Një ngjarje e rëndë ka ndodhur në Devoll, ku një 53-vjeçar është gjetur i pajetë në banesën e tij, ku dyshohet se është asfiksuar nga gazi i gjeneratorit.

Gazetarja Lorena Kodra raporton për “BalkanWeb” se viktimë është shtetasi Andrea Grazhdani, i cili ishte kthyer nga Greqia tri ditë më parë dhe po punonte në shtëpi për vendosjen e kaldajave.

Siç mëson gazetarja Kodra, dje 53-vjeçari ka hapur gjeneratorin, për shkak të mungesës së energjisë elektrike, prej ku dhe është asfiksuar. Ka qenë fqinji i tij, që ka njoftuar policinë, pasi ka gjetur në mëngjes derën e 53-vjeçarit të mbyllur, teksa ka shkuar për ta ndihmuar me punimet.

Devoll/Informacion paraprak

Më datë 12.12.2021, rreth orës 11:00, në fshatin Progër, në garazhin e banesës së tij, është gjetur i pa jetë, pa shenja dhune, shtetasi A. G., rreth 53 vjeç, i cili jetonte i vetëm.

Nga të dhënat e para, dyshohet se ky shtetas ka ndërruar jetë nga asfiksia e gazit të gjeneratorit që përdorte.

Grupi hetimor po punon për zbardhjen e rrethanave të ngjarjes.

(BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb