TIRANË

Kryetari i PD-së Lulzim Basha ka shprehur ngushëllimet për ndarjen nga jeta të ish-të burgosurit politik Agim Musta.

Në një mesazh në “Facebook”, Basha shkruan se Agim Musta ishte një shembull i intelektualit që nuk u shmangej përgjegjësive të shumta që tranzicioni linte jetime.

Ai shprehet se u është pranë vajzave të tij, Elisabetës dhe Suelës dhe ndaj me to ndjesinë e krenarisë që ndjen çdo shqiptar për një dëshmitar të diktaturës komuniste, që, qysh prej 1990-s, ja kushtoi jetën e vet publikimit të këtyre dëshmive.

MESAZHI I BASHËS
Me hidhërim të thellë mësova ndarjen nga jeta të historianit, filologut dhe aktivistit të të drejtave të njeriut Agim Musta, një dëshmitari të çmuar, një simboli të rezistencës antikomuniste dhe një rrëfyesi të pashoq për krimet e diktaturës komuniste.

Agim Musta ishte etaloni i të burgosurit politik në diktaturën komuniste. Ai ishte pjesëtar i “grupit socialdemokrat”, së bashku me Pjetër Arbnorin, Uran Kalakulën e të tjerë antikomunistë që në 1962 u arrestuan, sepse tentuan të themelonin të parin formacion politik, pas vendosjes së diktaturës më 1944-ën.

Pasi provoi për 13 vjet burgjet më të egra të diktaturës, në Burrel e në Spaç, Agim Musta u mbijetoi edhe viteve të tjera të diktaturës dhe u përfshi në vitin 1990 në Lëvizjen për Demokraci, duke qenë një themelues i Shoqatës së të Përndjekurve Politikë.

Emrin e Agim Mustës e gjen në çdo nismë për rehabilitimin e viktimave të komunizmit, integrimin në shoqëri të ish-të përndjekurve politikë dhe pasardhësve të tyre, si dhe në radhën e parë të atyre që kërkonin ndëshkimin e ideatorëve dhe atyre që vunë në zbatim për 45 vjet diktaturën më të egër në Evropë. Ai ishte hartuesi i parë i hartës së zbulimit të më shumë se 100 burgjeve, kampeve të internimit e kampeve të telave me gjemba. Agim Musta ishte një kontributor në themelimin e Pavionit të terrorit komunist në Shqipëri dhe njëri nga anëtarët e komisionit që u mor me rindërtimin e Pavionit të viktimave të diktaturës komuniste, në 2012-ën, në 100-vjetorin e pavarësisë. Ai kontribuoi në vetë të parë, jo vetëm në mbledhjen e dëshmive, por edhe me publikimin e 13 librave, me fakte historike, dëshmi e intervista për zbardhjen e krimeve gjatë 45 viteve të diktaturës.

Agim Musta ishte një shembull i intelektualit që nuk u shmangej përgjegjësive të shumta që tranzicioni linte jetime. Angazhimi i tij në mbrojtje të të drejtave të njeriut, si dhe për gjetjen e eshtrave të mbi 4 mijë të vrarëve të diktaturës është një leksion për të gjithë ne. Kur shoqëria ka nevojë, intelektualët e ngrenë zërin, ata rreshtohen dhe nuk stepen as nga intimidimet e metastazave të diktaturës e as nga joshja imorale e zengjinëve që duan të blejnë heshtjen, robërinë e re të shoqërive me demokraci hibride.

Unë u jam pranë vajzave të Agim Mustës, Elisabetës dhe Suelës, dhe ndaj me to ndjesinë e krenarisë që ndjen çdo shqiptar për një dëshmitar të diktaturës komuniste, që, qysh prej 1990-s, ja kushtoi jetën e vet publikimit të këtyre dëshmive. Këtu jeta e Agimit dallon nga jeta e të burgosurve të tjerë të komunizmit. Publikimi i dëshmive për krimet dhe i librave të tjerë historikë është një kontribut i pashoq, për të cilin jam i sigurt se shoqëria shqiptare do t’i jetë përjetësisht mirënjohës Agim Mustës. U prehtë në paqe!

(m.k/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb