Vllaznia për femra shkruajti historinë duke u kualifikuar në grupet e Champions League. Pas ndeshjes, Presidenti i Federatës Shqiptare të Futbollit, Armand Duka ka bërë një postim në rrjetet sociale, ku uron vajzat shkodrane për suksesin.

“Futbolli është i bukur se na dhuron emocione të ndryshme ditë pas dite.Sot Vllaznia e vajzave ka shkruar historinë me fitoren kundër ekipit ukrainas të Vorskla Kharkiv dhe tashmë do të marrë pjesë në grupe të Champions League për herë të parë.

Urimet e mia më të sinqerta për vajzat e Vllaznisë, stafin drejtues dhe Presidentin Lazër Matija. Urime për punën e përditshme me vullnet, pasion e përkushtim për të qenë krenaria e qytetit tuaj të mrekullueshëm Shkodrës, por edhe Shqipërisë.

Në FShF kemi bërë një punë të jashtëzakonshme për mbështetjen e futbollit të vajzave, por ju, na treguat me punën tuaj, se duhet të bëjmë më shumë.
E tani, të jemi gati të shohim vajzat tona të Vllaznisë të shkruajnë historinë e të na përfaqësojnë denjësisht në Europë.
Urime Vllaznia. Urime vajza!” – Shkruan Duka.

 

Gjithashtu, një reagim ka patur edhe nga Kryetarja e Komisionit të futbollit të femrave, Anila Basha.

“Kjo lojë po bëhet shumë e fortë. Atë që s’e bënë dot djemtë, vajzat e arritën më së miri. Tani, vajzat e Vllaznisë në Europë, janë një realitet që do ta shijojmë të gjithë. Më së pari vetë futbollistet tona të talentuara, qyteti i Shkodrës që ato përfaqësojnë me zemër, dhe gjithë Shqipëria.Vajzat e Vllaznisë mundën sot në “Loro Boriçi” ukrainaset e Vorskla Kharkiv me rezultatin 2 me 1 dhe ky rezultat i çon për herë të parë në grupet e Ligës së Kampioneve.

Në emrin tim personal, si kryetare e komisionit të Futbollit të Vajzave në Shqipëri, shpreh mirënjohjen për punën e palodhur të vetë vajzave futbolliste dhe stafit që i trajnon me përkushtim ditë pas dite.Shpresoj dhe besoj për një përfaqësim sa më dinjitoz në kompeticionin evropian, për të ngritur lart, emrin e Vllaznisë, Shkodrës dhe gjithë Shqipërisë. Ndihma e pakursyer e Federatës Shqiptare të Futbollit nuk do të mungojë” – Tha Anila Basha.

(BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: