TIRANË

Sot në studion e emisionit “Me Zemër të Hapur” në News24 ka ardhur rrëfimi i një babai i cili pas divorcit me bashkëshorten, po përjeton dhimbjen e të mos takuarit të fëmijëve.
Burri tregon se është martuar në vitin 2004 me shkuesi dhe njohja midis tij dhe ish- bashkëshortes është bërë në një periudhë shumë të shkurtër. Janë dashur vetëm 6 muaj dhe çifti menjëherë ka finalizuar lidhjen në martesë.

Dy vjet më vonë ka lindur fëmija i parë dhe më pas në 2013 erdhi në jetë dhe fëmija i tyre i dytë. Sipas burrit martesa vajti drejt fundit, pasi sipas tij gruaja vazhdimisht e tradhtonte. Në bazë edhe të raportit psikologjik burri rrëfen se në katër vitet e fundit të martesës bashkëshortja ka pasur në vazhdimësi raporte jashtë martese.
Në mars të 2016 burri thotë se bashkëshortja është larguar përfundimisht nga banesa e përbashkët. Pas debatesh të shumta çifti i është drejtuar gjykatës. Në nëntor të 2016 gjykata vendos divorcin midis palëve.

Por edhe pas kësaj situatë sërish komunikimi për hir të fëmijëve midis prindërve nuk ka qenë normal. Ish-bashkëshortja i është drejtuar sërish gjykatës, pasi ka pretenduar të marrë edhe banesë, ku ka jetuar, por në 2018 gjykata lë në fuqi vendimin e vitit 2016. Burri prej muajsh nuk i sheh fëmijët, madje tani ndjehet i kërcënuar nga bashkëshortja. Ndërsa ai rrëfen se vazhdimisht paguan pensionin ushqimor.

Ndërkohë nëna e fëmijëve pretendon se është dhunuar nga ish-burri por babai i hedh poshtë pretendimet e saj. Ai thotë se gruaja nuk do t’i lërë fëmijët, ndaj nxjerr këto gjëra.

“Kur e takova djalin herën e fundit po qante. I thashë çfarë ke të keqen babi, je zënë tek shkolla, jo më tha. Atëherë pyeta një djalë rastësisht tek shkolla që e ka në klasë çfarë ka ndodhur, ai më tha po është zënë me mua. Unë nuk flas dot me ish-bashkëshorten se sapo ta marr në telefon ajo lajmëron policinë”, tha babai.

(BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb