Sotir Çabiri, 36 vjeç është arrestuar sot nga policia e Sarandës si autor i dyshuar i hedhjes në erë të hotel “Bizantit” në Sarandë, krim që dyshohet se kishte si motiv konfliktin e pronësisë së objektit 700 metër katrorë.

36-vjeçari Çabiri që shihni në foto u zbulua nga kamerat e sigurisë pasi ka dalë 3 minuta para shpërthimi nga hoteli. Por vetë i akuzuari nuk e pranon autorësinë e krimit dhe ka deklaruar se ishte kthyer në hotel pasi kishte harruar diçka. “Nuk kam lidhje me shpërthimin. Unë u ktheva në hotel se kisha harruar diçka dhe do iknim jashtë Shqipërisë”, ka thënë 36-vjeçari kur është pyetur për pamjet e kamerave të sigurisë që e nxirrnin duke dalë nga hoteli pak para ngjarjes.

Ndërkohë sipas policisë, tritoli ishte vendosur në 5 pika në ndërtesë, çka tregon vendosmërinë e autorit për ta rrëzuar objektin totalisht.

Ngjarja ndodhi mëngjesin e djeshëm në bulevardin e qytetit, teksa nga shpërthimi i fuqishëm u dëmtuan dhe 30 objekte pranë hotelit.

Sotir Cabiri2
Sotir Cabiri2

Sipas policisë, pas ngjarjes së ndodhur mëngjesin e djeshëm, në Sarandë, u ngrit një grup i posaçëm hetimor, i përbërë nga specialistët dhe ekspertët më të mirë të Departamentit të Policisë Kriminale në Policinë e Shtetit, DVP Vlorë dhe Komisariatit të Policisë Sarandë, dhe nën drejtimin e Prokurorisë pranë Gjykatës së Rrethit Gjyqësor Sarandë, vijuan veprimet për zbardhjen e ngjarjes.

Falë hetimeve të shpejta dhe profesionale, të kryera nga grupi i posaçëm hetimor, për rreth 12 orë, u bë e mundur zbardhja e ngjarjes, identifikimi dhe ndalimi i autorit të dyshuar për veprën penale “Shkatërrimi i pronës me eksploziv”, me pasoja të rënda materiale.

Policia ka sekuestruar dhe veshje që dyshohet se janë përdorur nga autori, gjatë vendosjes së lëndës eksplozive, 3 celularë dhe sende të tjera që u gjetën në vendngjarje.

Sotir Çabiri sipas policisë, mëngjesin e djeshëm, në lagjen nr. 1, Sarandë, dyshohet se ka vendosur një sasi lënde eksplozive, në hotelin që babai i tij, shtetasi Spiro Çabiri, 63 vjeç, kishte në bashkëpronësi me shtetasin Dhimitër Evangjeliu, për shkak të një procesi gjyqësor që kishin 63-vjeçari dhe shtetasi Dhimitër Evangjeliu, proces i nisur që në vitin 2002, dhe në përfundim të të cilit, pjesa më e madhe e këtij hoteli do të kalonte në pronësi të shtetasit grek Dhimitër Evangjeliu.

Si pasojë e shpërthimit me eksploziv, u shkatërrua plotësisht hoteli i ndërtuar në vitin 1996 dhe gjithashtu u shkaktuan dëmtime të fasadave të objekteve të tjera në afërsi të hotelit. Nga shpërthimi nuk pati asnjë shtetas të dëmtuar.

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb