Profesor. Doktor. Et’hem Ruka rrëfeu në emisionin “Kjo Javë” të gazetares Nisida Tufa, në News24, njohjen me bashkëshorten.

Ai u shpreh se motra e tij jetonte në të njëjtën ndërtesë me bashkëshorten e tij, duke bërë që njohja mes tyre të niste që herët, ndonëse ata ishin në moshë të vogël dhe thjesht njiheshin.

“Çdo njeri ka një histori për ndërtimin e familjes. Bëhet një gjë sebep, dikush njihet në kinema, dikush në shkollë, dikush në qytet. Është e vërtetë që motra ime dhe njerëzit e bashkëshortes sime banonin në të njëjtën ndërtesë. Një ndërtesë jo e madhe, shumë e bukur, dhe në atë kohë njerëzit jetonin si një familje, por ne ishim të vegjël dhe thjesht njiheshim. Pastaj, vijuam shkollat, erdhëm në Tiranë, të gjitha këto pak e nga pak çuan në fermentimin e të gjitha gjërave, deri te formimi i familjes sonë. ka qenë një rrugëtim i vështirë, shumë, sidomos në fillimet tona. Nuk ishte shumë e lehtë për njerëzit që vinin nga rrethet në atë kohë, si strehimi, punësimi. Nuk është aq e lehtë të ndërtosh familjen, të bëhesh me shtëpi. Kemi punuar në 11 apartamente me punë vullnetare për të marrë një apartament te 52 m2. Ka qenë një rrugëtim i vështirë, për të cilin nuk më vjen keq, sepse ishte i suksesshëm. Njeriu duhet të jetë i fortë për të kapërcyer vështirësitë. Kjo është jeta jonë dhe unë e kam treguar atë”, u shpreh Ruka.

(BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb