Ish-ministri i Jashtëm, Ditmir Bushati, i cili u la jashtë listave të PS nga kryeministri Edi Rama, zhvilloi këtë mbrëmje një bashkëbisedim me të rinj në një lidhje live në “Instastory”. Një prej të rinjve e pyeti Bushatin se “çfarë plani ka për të ardhmen dhe cili është mekanizmi që i bën partitë më demokratike?”

Në përgjigjen e tij, Bushati nuk i kurseu kritikat e forta për Partinë Socialiste, teksa tha se ka pranuar njerëz, që sipas tij, e kanë nisur karrierën politike në PD duke blerë vota, më pas kanë shkuar në LSI duke blerë vota, dhe tani i ofrohen PS për të blerë vota.

Më tej, ish-ministri tha se tre janë elementët kryesorë për një parti politike, si organizimi, boshti i vlerave programatike dhe rregullat e bashkëjetesës, duke shtuar se për fat të keq në këto vite edhe në PS ka pasur deformime të tyre.

“Planet e mia janë ato që i kam bërë publike dua të vazhdoj të kontribuoj në politikë. Dua të punoj për një PS, e cila ka në qendër të vëmendjes këto shqetësime që ngre unë, që kujdeset për interesin publik, që kujdeset për mirëqenien. Për një PS që është partia e intelektit, që është një parti që punon për ekonominë, për një shoqëri tregu. Këto janë ato shtyllat kryesore, që e mbajnë një familje politike së bashku. Tre janë elementet: organizimi, boshti i vlerave programatike dhe rregullat e bashkëjetesës. Kemi parë për fat të keq këto vite, qoftë në PS, deformime të këtyre elementeve. Me keqardhje kam konstatuar dhe identifikuar, si dhe ndarë shqetësimet e mia në forumet e PS.

Njerëzit duhet të dinë për çfarë votojnë, votojnë për një parti me një program të caktuar, një ekip që është i gatshëm të marrë në dorë fate te tyre dhe një lider në krye të këtij ekipi. Shqetësimi im kryesor ka qenë dhe mbetet me njerëz që e kanë krijuar karrierën politike në PD, duke blerë vota, më pas kanë shkuar në LSI, duke blerë vota, dhe sot i ofrohen PS, për të blerë vota. Apo njerëz që e kanë nisur në partinë Demokristiane dhe sot janë me PS. Ne nuk mundet ta banalizojmë apo zëvendësojmë rolin e aktivistit politik me rolin e një interesaxhiu, që i ofrohet një partie thjesht dhe vetëm për të marrë një vend pune. Unë do vijoj të bëj thirrje për respektimin e disa standardeve, për integritetin e tyre moral, profesional, dhe jo për të strehuar në listën e PS ato që i konsideroj ekzekutorët e gjakderdhjes financiare të këtij vendi. Mendoj se përmes vetëkorrigjimit PS do të ishte dhe do të jetë edhe më e fortë”, tha ish-ministri Bushati.

(BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb