Nga Ina ALLKANJARI

Dy ditë pas denoncimit publik të ish-kryeprokurores së Kukësit Rita Gjati, 26-vjeçari Ledian Halili ka kërkuar urdhër mbrojtjeje nga prokuroria. Kjo për faktin se përveç kërcënimeve të marra sipas tij nga kryeprokurorja Gjati për prerje koke, duarsh dhe këmbësh, atij i është hakeruar faqja në rrjetin social “Facebook”. Gjithashtu, i riu pretendon se ka pasur ndërhyrje edhe në aparatin e tij celular. Kjo, pasi i janë fshirë thirrjet hyrëse dhe dalëse të kryera me kryeprokuroren.

Në një intervistë për “Gazeta Shqiptare”, Ledian Halili u shpreh se dje i është drejtuar Prokurorisë për Krimet e Rënda në Tiranë për të kërkuar urdhër mbrojtjeje, ku ka biseduar me zv.drejtorin. Ndërkohë, ai pohoi se kërkesa e tij për urdhër mbrojtje i është deleguar prokurorisë së Lezhës, e cila një javë më parë ka nisur hetimet për kërcënimet e bëra ndaj tij nga ish-kryeprokurorja e Kukësit. Gjithashtu, Halili sqaroi dhe pse mendon se vjedhja e faqes së “Facebook-ut” të tij lidhet me kryeprokuroren Gjati.

Cila është arsyeja që kërkuat urdhër mbrojtjeje nga prokuroria?
Shumë ngjarje të ndodhura ditët e fundit më bënë t’i drejtohesha prokurorisë për të kërkuar një urdhër mbrojtjeje. Përveç kërcënimit të marrë nga ish-kryeprokurorja Rita Gjati në 31 korrik të 2017, disa ditë më parë më hakeruan faqen time të “Facebook”-ut. Por kjo nuk mbaroi me kaq, pasi vura re që më kishin ndërhyrë edhe në aparatin tim celular, duke më fshirë thirrjet hyrëse dhe dalëse të kryera me ish-kryeprokuroren.

A u pranua kërkesa juaj?
Sot (dje) takova zv.drejtorin e Prokurorisë për Krimet e Rënda në Tiranë për t’i kërkuar urdhrin e mbrojtjes, të cilin e falënderoj për suportin dhe mbështetjen që më ofroi. Ai më shpjegoi se urdhrin e mbrojtjes në rastin tim e jep gjykata me kërkesë të prokurorit përgjegjës që po ndjek çështjen time. Për këtë arsye do i drejtohem prokurorit përgjegjës në Lezhë për të depozituar një kërkesë për mbrojtje.

Pse mendon se vjedhja e faqes suaj të “Facebook”-ut lidhet me ish-kryeprokuroren Rita Gjati?
Vjedhjen e faqes sime në “Facebook” e lidh me ish-kryeprokuroren, pasi disa ditë më parë, përpara se të më merrnin përfundimisht faqen pa pasur mundësi ta rimarr më, dikush postoi një shkrim në emrin tim. Ishte një postim joreal, ku i kërkoja falje prokurores Rita Gjati, pasi unë kam qenë i dehur kur kam bërë denoncimin. Kjo gjë më solli dyshime të arsyeshme se hakeruesi ka lidhje me prokuroren në fjalë. Por besoj se është detyra e organeve kompetente për të hetuar rastin që parashtrova.

Intervistën e plotë e lexoni në “Gsh.al”:
http://www.gsh.al/2017/10/11/u-kercenua-jete-nga-ish-kryeprokurorja-26-vjecari-kerkon-urdher-mbrojtjeje-ja-e-verteta-ime-rita-gjatin/

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb