Shoqata Rajonale e Futbollit Fier ditën e djeshme zgjodhi kryetarin e ri pa një kundërshtar përballë. Jo se askush nuk mori mundimin që të kandidonte përballë të zgjedhurit Haxhiraj, por ai që e tentoi këtë gjë, nuk u pranua në garë.

Elidon Demiraj e ka ngritur këtë shqetësim që në ditët e para të janarit, e sot për një prononcim për “Panorama Sport”, ai flet për zgjedhjet e djeshme që janë mbajtur në këtë shoqatë.

“Zgjedhjet e djeshme shkuan siç i kishin planifikuar. Gjithë shoqata ka 23 anëtarë të regjistruar, në dijeninë time, 10-11 prej tyre nuk ishin paraqitur për të votuar.

Nuk kanë qenë dakord, me të drejtë, me vendimet që ka marrë shoqata dhe federata. Kanë vajtur të gjithë përpara noterit dhe do shkojmë të gjejmë të drejtën. Ku do ankohesh ti? Në federatë? Aty s’të pyesin fare, sepse ajo është palë me ata”.

KANDIDIMI – “Mua më propozuan tre anëtarë për të kandiduar edhe nuk më pranuan. Gjetën disa justifikime, jo po kjo është e pavlefshme, jo po te kjo mungon kjo, më pas nuk hapnin edhe telefonin.

Këtu nuk gjen dot zgjidhje, e kanë bërë një qark të mbyllur, që t’i nuk ke asnjë mundësi.

Zgjedhje janë këto? Shkojnë aty, u thonë ata do zgjidhni këtë edhe mbaroi. Pse zgjedhje janë këto? Pa kandidat përballë. I kanë mësuar hilet dhe nuk ua del dot. Kur e bënë në mes të Tiranës që është e gjithë vëmendja aty, jo më në Fier.

Edhe në gjykatë, kur të shkojmë, mbaron procesi kur të ketë mbaruar mandati i shtatë i Armand Dukës.

Që në momentin që të thonë 11 shoqata që nuk vijmë, shikojeni edhe një herë procesin, pse kanë ankimime, pse ankohen, këtu nuk duan t’ia dinë fare”, përfundoi Demiraj.

(BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb