Hetuesit rusë pretendojnë se pilotët ukrainas kanë kryer sulme ajrore në një zonë të banuar në Rusi. Zyrtarët thonë se dy helikopterë ushtarakë, të pajisur me armë të rënda sulmuan qytetin e Klimovës, duke plagosur të paktën shtatë persona, përfshirë edhe fëmijë.

Gjithashtu raportohet edhe për 6 shtëpi të shkatërruara. Rusia pretendon se Ukraina ka sulmuar këtë qytet, pas njoftimeve nga Moska se ushtria e tyre do të bombardonte Kievin dhe pjesë të tjera të Ukrainës. Sipas guvernatorit të rajonit Belgorod të Rusisë, fshati Spodaryushino u granatua nga Ukraina, duke shkaktuar evakuimin e tij së bashku me një fshat fqinj.

Duke shkruar në Telegram, Vyacheslav Gladkov tha se askush nuk u lëndua dhe asnjë ndërtesë banimi nuk u dëmtua.

Pretendimi vjen pasi zyrtarët rusë akuzuan Ukrainën për kryerjen e sulmeve ajrore në një zonë tjetër të banuar në qytetin Klimovo në rajonin Bryansk.

Kujtojmë se dy javë më parë, një depo nafte u dogj gjithashtu në Belgorod – Rusia pretendoi se Ukraina ishte gjithashtu përgjegjëse për këtë.

Sakaq, Rusia duket se ka rigrupuar trupat e saj për në Lindje, ku synimi tanimë do të jetë rajoni i Donbasit, që u bë edhe “pretekst” për nisjen e luftës.

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: