Kur ishte 16 vjeç, me ndërmjetësimin e familjarëve, u njoh me bashkëshortin dhe u martuan. Biseda për fejesën u bë mes vëllait të burrit dhe babait të Edës. Bashkëshorti është nga Lushnja, por vendosi të jetojë me qira në Vlorë, te qyteti i Edës dhe i premtoi asaj një jetë me komoditet dhe të lumtur. Ata qëndruan një muaj te fejuar dhe pastaj nisën të jetojnë së bashku.

Vetëm pak kohë më vonë, Eda mësoi se bashkëshorti i saj, kur u njoh me të, sapo ishte liruar nga burgu, ku vuajti dënimin për vjedhje. I premtoi pasuri, por nuk mundi t’i blinte as një unazë fejese. Që muajt e parë të bashkëjetesës është dhunuar, por ajo heshti, sepse nuk donte të shqetësonte familjen, po ashtu i druhej një veprimi impulsiv nga ana e të vëllait. Në moshën 17-vjeçare u bë nënë për herë të parë. Çifti u zhvendos për pak kohë në Lushnjë, ku Eda u dhunua nga vjehrra, edhe kur ishte shtatzënë.

Kur lindi djali dhe ishte më pak se 40 ditësh bashkëshorti u zu me të dhe donte ta godiste me bukë, por ajo zuri fëmijën në kokë dhe fëmija u mek nga e qara. Përfundoi në spital, ku i thanë se ka dëmtime në kokë dhe vuajti për 6 muaj nëpër spitale. I ati u dënua sërish për vjedhje 1 vit e gjysmë. Djalin e Edës e keqtrajtonin dhe e bullizonin. Sapo bashkëshorti doli nga burgu, e la sërish shtatzënë me vajzën. Kur vajza ishte 4 muaj, ai u fut sërish në burg për vjedhje dhe e bija nuk e ka parë.

Eda u zhvendos te prindërit e saj në Vlorë dhe i ka rritur aty fëmijët. Punon në një rrobaqepësi. Ka nisur procedurat e divorcit dhe pret që vendimi të marrë formë të pretë. Sapo nisi procedurat e divorcit i vijnë letra nga burgu, ku bashkëshorti i thotë se do e vrasë, nëse ajo martohet sërish, si dhe do të hakmerret me familjen e saj. Në një lidhje Skype nga burgu që bëri me të birin vetëm 4 vjeç, ai i thoshte të merrte thikën dhe të vriste nënën.

Eda: Unë punoja në rrobaqepësi, isha 16 vjeç. Vëllai i tij punonte në një lavazh në lagjen time. Takoi rastësisht babain. I premtoi shumë. I tha do blemë shtëpi këtu dhe do e marrim vajzën tënde për nuse. Që ditët e para më shante dhe më ofendonte. Vetëm unë punoja ai jo. Pinte alkool dhe hashash.

Evis Ahmeti: Pse punoje?
Eda: Sepse kisha dëshirë të punoja.
A pyeti familja jote për këtë kandidat për dhëndër?
Eda: Pyetën, por nuk e njihte njeri. Më vonë morëm vesh që kishte 2 ditë që kishte dalë nga burgu.
Kur e kuptove që ishe martuar me njeriun e gabuar?
Eda: Kur nisi të pinte e të më dhunonte.
Si ishte episodi kur dhunoi djalin?
Eda: Po hanim drekë, ai donte të më godiste mua, por buka zuri djalin në kokë. Kam vuajtur 6 muaj spitaleve me djalin.

Përballja me vjehrrën: Akuzat e nuses janë gënjeshtra. Unë nuk kam ushtruar dhunë, përkundrazi. Djali më ka rrahur mua. Ajo e detyroi të ndahej djali nga unë. Unë ua kam plotësuar dëshirat. Problemet kanë nisur se nusja donte të jetonte në Vlorë.

(BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb