TIRANE

I arrestuar nga policia si autor i dyshuar i vrasjes së Hekuran Billës, ngjarje e ndodhur më 11 qershor, në zonën e Komunës së Parisit, Viktor Marku ka dalë sot para trupit gjykues për t’u njohur me masën e arrestit.

Gazetarja Klodiana Lala tha se sipas sistemit TIMS, Marku rezulton të ketë dalë nga Shqipëria nga pika e Muriqanit për në drejtim të Malit të Zi, në 19 janar 2020, por një dëshmitar thotë se Viktor Marku gjatë ketyre muajve ka qënë në Shkodër pasi mori me qira në biznesin e tij një makinë ‘smart’. Po sipas dëshmisë makinën Marku ia ka lënë nipit të tij, Sebastjan Mali, gjithashtu i arrestuar si bashkëpunëtor në vrasje.

Sakaq në funksion të dosjes hetimore mësohet se janë analizuar pamjet nga 38 kamera sigurie pranë zonës. Organi i akuzës ka dyshime se Viktor Marku shfaqet në një moment në kamera teksa zbret nga makina smart marrë me qira dhe ngjitet në automjetin ‘mercedez benz’ i vjedhur në Shkodër që u përdor në atentat. Prokuroria thotë se në makinë është ngjitur dhe një person i dytë.

I arrestuari Viktor Marku është vëllai i Prel Markut, që u vra nga Hekuran Billa në Angli në tetor të vitit 2006, ngjarje për të cilën Billa u dënua me burgim të përjetshëm nga gjykatat britanike dënim i konvertuar me 25 vite sipas legjislacionit shqiptar.

(BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb