Në zemër të Sarandës, një ndërtesë që ka parë shumë breza të rriten dhe të formohen, fsheh një thesar të vërtetë: Muzeun e Gjimnazit të Sarandës. Ky gjimnaz, me një histori 62-vjeçare, dhe muzeu i tij, me 44 vjet ekzistencë, janë dy institucione që kanë lënë një gjurmë të pashlyeshme në jetën e qytetit. Gjimnazi “Hasan Tahsini” në Sarandë, nuk ka qenë thjesht një institucion arsimor, por një qendër e rëndësishme e jetës kulturore dhe sociale të qytetit. Brenda mureve të tij, gjenerata pas gjeneratash janë edukuar; janë formuar personalitete të shquara në fusha të ndryshme, dhe janë lindur ide të reja.

I krijuar 44 vite me parë, me nismën e dy intelektualëve të njohur, mësues të kësaj shkolle, Xhorxhi Vasili dhe Vasil Partali, muzeu i gjimnazit të Sarandës, është një thesar i pacmuar për qytetin dhe të gjithë ata që janë të interesuar të mësojnë më shumë mbi historinë e arsimit në Shqipëri.

Në stendat e këtij muzeu gjenden gjurmët e atyre që ecën përpara me ëndrrat për të ardhmen, shpërfaqur përmes librave të zverdhur, fotografive bardhë e zi dhe dëshmive të shkruara me dorë, që ruajnë zërat e të rinjve, të vendosur për të ndryshuar botën. Çdo artefakt, dokument, apo objekt i vendosur në këtë muze, bart një histori të veçantë –histori nxënësish dhe mësuesish, histori sakrifice dhe vizioni.

Muzeu i Gjimnazit “Hasan Tahsini” të Sarandës është një institucion unik në vendin tonë. Struktura e tij e organizuar, pasuria e materialeve dhe përkushtimi i kujdestarit të tij, Xhorxhi Vasili, e bëjnë atë një referencë për muze të tjerë të këtij lloji. Në këtë muze, historia nuk është thjeshtë një narrativë, por një përvojë e gjallë që prek emocionet dhe zgjon kuriozitetin.

Por pavarësisht vlerave të tij të jashtëzakonshme, muzeu përballet me sfida të shumta, sociale dhe infrastrukturore. Lagështia dhe kushtet jo të mira të hapësirës ku është vendsour, rrezikojnë të dëmtojnë materialet e vlefshme që ruhen aty. Përkujtimi i 44-vjetorit të krijimit të muzeut është një rast për të vlerësuar punën e bërë dhe për të nxitur institucionet të mbështesin këtë projekt të rëndësishëm.

Muzeu i Gjimnazit të Sarandës është më shumë se një vend ku ruhen objekte të vjetra. Është një arkë thesari ku ruhet kujtesa e një komuniteti, një testament i vlerave të edukimit dhe i rëndësisë së të mësuarit gjatë gjithë jetës.

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: