Gjykata e Sarandës ka dënuar me 6 vjet e 8 muaj burg një 51-vjeçar nga Berati, i cili një vit më parë u kap me rreth 2.5 kg marijuanë në tentativë për ta trafikuar më këmbë drejt kufirit të gjelbër shqiptaro-grek.

Prokurorja Alba Dhima ka kërkuar dënimin me 10 vjet burg dhe ne përfundim për shkak të gjykimit të shkurtuar me 6 vjet e 8 muaj burg për Niko Kobuzin për veprën penale “trafikim i lëndëve narkotike në bashkëpunim, mbetur në tentativë”, dënim i cili është dhënë edhe nga gjyqtari Fatmir Ndreu.

Kobuzi u kap pasditen e 23 tetorit 2020 nga efektivët e policisë të Pikës së Kalimit Kufitar (PKK) Qafë Botë, Konispol, në brezin e gjelbër kufitar, në tentativë të kalimit të paligjshëm të kufirit shtetëror.

Gjate kontrollit policor, në brendësi të çantës së shpinës që mbante i janë gjetur dy qese në ngjyrë të zezë, brenda të cilave ndodheshin dy pako të mbështjella me letër të tejdukshme natriban ne brendësi të të cilave gjendeshin 2 kg 490 gram marijuanë.

Gjatë marrjes në pyetje, Kobuzi ka pranuar faktin se në çantën e tij ka pasur dy pako me lëndë narkotike, peshën e së cilës nuk e di me saktësi. Ai ka deklaruar se në qytetin e Beratit punon si punëtor ndërtimi dhe një ditë e ka thirrur për të punuar tek banesa e tij një shtetas të cilin ai e njeh me emrin Altin. Duke biseduar me të dhe duke i treguar rreth problemeve të tij ekonomike, ky i fundit i ka propozuar një punë e cila konsistonte në transportimin e një çante që përmbante lëndë narkotike deri në piramidën nr. 68 në kufi me Greqinë. Pagesa për këtë do të ishte 40 000 lekë dhe do ta merrte kur të linte çantën tek piramida.

Në lidhje me personin që e ka porositur dhe i ka dhënë çantën për transportim i dyshuari pohon se quhet Altin, por nuk i di gjeneralitetet e plota, megjithatë sipas tij nëse do ta shihte do arrinte që ta njihte. Ndërsa në lidhje me personin që do e priste në kufi ai pohon se nuk ka asnjë të dhënë se cili do të ishte dhe nuk ka kontaktuar asnjëherë me të. Ai kishte deklaruar se e ka kryer këtë veprim të paligjshëm i ndikuar nga kushtet e vështira ekonomike dhe në gjendje të rënduar psikologjike pasi ka bashkëshorten e sëmurë me diabet dhe ka dy vjet që është në pamundësi për të paguar kredinë e shtëpisë.

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb