Historia e dhimbshme e një gruaje 40-vjeçare ka ardhur sot në studion e emisionit “Me zemër të hapur” në News24. Ajo u martua me mblesëri me Naimin nga Kosova dhe që në muajt e parë mendoi ndarjen për shkak të dhunës që ai ushtronte ndaj saj. Qëndroi me të për 9 vite dhe solli në jetë 3 fëmijë. Në vitin 2006 pasi ai e kishte rrahur barbarisht u arratis nëpër mal dhe shkoi kërkoi ndihmë në spitalin e Prizrenit madje atje bëri dhe një denoncim për bashkëshortin.

U kthye në familjen e saj, por fëmijët mbetën atje me të atin. E pafuqishme gjatë këtyre viteve nuk ka mundur dot të bëjë asgjë për ta. Tani ka vendosur të luftoje që të marrë fëmijët dhe t’i shpëtojë nga dhuna dhe keqtrajtimi i të atit.

“U njoha me mblesëri. Unë isha 27 vjeç kur erdhën më kërkuan në shtëpi dorën, kisha presionin e familjes për shkak të mentalitetit se isha shumë e madhe në moshë, 27 vjeç. Shkuesi ka marrë 500 euro për të më çuar mua tek ai. Mjeku i familjes hyri, sepse ai vinte tek shtëpia jonë e merrnim shpesh për gjyshen, por edhe atë e kishte gënjyer vëllai i tij.

Të gjitha që mu thanë ishin gënjeshtra. Jam fejuar e martuar për dy javë. Kam qenë një vajzë e drejtë, pa djallëzi, e moralshme. Naimi ka pasur edhe një femër para meje që e ka detyruar të heq fëmijën nga barku 6 muajshe dhe e ka përzënë nga shtëpia. Ka qenë 22 vjeçe. Dy javët e para mirë, pastaj filloi ofendimet, dhunë psikologjike. Pas një muaji mendova ta lija. E lashë dhe u ktheva në familje. Kur u ktheva tek prindërit mësova se isha shtatzënë. Mendova ta hiqja, por nuk e gjeta guximin. Kur pyeta mjekun, ai më tha nuk duhet ta heqësh sepse kisha probleme dhe rrezikoja të mos bëhesha me fëmijë. Por ai erdhi dhe mu lut e vendosa të rikthehesha me burrin”, tha gruaja me zërin që i dridhej.

Ajo tregoi se në vend të ndryshonte gjendja u përkeqësua dhe dhuna ishte sistematike.
“E thashë do ndryshojë pasi të lindë fëmija. Bëra gocën por ai nuk donte gocë. Pasi u bë goca një vjeç linda vajzën e dytë dhe gjendja u përkeqësua. Më fyente, më thoshte pse të mora, ti s’je femër.
Familja pranoi se tha do shkosh në Gjermani do jesh rehat. Gjatë 9 viteve unë nuk di të kem dalë njëherë për qejf. Thjesht kam ndenjur brenda me fëmijët. Kur ishte ai nuk i përqafoja dot e t’i puthja fëmijët. Më thoshte ik se i bëre fëmijët pis.
Nuk u ktheva në familje sepse kisha frikë se do njollosja familjen. Dhuna fizike ka filluar pasi linda vajzën e parë. Madje pasi ka bërë vajza 1 vjeç e gjysmë e ka goditur edhe vajzën pse qan. Kur ajo qante natën unë ikja nga dhoma.
Ditën që ika, u çova në mëngjes shkova tek pulat dhe u ktheva në shtëpi. Ai pa komshiun që po shkonte tek bagëtia, më tha që shiko ai ka bagëti, ne s’kemi. Më rrahu më nxiu. Për fatin tim e mori dikush në telefon dhe iku e më tha kur të kthehem dua të më japësh një zgjidhje. Do iu thuash vëllezërve të japin lekë të bëj letrat e makinës. Ku kishin vëllezërit e mi. Unë nuk kam pasur telefon për 10 vite”, tregoi nëna e tre fëmijëve.

Ajo thotë se sot familja e mbështet dhe nëna i ka kërkuar falje.
“Sot familjen e kam mbështetje absolute. Nëna ime më mbështet, ajo e ka kuptuar, më ka kërkuar falje që janë nxituar, por s’është faji i saj sepse ajo nuk e parashikonte dot’, rrëfeu gruaja.

Ajo tha se ka ikur natën nëpër borë me këmbën e vrarë nga dhuna e Naimit, me të cilin nuk ka celebrim pasi nëse nuk do kishte ikur ai do e vriste.
“Nëse nuk do kisha ikur në atë moment, unë nuk do isha e gjallë ose do isha gjysmake. Isha duke bërë dru dhe po piqja bukën. Erdhi ai dhe më tha a ma kreve porosinë. I thashë futu brenda se erdha. E futa gocën brenda, vesha çizmet e një xhup të vjetër. I thashë gocës ta kisha një shall të lidhja gjurin se e kisha të vrarë nga dhuna. Ma solli goca, që ishte 8 vjeç dhe ika malit, nëpër borë se nuk dilja dot në rrugë se kisha hall se vinte e më vriste. Kam ikur në këmbë dhe kur kam vajtur afër Prizrenit më ka parë një polic që nuk ishte në detyrë e ka lajmëruar kolegët me furgon që kanë ardhur më kanë marrë. Kam bërë denoncim dhe më pas kam shkuar në spital, sa kam bërë mjekimin e parë. Më pas kam shkuar në spital në Shqipëri për një javë. Pas denoncimit e kanë marrë për 24 orë dhe më pas e kanë nxjerrë. Nuk i jam drejtuar gjykatës, kisha frikë, sepse kisha ikur dy herë dhe më ka thënë mos u lodh se fëmijët nuk t’i lë gjallë në botë.
Sipas njerëzve kam të dhëna se ai ka rrahur vajzën e madhe, se përse nuk i tregoi që unë ika. Kam të dhëna se ai fëmijët i mundon me punë”, tregoi gruaja.

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb