KRUJË- Është gjendur i vrarë, në anë të rrugës pranë fshatit Murqin në Krujë, 40-vjeçari Gazmend Çollaku, i cili u mor peng mbrëmjen e kaluar në qytetin e Durrësit. Nga këqyrja paraprake e trupit rezulton se viktima është vrarë me armë zjarri pasi ka plagë pas koke. Trupi ishte jashtë një automjeti, i lidhur këmbë e duar dhe është gjetur nga banorë të zonës, të cilët kanë lajmëruar më pas policinë.

Ndërkaq burime pranë grupit hetimor zbulojnë detaje të tjera nga pengmarrja që përfundoi me vrasjen makabre të 40-vjeçarit Gazmend Çollaku. Mësohet se pas rrëmbimit në Durrës nga 4 persona me një “Audi” me targa gjermane, policia ndoqi mjetin deri në Marikaj dhe më pas humbi gjurmët.

Ndërkaq trupi i pajetë i 40-vjeçarit është dërguar në morgun e qytetit të Durrësit, ku pritet t’i nënshtrohet ekspertizës mjeko-ligjore. Mësohet se viktima ishte i lidhur me fasheta plastike plastike kur u gjet.

KUNATI: GAZMENDI NUK KISHTE KONFLIKTE
Kunati i Gazmend Çollakut ka thënë se nuk ishte në dijeni të ndonjë konflikti që mund të kishte 40-vjeçari. Në një prononcim për News24, Julian Kajana tregon se Gazmendi ishte i papunë për momentin dhe emigronte në Itali.  “Nuk ishim në dijeni të asnjë konflikti. Asnjëherë nuk ishte shprehur se kishte konflikte.  Ishte i papunë për momentin, emigronte në Itali. Nuk njihej si njeri konfliktual, ishte djalë i vetëm”, është shprehur kunati i viktimës.

NGJARJA
40-vjeçari Çollaku u mor peng mbrëmjen e djeshme nga katër persona të maskuar si punonjës policie. Ngjarja ndodhi në parkingun pranë dy kullave binjake, në lagjen nr.1 të qytetit bregdetar (pranë portit). Mbrëmë, rreth orës 19:10, Gazmend Çollaku ka qenë në shoqërinë e disa miqve të tij duke pirë kafe te një prej lokaleve në lagjen nr.1 te njëra prej kullave binjake, në katin e parë. Mësohet se Çollaku është thirrur nga një person, i cili i ka kërkuar të dilte jashtë për të sqaruar diçka. E ndërsa ka dalë nga lokali, 40-vjeçari nuk është kthyer më brenda. Sipas hetuesve të çështjes, personi që e ka thirrur Çollakun ka qenë i njohur dhe njeri i besuar i tij, ndaj dhe nuk ka hezituar të dalë nga lokali dhe madje nuk ka bërë rezistencë.

Kanë qenë dëshmitarët okularë ata që kanë lajmëruar policinë. Këta të fundit kanë deklaruar se katër pengmarrësit ishin të veshur me uniforma policie. “Fillimisht menduam se ishte policia. Më pas pamë se personat e morën me forcë Çollakun dhe e futën në një makinë”, thanë dëshmitarët okularë të ngjarjes. Ndërsa, miqtë e 40-vjeçarit që ndodheshin me të në lokal gjithashtu kanë dëshmuar se Çollaku u largua me një person që e njihte, duke thënë se kishte pak minuta punë e do të kthehej sërish me ta. Por, kur nuk u kthye, ata e konsideruan serioze çështjen e rrëmbimit.

HETIMET
Ndërkohë, burimet pohuan se në lidhje me rrëmbimin e Çollakut (banues në lagjen nr.6 të Durrësit) janë shoqëruar dhe marrë në pyetje 20 persona. Mësohet se hetimet po kryhen nga prokurorët e Krimeve të Rënda që kanë mbërritur me urgjencë nga Tirana, në bashkëpunim me policinë e qytetit bregdetar. Burime zyrtare nga Drejtoria e Policisë së qarkut të Durrësit bënë me dije se agresorët, që ende nuk janë identifikuar, e kanë futur Gazmend Çollakun në bagazhin e një automjeti tip “Audi” me targa gjermane dhe më pas u larguan me shpejtësi nga vendi i ngjarjes.

Sipas policisë, 40-vjeçari është person me precedent penal, ndaj po hetohet për të sqaruar se në çfarë konfliktesh ishte përfshirë. Mësohet se Çollaku sapo ishte fejuar me një vajzë nga qyteti i Durrësit. Burime pranë grupit hetimor deklaruan, se kanë hapur dosjen dhe se nga verifikimet e bëra ka rezultuar se Çollaku ka qenë i skeduar si person i dënuar vite më parë për një plagosje. Po të njëjtat burime pohuan, se dyshohet që 40-vjeçari të ketë qenë i përfshirë edhe në trafik droge. Pas ngjarjes, grupi hetimor sekuestroi pamjet filmike të lokalit ku ka qëndruar dhe ka pirë kafe 40-vjeçari. Po kështu, policia ka nisur punën për identifikimin e personit, i cili dyshohet se ka njohje me Gazmend Çollakun dhe që e thirri këtë të fundit kur ishte brenda në lokal. Hetuesit e çështjes bënë me dije se 40- vjeçari nuk kishte një punë stabël, por njihej në rrethin e personave që luanin loto dhe bixhoz, ndërsa të ardhurat i siguronte nga trashëgimia familjare. Sipas hetuesve, po hetohet në disa pista për zbardhjen e ngjarjes, ndërsa dyshohet që Çollaku të jetë marrë peng për prishje të pazareve të drogës, për shkak të ndonjë borxhi ndaj personave të tjerë apo për ndonjë konflikt të hershëm.
(m.k/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb