DURRËS

Arrestim të paligjshëm e ka cilësuar avokati i Selim Çekajt, Neshat Fana vënien në pranga të 72-vjeçarit. Pas seancës së sotme për caktimin e masës së sigurisë, ku Çekaj u la në burg, Fana deklaroi se përgjegjësinë për kontejnerin e mban transportuesi dhe se kontejneri ka dy muaj që vërtitet nga Ekuadori në Marok, Turqi e Greqi.

Sipas avokatit, nuk ka asnjë provë për arrestimin e 72-vjeçarit, teksa hodhi dyshime se kompania e tij është piketuar nga mafia.

“Është arrestim i paligjshëm. Përgjegjësia për kontejnerin nga nisja deri në mbërritje në magazine e mban transportuesi sipas kontratës së nënshkruar midis palëve. Pronari i mallit, pritësi ose blerësi ka të drejtë të hapë kontejnerin kur futet në magazinë për të parë sasinë dhe cilësinë e mallit. Blerësi nuk ka asnjë përgjegjësi. Nuk ka asnjë provë, nuk ka telefon, asnjë provë që të ketë folur. Është plak 72 vjeç, nuk di as gjuhë të huaja. Si u lidh me trafikantët e Amerikës Latine? Çfarë pagese bëri, me kë kontaktoi, me cilët foli? Ai kontejner ka dy muaj që vërtitet nga Ekuadori në Marok në Turqi në Greqi e më pas në Shqipëri. Ka dy muaj që vjen vërdallë. U kontrollua magazina nuk u gjet asnjë gjë e paligjshme. Selim Ceku është i pafajshëm, i sëmurë. Është piketuar një kompani e pambrojtur nga mafia për t’i hedhur një sasi shtetit e për t’i hapur rrugë kompanive të tjera”, deklaroi avokati Fanaj në seancë, por Gjykata vendosi sërish të lërë në burg 72-vjeçarin.

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb