TIRANË- Shumëkujt i ra në sy pozicionimi në fund të tavolinës në konferencën për mediat në lidhje me shfaqjen “Peshkatarët e Perlave”, i Inva Mulës, kur ajo është vetë protagonistja, por sopranoja shuan çdo dyshim. Ajo thotë se ka qenë zgjedhje e saj dhe se nuk ka asnjë pakënaqësi për stafin dhe bashkëpunëtorët e saj.

Keni ndonjë pakënaqësi ndaj bashkëpunimit ose dikujt? Lexova në media që Inva ishte vendosur në fund të tavolinës në konferencën e shtypit etj, etj. Çfarë janë këto për ju, abuzime gazetarësh, spekulime apo edhe ndonjë pakënaqësi të vogël?
Jo pakënaqësi absolutisht që nuk kam. Kam pasur vetëm sadisfaksion nga të gjithë artistët, nga teknika, nga të gjithë. Spektakli ka shumë elementë për t’u bërë dhe unë mendoj që ne asnjëherë për artistët që janë në skenë ata kanë shumë mundësi që të japin, që gjatë gjithë spektaklit të kenë mundësi të depërtojnë tek publiku në mënyrën e tyre. Por, ne harrojmë që mbrapa skenës janë pikërisht njerëzit që punojnë që ne të arrijmë ta realizojmë këtë skenë. Unë jam shumë e lumtur se në të gjithë këto etapa të punës sime kam pasur një dialog kaq të bukur, kaq miqësor dhe profesional me çdokënd.

Po thoni që e zgjodhët vetë të uleshit në fund të tavolinës?
Absolutisht që ishte zgjedhja ime dhe nuk më pëlqejnë këto kryetavolinat, nuk më pëlqejnë. Unë u ula me artistët. Pse ata janë më pak të rëndësishëm tek cepi, nuk e di pse mesi duhet të jetë më i rëndësishëm.

Flasim edhe pak për “Peshkatarin e perlave”…Ju riktheheni, e riinterpretoni pasi e keni bërë ju në ’90, mamaja juaj në ’64. Tashmë jeni ju dhe Nina në skenë, duket sikur është një traditë familjare kjo vepër, është e vërtetë?
Jo, s’ma merr mendja. Sikur çdo vepër të merrja Traviatën, Rigoleton etj, do kishte gjithmonë pika takimi me familjen time, me prindërit e mi. Sigurisht që është shumë bukur që në të njëjtin rol të jetë edhe fotografia ime edhe fotografia e nënës sime. Besoj se kam shumë fat që e kam një gjë të tillë, se nuk besoj se i bie çdo artisti ta ketë edhe nënën që të ketë interpretuar të njëjtat role.

“Peshkatarët e Perlave” erdhi si një domosdoshmëri, se mendoja që të arrish të realizosh një vepër që lë mundësi imagjinimi të jashtëzakonshëm me koloritin, me ngjyrat, me muzikën e jashtëzakonshme të Bizesë por edhe me një vizion, i cili nuk mund ta japë një vepër tjetër që flet për një jetë tjetër. Këtu kemi mundësi që fantazia jonë të shkojë shumë larg edhe të sjellim me një poezi të ditëve tona por gjithmonë që nuk është ngjarje që nuk ndodh në ditët tona. Kjo i jep një shkëputje kohore që e bën spektaklin më të rëndësishëm.

Duke interpretuar një rol që e ka interpretuar edhe nëna juaj, ju bën të jeni në një lloj kontakti shpirtëror me të më shumë, keni kënduar ariet e saj, keni bërë edhe koncerte këtu dedikuar asaj. Duket sikur keni pasur një lidhje speciale me të, a është e vërtetë?
Po, nëna ime ka qenë edhe pedagogia ime e kantos dhe është vërtetë shumë bukur. Mendoj që është pranë meje dhe do doja të më shikonte edhe në këtë kasketë të re që unë mbaj, por e di që është pranë meje, e di që më mbron, e di që energjia e saj më ndjek kudo.

Është një mënyrë komunikimi…
Po, sigurisht, mënyra më e mirë e komunikimit është kjo mënyrë shpirtërore. Zëri vjen nga brenda, zëri depërton por zëri është energji dhe mendoj se energjitë tona takohen.

(m.k/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: