqëse për pjesëtimin e këtij sendi të paluajtshëm.

Pavarësisht se një kërkesë e tillë për shqyrtimin e llogarive është bërë nga bashkëpronari, i cili ka cilësinë e të paditurit në këtë gjykim, ajo duhet të konsiderohet pjesë përbërëse e objektit të padisë për pjesëtimin e sendit, pikërisht për shkak është përcaktuar si e tillë nga ligji, duke pasur në konsideratë natyrën specifike të kësaj padie,për shqyrtimin e të cilës, janë parashikuar rregullime të posaçme.

Neni 467/ë i K.Pr.Civile përcakton se: “Gjykata e apelit prish vendimin e gjykatës së shkallës së parë dhe dërgon çështjen për rigjykim kur lind nevoja për marrjen e një prove vendimtare,marrja e të cilës është e vështirë në shkallë të dytë, ose gjykata nuk është është shprehur për të gjitha kërkesat e parashtruara nga palët në padi dhe që përbëjnë objektin e mosmarrëveshjes ndërmjet palëve ndërgjyqëse”.

Nga zbatimi i kësaj dispozite, në raport me faktin e refuzimit të shqyrtimit të kërkesës për shqyrtimin e llogarive,si kërkesë e detyrueshme për t’u shqyrtuar gjatë fazës së dytë të pjesëtimit dhe që përbën objektin e mosmarrëveshjes midis palëve ndërgjyqëse, Gjykata e Apelit çmon se një mënyrë e tillë e të vepruarit nga gjykata e shkallës së parë, përbën shkak për prishjen e vendimit dhe dërgimin e çështjes për rigjykim.

Refuzimi,në kundërshtim me ligjin dhe vendimin e fazës së parë të pjesëtimit, për të marrë në shqyrtim kërkesën e të paditurit {xxx} për shqyrtimin e llogarive financiare ndërmjet bashkëpronarëve si dhe rrëzimi i kërkesave të përsëritura nga ana e këtij të padituri, gjatë fazës së dytë të pjesëtimit, për kryerjen e ekspertimit kontabël apo riçeljen e hetimit gjyqësor në funksion të një kërkese të tillë, edhe pse nga ana e avokatit të të paditurit në kërkesat e bërë me shkrim në këtë drejtim janë përshkruar në mënyrë të hollësishme arsyet ligjore që justifikonin domosdoshmërinë e zgjerimit të hetimit gjyqësor të llogarive financiare ndërmjet bashkëpronarëve, ashtu si me të drejtë pretendohet në shkaqet ankimore, ka cenuar edhe parimin e paanësisë në këtë gjykim, pikërisht për shkak se ka krijuar dyshime objektive për dukjen e këtij trupi gjykues si të njëanshëm për të paditurin {xxx}.

Parimi i paanshmërisë në gjykim përbën një nga parimet themelore të procesit të rregull ligjor,i përcaktuar si i tillë nga neni 42/2 i Kushtetutës së Republikës së Shqipërisë dhe neni 6 i Konventës Europiane Për të Drejtat e Njeriut. Në vendimin nr.23 të datës 04.11.2008 të Gjykatës Kushtetuese në lidhje me kuptimin dhe rëndësinë e këtij parimi është theksuar se: “Gjykata Kushtetuese vlerëson se, në kuadrin e parimeve kushtetuese që qëndrojnë në themel të një procesi të rregullt gjyqësor, respektimi i parimit të paanshmërisë mundëson krijimin e besimit që gjykatat duhet të gëzojnë në një shoqëri demokratike. Paanshmëria kërkon që drejtësia jo vetëm të bëhet, por dhe të shihet që bëhet.

Në demokraci, ligjshmëria e rolit të gjyqtarit varet jo vetëm nga qenia e tij, por dhe nga shfaqja e tij i paanshëm dhe i pavarur, duke qenë roli i tij në mënyrë esenciale pasiv dhe super partes. Ekzistenca e paanshmërisë duhet të verifikohet duke aplikuar dy teste: testin objektiv, që shqyrton nëse gjyqtari ka ofruar garanci procedurale të mjaftueshme për të përjashtuar çdo dyshim legjitim të anshmërisë, dhe testin subjektiv, që ka të bëjë me bindjen e brendshme të gjyqtarit për mënyrën e zgjidhjes së çështjes”.

Nga zbatimi i këtij vendimi të Gjykatës Kushtetuese në lidhje me rrethanat specifike të çështjes objekt gjykimi,rezulton se vendimi i ndërmjetëm Nr.23-2015-631,datë 30.03.2015 i gjyqtares së vetme të Gjykatës së Rrethit Gjyqësor Sarandë që ka rrëzuar kërkesën e të paditurit {xxx} për përjashtimin e trupit gjykues të çështjes dhe që është ankimuar në përputhje me nenin 75/1 të K.Pr.Civile, së bashku me vendimin përfundimtar të çështjes,është i pabazuar në ligj dhe në prova, pasi;

a) Nga përmbajtja e procesverbalit të seancës gjyqësore të fazës së parë të pjesëtimit të datës 16.07.2010 (faqja 676 e dosjes gjyqësore) si dhe nga përmbajtja e Nr.236,datë 20.05.2011 të Gjykatës së Apelit Gjirokastër që i përket fazës së parë të pjesëtimit rezulton ,se në zbatim të nenit 371 të K.Pr.Civile, të jetë përcaktuar, se llogaritë ndërmjet bashkëpronarëve do të shqyrtohen në fazën e dytë të pjesëtimit;

b) Pavarësisht se këto akte shkresore ndodhen në dosjen gjyqësore dhe pavarësisht se për më tepër, shqyrtimi i llogarive ndërmjet bashkëpronarëve është përcaktuar si një procedurë e detyrueshme gjyqësore e fazës së dytë të pjesëtimit, kërkesa e bërë në këtë drejtim nga ana e të paditurit {xxx},është refuzuar me pa të drejtë nga trupi gjykues që ka shqyrtuar në themel çështjen,duke mos ofruar garancitë procedurale të mjaftueshme për të përjashtuar çdo dyshim tek i padituri për njëanshmërinë e këtij trupi gjykues;

c) Në përbërjen e trupit gjykues që ka gjykuar fazën e dytë të pjesëtimit, rezulton që njëra prej anëtarëve të ketë qenë në përbërje të trupit gjykues që ka gjykuar edhe fazën e parë të pjesëtimit, e cila ndryshe nga sa është shprehur në vendimin e ndërmjetëm të datës 16.07.2010 ,të marrë gjatë fazës së parë të pjesëtimit, se çështja e llogarive ndërmjet bashkëpronarëve do të shqyrtohet në fazën e dytë të pjesëtimit, gjatë fazës së dytë pjesëtimit, ka kundërshtuar vetveten, duke refuzuar shqyrtimin e një kërkese të tillë në fazën e dytë të pjesëtimit, madje duke u shprehur në mënyrë konfuze,në pjesën arsyetuese të vendimit objekt ankimimi se kjo çështje është shqyrtuar në gjykimet e mëparshme.

Jo vetëm që ky trup gjykues nuk tregon se cili ka qenë ky gjykim i mëparshëm, që ka shqyrtuar një kërkesë të tillë të fazës së dytë të pjesëtimit, por mbi bazën e vendimit gjyqësor të fazës së parë të pjestimit dhe akteve shkresore të marra në shqyrtim gjatë kësaj faze,ku e pranishme ka qenë edhe një nga anëtaret e trupi gjykues që ka gjykuar edhe fazën e dytë të pjesëtimit rezulton ,për më tepër, se pretendimet e të paditurit {xxx} për investimet apo përmirësimet e bëra mbi sendin e paluajtshëm, objekt pjesëtimi, vërtetë kanë qenë ngritur në formën e kundërpadisë që në fazën e parë të pjesëtimit, por në lidhje më këtë kundërpadi, me vendimin e fazës së parë të pjesëtimit të datës 26.10.2010,të lënë në fuqi me anën e vendimit Nr.236,datë 20.05.2011 të Gjykatës së Apelit Gjirokastër,është vendosur pushimi i gjykimit për shkak të mosparaqitjes,pas shkaqe të arsyeshme të të paditurit kundërpaditës {xxx}.

Në lidhje me këtë moment procedural, gjykata e shkallës së parë,gjatë fazës së dytë të pjesëtimit, është treguar e pakujdesshme, duke u nxituar dhe duke mos u thelluar, ndoshta për shkak të përpjekjeve për respektimin e afatit të arsyeshëm në përfundimin e gjykimit të kësaj çështjeje,në vlerësimin e faktit se nëse pretendimet e ngritura në kundërpadinë, për të cilën është pushuar gjykimi,përbëjnë “gjë”të gjykuar”, pasi po të lexohej me kujdes, në tërësinë e arsyetimit të tij, vendimi Nr.236,datë 20.05.2011 i Gjykatës së Apelit Gjirokastër, konstatohet se në faqen 5 të arsyetimit të këtij vendimi,në përgjigje të shkaqeve ankimore për pushimin e gjykimit të kundërpadisë, është theksuar se pretendimet e palëve për investimet apo përmirësimet dhe mirëmbajtjen që i është bërë pronës i nënshtrohen shqyrtimit gjyqësor në fazën e dytë të pjesëtimit sipas neneve 371 dhe 372 të K.Pr.Civile.

Në zbatim të vendimit nr.24,datë 12.11.2008 të Gjykatës Kushtetuese, “gjëja e gjykuar” përfshin jo vetëm urdhërimet e dispozitivit të vendimit gjyqësor, por dhe vërtetimet e fakteve dhe zbatimin e së drejtës, të përcaktuara në pjesën përshkruese arsyetuese të vendimit, dhe për rrjedhojë, zbatimi i normës juridike, nenit 371 të K.Pr.Civile, për shqyrtimin e pretendimeve për llogaritë e bashkëpronarëve të ngritura në kundërpadinë e pushuar, vetëm gjatë fazës së dytë të pjesëtimit, dhe jo në fazën e parë të pjesëtimit, sipas vendimit gjyqësor të formës së prerë të fazës së parë të pjesëtimit, përbën “gjë të gjykuar” dhe jo e kundërta, sikundër ka arsyetuar gjykata e shkallës së parë gjatë fazës së dytë të pjesëtimit në vendimin objekt ankimimi;

d) Në arsyetimin e vendimit që ka rrëzuar kërkesën për përjashtim gjyqtari rezulton që gjyqtarja e vetme që ka shyrtuar këtë kërkesë,jo vetëm që nuk i është referuar procesverbaleve të seancave gjyqësore të zhvilluara për të dy fazat e pjesëtimit, si dhe vendimit gjyqësor të formës së prerë të fazës së parë të pjesëtimit, por në kundërshtim me ligjin, nenin 371 të K.Pr.Civile, i konsideron, në të njëjtën mënyrë të gabuar, si “gjë e gjykuar gjatë fazës së parë, pretendimet e të paditurit {xxx} gjatë fazës së dytë për shqyrtimin e llogarive ndërmjet bashkëpronarëve;

e) Si objekt i vlerësimit të ofrimit të garancive të nevojshme për shmangien e çdo lloj dyshimi për njëanshmërinë e trupit gjykues,duhet të ishte edhe fakti ,që mbi bazën e arsyetimit të vendimit gjyqësor të gjykatës së shkallës së parë të datës 26.10.2010 “Për fazën e parë të pjesëtimit”, që është dhënë edhe nga njëra prej anëtareve të trupit gjykues që ka shqyrtuar edhe fazën e dytë të pjesëtimit, rezulton se sendi objekt pjesëtimi të jetë trajtuar, si në bashkëpronësinë e personave fizikë dhe jo si bashkëpronësi, në kushtet e ekzistencës së shoqërisë së thjeshtë, sipas urdhërimeve të vendimit gjyqësor të formës së prerë Nr.236,datë 20.05.2011 të Gjykatës së Apelit Gjirokastër,që nuk rezulton të jetë marrë fare në analizë në përmbajtje të këtij vendimi.

Cenimi i parimit të paanësisë në gjykim, sipas arsyetimit të mësipërm, përbën një shkak tjetër për prishjen e vendimit të gjykatës së shkalës së parë dhe dërgimin e çështjes për rigjykim me tjetër trup gjykues, në zbatim të nenit 467/b të K.Pr.Civile.

Jo vetëm për shkak se mosshqyrtimi i kërkesës për likuidimin apo zgjidhjen e llogarive financiare ndërmjet bashkëpronarëve gjatë fazës së dytë të pjesëtimit, e ka lënë të mangët hetimin gjyqësor në këtë drejtim ,duke mos lejuar kryerjen e një hetimi gjyqësor të plotë dhe të gjithanshëm sipas nenit 14 të K.Pr.Civile,por edhe sepse akti i ekspertimit vlerësues, i marrë si provë gjatë fazës së dytë të pjesëtimit, për ato konkluzione që janë dhënë në përmbajtje të tij, edhe pa pjesën e shqyrtimit të marrëdhënieve financiare ndërmjet bashkëpronarëve, konsiderohet nga Gjykata e Apelit si me të meta thelbësore, bëhet e nevojshme përsëritja tërësore e hetimit gjyqësor në lidhje me fazën e dytë të pjesëtimit, duke garantuar zhvillimin e një procesi të rregullt ligjor dhe në respektim të neneve 371,372,373 dhe 374 të K.Pr.Civile, që përcaktojnë rregullat e gjykimit të kësaj faze.

Akti i ekspertimit vlerësues i kryer nga eksperti {xxx} ,gjatë gjykimit në shkallë të parë, konsiderohet nga Gjykata e Apelit si me të meta thelbësore,pasi në përmbajtje të këtij akti ekspertimi,eksperti për përcaktimin e vlerës së pronës që i është nënshtruar pjesëtimit, edhe pse përcakton si metodë për përllogaritjen e kësaj vlere atë të krahasimit të drejtpërdrejtë, që nënkupton të dhënat krahasuese të mbledhura nga kontrata e shitjes në qytetin e Sarandës për 3 muajt e fundit të vitit 2014, nuk rezulton të ketë referuar tek ndonjë kontratë shitjeje konkrete për ndonjë objekt të përafërt dhe të ndodhur në një zonë të përafërt, me atë ku ndodhet prona objektet gjykimit, dhe as t’i ketë bashkëngjitur këtij akti ekspertimi ndonjë dokument konkret krahasues për përcaktimin e vlerës së tregut.

Gjithashtu, në mënyrë kontradiktore, me parimet e kësaj metode të zbatuar prej tij në rastin konkret,eksperti vlerësues, rezulton të jetë referuar në aktin e e tij të ekspertimit edhe tek Udhëzimi Nr.2,datë 06.08.2014 “Për miratimin e kostose mesatare të ndërtimit nga{xxx} për vitin 2014”, madje edhe pse pranohet, si nga eksperti në këtë akt ekspertimi apo provohet edhe gjykimet e mëparshme të zhvilluara ndërmjet palëve ndërgjyqëse se ky objekt {xxx}, është ndërtuar para 20 viteve duke u mirëmbajtur dhe përshtatur disa herë në funksion të zhvillimit urban dhe turistik.Në kundërshtim me përmbajtjen e nenit 229 të K.Pr.Civile,gjykata e shkallës së parë,qoftë edhe kryesisht, nuk ka vepruar për rregullimin e kësaj të mete thelbësore të aktit të eskpertimit vlerësues, por ka përfunduar hetimin gjyqësor, duke vlerësuar si provë një akt të tillë me këto të meta dhe duke mos kërkuar prej ekspertit sqarime për kontratat e shitjes, ku ai ishte referuar, apo duke mos vepruar kryesisht për marrjen me cilësinë e provave shkresore të këtyre kontratave të shitjes nga zyrat noteriale.Në vlerësimin për ekzistencën e kësaj të mete thelbësore të hetimit gjyqësor të lejuar gjatë gjykimit në shkallë të parë,Gjykata e Apelit mban parasysh, në mënyrë të veçantë, edhe përmbajtjen e vendimit unifikues nr.628,datë 15.05.2000 të Kolegjeve të Bashkuara të Gjykatës së Lartë,në të cilin, në lidhje me këtë rrethanë specifike të rastit objekt gjykimi,është arritur në këtë konkluzion për unifikimin e praktikës gjyqësore: “Marrja me cilësinë e provave shkresore e kontratave të shitjes nga zyrat noteriale dhe e çdo dokumenti tjetër të nevojshmë,të kërkuar nga palët,me qëllim të përcaktimit të kërkesë-ofertës për shitblerje,është detyrë e gjykatës dhe jo e ekspertëve”.

Në lidhje me mangësitë e hetimit gjyqësor,për shkak të mosshqyrtimit të të kërkesës të të paditurit për zgjidhjen e llogarive ndërmjet bashkëpronarëve,Gjykata e Apelit çmon se përveç kryerjes së ekspertimit kontabël që në kundërshtim me ligjin është rrëzuar si kërkesë e bërë nga i padituri,në funksion të hetimit të marrëdhënieve financiare që kanë ekzistuar ndërmjet bashkëpronarëve, duhet edhe:

a) Të lejohej i padituri {xxx} për të paraqitur prova shkresore në këtë drejtim, sidomos në lidhje me vlerën e ndërtimit apo investimet e kryera në këtë objekt.Një pjesë të këtyre provave ,ky i paditur i ka paraqitur në funksion të kundërpadisë, gjykimi i të cilës është pushuar gjatë fazës së parë të pjesëtimi dhe për rrjedhojë, gjykata e shkallës së parë duhet t’ia kishte nënshtruar ato hetimit gjyqësor në fazën e dytë të pjesëtimit;

b) Të hetohej për kredinë bankare të marrë pranë {xxx},të thirrur jo pa qëllim, me cilësinë e personit të tretë në këtë gjykim,duke përcaktuar se për ç’farë qëllimi është përdorur një kredi e tillë,shumën e detyrimit të paguar për llogari të kësaj kredie dhe kush e ka shlyer një detyrim të tillë; c) Të urdhërohej paraqitja personalisht,qoftë e paditësit,qoftë edhe e të paditurit,aktualisht të ndjerit {xxx},për të marrë pohime sipas nenit 182 të K.Pr.Civile në lidhje me marrëdhëniet financiare që kanë ekzistuar ndërmjet bashkëpronarëve dhe që përfshijnë ,në mënyrë të veçantë, pohimet për vlerën e ndërtimit,sipas situacioneve apo preventivavve përkatës të objektit {xxx},detyrimet e pagauar në shtet për ndërtimin e këtij objekti,detyrimet ndaj të tretëve dhe masën e shlyerjes se tyre,mënyrën e financimit të këtij objekti,raportet financiare ndërmjet bashkëpronarëve në këtë financim,si dhe investimet apo përmirësimet e bëra në vazhdimësi në këtë objekt,përveç sendeve të luajtshme,të cilat me vendimin gjyqësor të fazës së parë të pjestimit është pranuar se nuk janë objekt i këtij gjykimi dhe se nuk i nënshtrohen pjesëtimit;

d) Të kërkohej prej palëve ndërgjyqëse, në përputhje me detyrimin e përcaktuar në nenet 3 dhe 12 të K.Pr.Civile, paraqitja e dokumentacionit të marrë pranë organeve tatimore apo organeve të tjera shtetërore, që vërtetojnë detyrimet e paguara ndaj të tretëve në lidhje me ndërtimin dhe vënien në funksionim të këtij objekti.

Mangësitë e hetimit gjyqësor në drejtim të hetimit të rrethanave të sipërpërmendura, jo vetëm që rezultojnë nga mospëmbushja e kërkesave të neneve 371,372 të K.Pr.Civile si dhe nenit 207/3 të Kodit Civil në lidhje me vlerësimin e llogarive apo marrëdhënieve financiare ndërmjet bashkëpronarëve gjatë fazës së dytë të pjesëtimit, por hetimi gjyqësor i këtyre rrethanave, nuk është nuk mund të përbëjë “gjë të gjykuar” në bazë të provave të marra gjatë këtij gjykimi, pasi:
a) Në vendimin gjyqësor të formës së prerë Nr.241,datë 05.09.2005 të Gjykatës së Apelit Gjirokastër,në bazë të të cilit është vendosur përfundimisht njohja e bashkëpronësisë ndërmjet paditësit {xxx} dhe e të paditurve {xxx}në raportet 90% për paditësin dhe 10% për të paditurit,është arsyetuar se kjo bashkëpronësi ,mbi objektin {xxx}, është krijuar për shkak të ekzistencës së shoqërisë së thjeshtë sipas përcaktimeve të nenit 1074 të Kodit Civil dhe mbi bazën e akt-marrëveshjes së datës 06.12.1991 të lidhur ndërmjet paditësit {xxx} dhe të paditurit {xxx}.

Në mënyrë të qartë ,në këtë vendim, është përcaktuar se pjesa prej 90% e paditësit në këtë pasuri,është përcaktuar jo mbi bazën e kontributit të dhënë prej paditësit,por mbi bazën e marrëveshjes së datës 06.12.1991, që e përcaktonte në këtë përqindje pjesën e këtij ortaku të kësaj shoqërie të thjeshtë.Më konkretisht në këtë vendim është arsyetuar në këtë drejtim se: “Si konkluzion,në kushtet e ekzistencës së një shoqërie të thjeshtë, sendet e vëna në dispozicion të shoqërisë,konsiderohen se janë në bashkëpronësi të ortakëve,sipas pjesëve të përcaktuara nga ata vetë në ndarjen e kapitalit të shoqërisë.

Duke qenë se i padituri {xxx}, i ka mohuar paditësit bashkëpronësinë në masën 90% mbi sendin e përbashkët të përfshirë në kapitalin e shoqërisë së thjeshtë, paditësi ka të drejtë për të kërkuar të detyrohen të paditurit,të njohin bashkëpronar në pjesën përkatëse prej 90%, të pranuar në akt-marrëveshjen nga të dy palët pjesëmarrëse në të”.Gjithashtu,ajo që në të vërtetë përbën “gjë të gjykuar”, në pjesën arsyetuese të këtij vendimi,sipas përcaktimeve të vendimit nr.24,datë 12.11.2008 të Gjykatës Kushtetuese,në kundërshtim me arsyetimin e bërë nga gjykata e shkallës së parë në vendimin objekt ankimimi, është pranimi i faktit se likuidimi i shoqërisë dhe ndarja e pasurisë ndërmjet ortakëve nuk kanë qenë objekt i atij gjykimi,sipas kësaj mënyre arsyetimi: “Kërkesa e paditësit është e kufizuar vetëm tek njohja e bashkëpronësisë.

Likuidimi i shoqërisë dhe ndarja e pasurisë së ortakëve në zbatim të nenit 1102 e vijues të Kodit Civil,nuk është kërkuar dhe si e tillë mund të jetë objekt i një gjykimi tjetër, në rast të mosarritjes së ndonjë marrëveshjeje”.

Neni 1102 i Kodit Civil, ku referon ky vendim gjyqësor i formës së prerë, përcakton pikërisht mënyrën e shqyrtimit të llogarive dhe marrëdhënieve financiare ndërmjet ortakëve të shoqërisë së thjeshtë,sipas të njëjtave kushteve që përcaktohen edhe nga nenet 371 dhe 372 të K.Pr.Civile gjatë fazës së dytë të pjesëtimit dhe për rrjedhojë, hetimi gjyqësor i llogarive apo marrëdhënieve financiarë ndërmjet bashkëpronarëve nuk mund të konsiderohet, as në këtë aspekt se përbën “gjë të gjykuar”.

Duke pranuar bashkëpronësinë mbi sendin objekt pjesëtimi, si rrjedhojë e ekzistencës së shoqërisë së thjeshtë sipas marrëveshjes së datës 06.12.1991,rezulton se domosdoshmëria e hetimit gjyqësor të rregullimit të llogarive dhe detyrimeve ndaj të tretëve,për shkak të zhdukjes së bashkëpronësisë midis ortakëve,buron edhe nga neni 9 i kësaj marrëveshjeje;

b) Edhe në përmbajtje të vendimit të fazës së parë të pjesëtimit të datës 26.10.2010 të Gjykatës së Rrethit Gjyqësor Sarandë ,të lënë në fuqi me anën e vendimit Nr.236,datë 20.05.2011 të Gjykatës së Apelit Gjirokastër, jo vetëm që nuk rezulton të jenë vënë në diskutim këto rrethana që lidhen me shqyrtimin e llogarive apo marrëdhënieve financiare ndërmjet bashkëpronarëve, por përkundrazi, është theksuar se hetimi gjyqësor i tyre, duhet të realizohet gjatë fazës së dytë të pjesëtimit në përputhje me përmbajtjen e neneve 371 dhe 372 të Kodit Civil;

c) Hetimi gjyqësor i rrethanave për kredinë e marrë pranë {xxx}, në mënyrë të veçantë ,nuk mund të konsiderohet gjithashtu se përbën “gjë të gjykuar”, në kuadër të shqyrtimit të llogarive ndërmjet bashkëpronarëve gjatë fazës së dytë të pjesëtimit, pasi nga përmbajtja e vendimit të fazës së parë të pjesëtimit të datës 26.10.2010 të Gjykatës së Rrethit Gjyqësor Sarandë të lënë në fuqi me anën e vendimit Nr.236,datë 20.05.2011 të Gjykatës së Apelit Gjirokastër,rezulton të jetë deklaruar si e pavlefshme apo e paefektshme për paditësin {xxx},në raport me pjesën e tij në sendin e vendosur në hipotekë,vetëm kontrata e hipotekimit mbi pasurinë objekt pjesëtimi, sipas nenit 569 të Kodit Civil, por jo kontrata e kredisë bankare;

d) Të vetmet rrethana që përbëjnë “gjë të gjykuar”, në bazë të vendimeve gjyqësore të sipërcituara, janë ato që kanë të bëjnë me sendin objekt pjesëtimi (duke përjashtuar sendet e luajtshme të objektit {xxx},rrethin e bashkëpronarëve dhe pjesën takuese ideale të secilit, si rrethana që janë zgjidhur me vendimin gjyqësor të formës së prerë të pjesëtimit, apo edhe fakti i deklarimit të pavlefshmërisë së kontratës së pjesëtimit Nr.220 rep,Nr.162 kol,datë 06.03.1996, të lidhur ndërmjet të paditurve {xxx} në bazë të vendimit 241,datë 05.09.2005 të Gjykatës së Apelit Gjirokastër.

Meqenëse sqarimi i rrethanave të mësipërme në funksion të shqyrtimit të llogarive apo marrëdhënieve financiare ndërmjet bashkëpronarëve, si pjesë përbërëse e domosdoshme e shqyrtimit gjyqësor të fazës së dytë të pjesëtimit, apo edhe përcaktimi i vlerës së saktë reale të sendit objekt pjesëtimi, përbën një proces kompleks që kërkon verifikime komplekse dhe për rrjedhojë, përsëritjen tërësore të hetimit gjyqësor nëpërmjet kryerjes së një ekspertimi vlerësues dhe ekspertimi kontabël, si dhe nëpërmjet marrjes së provave shkresore nga palët ndërgjyqëse apo nga të tretë, duke paraqitur, për rrjedhojë, vështirësi në shkallën e dytë të gjykimit, Gjykata e Apelit, çmon se domosdoshmëria e një hetimit të tillë gjyqësor kompleks që nuk është kryer fare gjatë gjykimit në shkallë të parë, përbën një shkak tjetër për prishjen vendimit të gjykatës së shkallës së parë dhe dërgimin e çështjes për rigjykim në kuptim të neneit 467/ë të K.Pr.Civile.

· Si të bazuara vlerësohen nga Gjykata e Apelit edhe pretendimet e ngritura në shkaqet ankimore nga i padituri {xxx} në lidhje me mungesën e arsyetimit në vendimin gjyqësor, se përse në rastin konkret, në rrethanën e pranuar të pamundësisë së ndarjes në natyrë të sendit objekt pjesëtimi, që nuk është shtëpi banimi, gjykata e shkallës së parë, ka zbatuar përcaktimet e paragrafit të katërt të nenit 207 të Kodit Civil, që lejon lënien e sendit në pronësi bashkëpronarit që e kërkon atë,por që është i ndryshëm nga bashkëpronari që kërkon pjesëtimin, të cilit ky paragraf i njeh vetëm të drejtën e kërkimit të vlerës kompensuese sipas pjesës së tij, dhe jo përcaktimet e paragrafit të tretë të kësaj dispozite, e cila si rregull të përgjithshëm, në një rrethanë të tillë, përcakton urdhërimin për shitjen në ankand të këtij sendi.

Gjatë rigjykimit të çështjes, me qëllim përmbushjen e detyrimit për zhvillimin e një procesi të rregullt ligjor dhe realizimin e një hetimi gjyqësor të plotë dhe të gjithanshëm të çështjes, sipas nenit 14 të K.Pr.Civile, gjykata e shkallës së parë, duhet të shqyrtojë kërkesat e bashkëpronarëve për llogaritë që duhet të japin midis tyre si rezultat i marrëdhënies së bashkëpronësisë, në përputhje me përcaktimet e neneve 371 dhe 372 të K.Pr.Civile si dhe nenit 207/2 të Kodit Civil.

Në funksion të shqyrtimit të këtyre kërkesave,gjykata e shkallës së parë në rigjykim të çështjes duhet: 1) Të lejojë të paditurin {xxx} që në përputhje me nenet 12 dhe 213 të K.Pr.Civile të paraqesë provat e pretenduara prej tij në drejtim të vlerës së ndërtimit,investimeve apo shpenzimeve të mirëmbajtjes,të pretenduara si të kryera prej tij, në vazhdimësi në sendin objekt pjesëtimi;

2) Të urdhërojë kryerjen e ekspertimit kontabël për sqarimin e marrëdhënieve financiare ndërmjet bashkëpronarëve mbi bazën e provave që do të paraqiten në këtë drejtim;

3) Të urdhërojë paraqitjen e provave shkresore prej palëve ndërgjyqëse apo të kërkojë marrjen e provave tek të tretët, në përputhje me përcaktimit e nenit 223 të K.Pr.Civile, në lidhje me sqarimin e qëllimit të dhënies apo destinacionin e përdorimit të kredisë bankare të marrë nga BKT, Sarandë ,shumën e detyrimit të paguar për llogari të kësaj kredie dhe kush e ka shlyer një detyrim të tillë; 4) Të urdhërojë të paditurin {xxx} ,sipas përcaktimeve të neneve 3 dhe 12 të K.Pr.Civile,për paraqitjen e dokumentacionit ,të marrë pranë organeve tatimore apo organeve të tjera shtetërore, që vërtetojnë detyrimet e paguara ndaj të tretëve në lidhje me ndërtimin dhe vënien në funksionim të objektit {xxx}.
Gjithashtu gjatë rigjykimit të çështjes, gjykata e shkallës së parë në përputhje me nenin 229 të K.Pr.Civile, duhet të urdhërojë kryerjen e një akti të ri ekspertimi vlerësues, me qëllim përcaktimin e vlerës reale të sendit objekt pjestimi,duke përcaktuar më vete vlerën e këtij sendi ,në kohën e ndërtimit dhe në kohën e krijimit të bashkëpronësisë dhe më vete vlerën e investimeve të kryera në vazhdimësi mbi këtë send.Për vlerësimin me objektivitet të çmimeve të tregut të shitjes së pronave të njëjtës natyrë dhe në të njëtën zonë në qytetin e Sarandës,gjykata e shkallës së parë, në zbatim të urdhërimeve të vendimit unifikues nr.628,datë 15.05.2000 të Kolegjeve të Bashkuara të Gjykatës së Lartë,duhet të kërkojë nga palë ndërgjyqëse paraqitjen e kontratave noteriale të shitjes, apo të kërkojë kryesisht paraqitjen e këtyre kontratave noteriale,me qëllim vënien në dispozicion të këtyre akteve shkresore ekspertit vlerësue ,për dhënien e konkluzioneve të sakta dhe të bazuara në prova për përcaktimin e vlerës reale të tregut të këtij sendi.
Në varësi të konkluzioneve të ekspertimit vlerësues në lidhje ekzistencën apo jo të mundësisë për ndajen në natyrë të sendit objekt pjestimit,gjykata e shkallës së parë gjatë rigjykimit të çështjes,me qëllim cilësimin e saktë të saktë të fakteve dhe veprimeve që lidhen me mosmarrëveshjen objekt gjykimi ,sipas nenit 16 të K.Pr.Civile,në hipotezën e pamundësisë së ndarjes në natyrë të këtij sendi,duhet që nëpërmjet interpretimit të duhur literal dhe gramatikor të dispozitës materiale,nenit 207 të Kodit Civil, në raport me rrethanat konkrete të verifikuar në gjykim,t’u kthejë përgjigje pretendimeve të ngritura nga i padituri {xxx} në shkaqet ankimore, se nëse një rast të tillë duhet që të urdhërohet shitja në ankand e sendit objekt pjestimi ,sipas paragrafit të tretë të nenit 207 të Kodit Ciivl ,apo është e lejueshme,sipas zgjidhjes që ka përcaktuar gjykata e shkallës së parë në vendimin objekt ankimimi,që ky send t’i lihet në pronësi bashkëpronarit që kërkon pjestimin,paditësit {xxx}me kushtin që të kompesojë bashkëpronarët e tjerë që nuk kërkojnë pjestimin,në referim të parashikimit të bërë në paragrafin 4 të kësaj dispozite.Në këtë drejtim gjykata e shkallës së parë duhet të mbajë parasysh edhe përmbajten e paragrafit të pestë të nenit 207 të Kodit Civil,që në mënyrë përjashtimore,vendos rregulla të veçanta për mënyrën e zhdukjes së bashkëpronësisë për sendet që nuk mund të ndahen në natyrë,vetëm për shtëpitë e banimit, dhe jo për ndonjë kategori tjetër të sendeve të paluajtshme.

Kryerja e veprimeve të mësipërme, si dhe e të tjerave që mund të dalin gjatë rigjykimit, do t’i mundësojnë gjykatës së shkallës së parë në rigjykim të çështjes, që në përputhje me kërkesat e ligjit procedural e atij material, të mund të arrijë në konkluzione të drejta dhe objektive, lidhur me zgjidhjen e çështjes.

Arsyeja:
Baza Ligjore:
Gjykata e Apelit Gjirokastër, në bazë të nenit 466/ç  të K.Pr.Civile;
 

Vendimi:
Vendosi:Prishjen e vendimit Nr. 371, date 14.04.2015 te Gjykates se Rrethit Gjyqesir Sarande dhe dergimin e ceshtjes per rigjykim ne po ate gjykate me tjeter trup gjykues.
Kunder vendimit mund te behet rekurs ne Gjykaten e Larte brenda 30 diteve nga e nesermja e shpalljes. Per palet, ne mungese, ky afat fillon nga e nesermja e njoftimit te vendimit.

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb