Ish-presidenti i Sri Lankës, Gotabaya Rajapaksa, i cili u largua nga shteti ishullor i prekur nga protestat masive, për shkak të krizës së rënduar ekonomike pritet të kthehet në vend javën e ardhshme.

Ministri i Jashtëm, Ali Sabry ka bërë me dije se qeveria e Sri Lankës është njoftuar të mërkurën për kthimin e Rajapaksa “përmes kanaleve diplomatike”.

“Zyrtarisht ne nuk kemi asnjë rol në kthim. Ai është një qytetar i Sri Lankës dhe mund të udhëtojë si të dojë”, tha Sabry.

Kushëriri i larguar i Rajapaksa-s, Udayanga Weeratunga, një ish-ambasador i Sri Lankës në Rusi, u tha gazetarëve se ish-udhëheqësi do të kthehej më 24 gusht.

Rajapaksa është në Tajlandë pasi u arratis nga Sri Lanka në korrik me një avion ushtarak për në Maldive dhe më pas udhëtoi për në Singapor, disa ditë pasi protestuesit e zemëruar sulmuan rezidencën dhe zyrën e tij.

Ai dha dorëheqjen nga Singapori, ndërsa zemërimi i publikut u rrit për keqmenaxhimin e ekonomisë. Dorëheqja e ish-liderit ishte një moment historik për kombin prej 22 milionë banorësh, të cilin anëtarët e familjes Rajapaksa e sunduan me dorë të hekurt për gati dy dekada.

Zemërimi në Sri Lanka është rritur prej muajsh pasi rezervat valutore të vendit ranë në nivele rekord, borxhi u thellua për shkak të pagesave të importeve, përfshirë ushqimin, ilaçet dhe karburantin.

Vëllai i Rajapaksa, Mahinda Rajapaksa u detyrua të jepte dorëheqjen si kryeministër në maj, pasi zemërimi publik u rrit. Largimi i tij erdhi gjatë një dite kaosi dhe dhune që kulmoi me vendosjen e një shtetrrethimi në të gjithë vendin nga policia.

Presidenti i Sri Lankës Ranil Wickremesinghe thuhet se deklaroi në fund të korrikut se “nuk ishte koha e duhur” që Gotabaya Rajapaksa të kthehej në vend pasi mund të nxiste tensione politike.

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: