Arsene Wenger pak ditë më parë njoftoi se në fund të sezonit do të largohet nga Arsenal pas 22 sezonesh, duke i dhënë fund një aventure me ulje dhe ngritje të mëdha.

Por me largimin nga londinezët janë ngritur shumë pikëpyetje për të ardhmen e tij. Më së shumti zëra të ndryshëm thonë se ai do të rikthehet në vendlindjen e tij.

Ditët e fundit u përfol se trajneri 68-vjeçar do të jetë trajneri i ardhshëm i skuadrës së Paris Saint Germanin, por duket se Wenger ka të tjera plane. E përditshmja britanike “Daily Star” bën me dije sot se objektivi sekret i trajnerit Arsene Wenger është të drejtojë kombëtaren franceze. Për të bërë realitet këtë gjë, trajneri është gati të refuzojë edhe një ofertë ëndrrash që i bën PSG-ja.

Kombëtarja e “gjelave” aktualisht drejtohet nga Didier Deschamps, e kualifikuar për në Botërorin e Rusi 2018, ku synon të bëjë një paraqitje të mirë. Franca ka një ekip me shumë yje, por që me kombëtaren nuk po arrijnë të fitojnë, ndaj Wenger beson se mund t’i bëjë këta yje të fitojnë një Europian apo Botëror. Gjithçka për sa i përket kalimit të trajnerit 68-vjeçar te stoli i “gjelave” do të varet nga paraqitja që Franca do të bëjë në botëror, nëse do të arrijë të shkojë larg apo jo. Wenger është në pritje dhe nuk pritet të firmosë kontratë deri në korrik.

(BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb