Taulant Seferi thotë se sido që të shkojë ai, te Tirana rilindi. Në një intervistë për “Panorama Sport”, sulmuesi i Tiranës foli për të ardhmen e tij dhe jo vetëm. Seferi tregon pse mungoi këto kohë në skuadër. Çfarë do të ndodhë në të ardhmen dhe nëse bardheblutë kanë mundësi që ta fitojnë sërish titullin kampion. Për lojtarin ka oferta serioze në drejtim të tij dhe duhet të jetë gati për një lëvizje në një kampionat më të fortë. Sigurisht, flitet për transferim me shifra mbi 500 mijë euro që mund të marrë klubi, ashtu si edhe rroga e lojtarit. Kujtojmë se sulmuesi është nga më të paguarit te Tirana, ndërsa ishte më i miri në fushën e lojës gjatë sezonit të fundit. Futbollisti sezonin e shkuar në 43 ndeshje koleksionoi: 19 gola, 10 asiste dhe 3814 minuta. Këtu nuk llogariten ndeshjet e Kombëtares shqiptare.

Pas shumë mungesash në stërvitje për arsye shëndetësore, Taulant si jeni me shëndet?

Mirë, mirë, shyqyr Zotit. E kalova COVID-in. Më saktë nuk e di nëse ishte COVID apo diçka tjetër. Gjithsesi, e kalova. Tani jam i lehtësuar dhe u ktheva. Realisht u ktheva, sepse u bë shumë e madhe (qesh).

U bë e madhe, sepse jeni lojtari kryesor i skuadrës dhe sytë për çdo gjë janë te ju?

Nuk e di se si e shohin opinionistët dhe të tjerët. Unë jam lojtar si gjithë të tjerët. Veten nuk e shoh as si kryesori dhe as si i fundit. Unë jam njësoj si gjithë të tjerët dhe … Jam këtu te Tirana. Do të shohim se çfarë do të ndodhë, por për momentin jam këtu.

Deri tani ka fjalë për disa oferta në adresën tuaj. Si qëndron e vërteta?

Po, është e vërtetë. Ka shumë oferta. Ka edhe bisedime dhe fjalë apo fjali të mëdha, por nuk e di se çfarë do të ndodhë. Këtë do t’ia lëmë së ardhmes.

Titulli mund të përsëritet edhe këtë sezon. Asnjë skuadër nuk e ka fituar dy herë rresht që prej Skënderbeut?

Pa dyshim që po. Ekipin e kemi cilësor dhe na kanë ardhur edhe lojtarë të tjerë si Kallaku që do të zëvendësojë Totren. Është shumë pozitive për Tiranën. Besoj se ekipin e kemi shumë të mirë.

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb