KAKAVIJË-Dy efektivë policie janë arrestuar pasi akuzohen se kanë marrë ryshfet për të lejuar 3 persona të kalojnë kufirin me Greqinë në mënyrë ilegale. Lajmi bëhet i ditur nga Ministria e Punëve të Brendshme.

“Shërbimi i Çështjeve të Brendshme dhe Ankesave, në Ministrinë e Punëve të Brendshme ka vërtetuar dhe dokumentuar ligjërisht se punonjësit e Policisë Veziko Bejko dhe Ylli Hoxha, kanë konsumuar elementë të veprave penale të “Shpërdorimit të detyrës” dhe “Korrupsionit pasiv të kryer nga persona të cilët ushtrojnë funksione publike”, në bashkëpunim, parashikuar nga nenet 248, 259 dhe 25 të Kodit Penal.”- thuhet në njoftimin MPB.

Më tej sqarohet se kontrollori Ylli Hoxha dhe përgjegjësja e turnit Veziko Bejko, me detyrë në Pikën e Kalimit Kufitar Kakavijë, Gjirokastër, kanë përfituar shuma të konsiderueshme parash në këmbim të lejimit të kalimit të paligjshëm të kufirit të 3 shtetasve drejt Greqisë, pasi këta të fundit kishin mangësi në dokumentacion për të udhëtuar në zonën Shengen.

“Materialet iu referuan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë Gjirokastër, e cila urdhëroi ndalimin e 2 punonjësve të policisë. Sot, në orën 17:00, u bë ekzekutimi i 2 urdhrave të ndalimit për efektivët e sipërpërmendur.

Gjithashtu, Policia e Shtetit ka përjashtuar punonjësit Veziko Bejko dhe Ylli Hoxha, për shkelje të rëndë të detyrës.”- përfundon njoftimi i MPB.

(a.n/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: