Është shoqëruar me debate të forta e përplasje seanca plenare në Kuvendin e Kosovës. Ka qenë kreu i Grupit Parlamentar të AAK-së, Besnik Tahiri, i cili ka përmendur shifrat e rritjes së çmimit të energjisë, gjë që ka revoltuar zëvendëskryeministrin Besnik Bislimi, i cili i është drejtuar me fjalët “pse po rren”.

“Po i drejtohem z.Tahirit dhe marrjen e çmimit për 21 cent si referencë dhe krahasimit me Italinë. Ata që i kanë ba veç dy mësime statistikë e dinë sa e rrezikshme është kur e përdor një numër e se dinë në shërbim të qka po e përdor. Mundesh me bërtit sa të dush, por kualitetin e të dhënave nuk e përmirëson. Me mundu me ta vizatu z.Besnik Tahiri, nëse e ke nga 0 deri 100 një çmim dhe nga 100 deri në 110 e dyfishon çmimin, rritja është 9% nuk është 100 %. Çmimi prej 14 cent dhe 21 cent për të cilin po e manipulon, aplikohet vetëm për ata që konsumojnë më shumë se 600, nuk është rrit tarifa. U mbytem tu ju than mos rreni po prape po dilni po rreni”, ka deklaruar Bislimi.

Pas kësaj, deputetët e opozitës kanë filluar të bërtisnin dhe të godisnin tavolinat e Kuvendit.

Bsilimi i është drejtuar edhe deputetes së LDK-së, Hykmete Bajramit. “E nderuara deputete bajrami, ju e shpjeguat më së miri esencën e problemit, ju thatë se nuk e keni ndreq Kosovën A se keni dashtë me bo Kosovën e Re. Kemi lejuar shkatërrimin e Kosovës A për me ndërtu Kosovën e Re”, është shprehur ai.

Pastaj, ka ndërhyrë edhe kryeparlamentari Glauk Konjufca, i cili u ka kërkuar deputetëve të jenë më të disiplinuar.

“Ju lutem respektojeni njëri tjetrin kur të flisni. Është e vërtetë që fjala gënjeshtër është përdor shpesh në parlament dhe nuk ju kisha propozua askujt me përdor”, është shprehur Konjufca.

Menjëherë replikë ka kërkuar shefi i Grupit Parlamentar të PDK-së, Abelard Tahiri.

“Duhet me ja tërheq vërejtjen zëvendëskryeministrit sepse është e turpshme me dalë me ju thanë deputeteve po rreni. Në mungesë të argumenteve ky del thotë akuza dhe të pavërteta. Nuk është gjendja alarmante këtu sa është te qytetarët. Kur ti paguajmë faturat e këtij muaji do të shohësh çfarë reagimi kanë me pas qytetarët. Në fund të muajit do ta shohim a po rreni ju apo ne”, ka thënë Tahiri.

Pas Tahirit, ka reaguar edhe shefi i Grupit Parlamentar të AAK-së, Besnik Tahiri, i cili ka deklaruar se nuk i merr personale ofendimet e zëvendëskryeministrit.

“Zëvendëskryeministri del thotë po rreni deputetë. Këtë e thotë sepse ka dështuar dhe mundohet që përmes ofendimit të mbroj një kauzë. Shumë shpejt do të vërtetohet se kjo që ju po e thuani është mashtrimi më i madh që po i bëni qytetarëve. Jeni tu dashtë me kamuflua, do ta ndalim këtë nëse jo në Kuvend do ta ndalim me të gjitha mjetet demokratike. Ruaje veten, mos ofendo”, ka thënë Tahiri.

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb